Rëndom besohet se diku rreth vitit 1389 jenë vënë themelet e xhamisë së Çarshisë, që sot ndodhet përballë Kuvendit të Kosovës. Kjo e dhënë buron nga njëri prej dy mbishkrimeve të xhamisë. Një lexim më i fundit i këtij mbishkrimi e shtyen vënien e themeleve të xhamisë disa dekada më vonë, no kohën e Muratit II, në vitet 1421–1451. Lokacioni i saj në atë kohë duhet të ketë qenë pranë tregut të qytetit. Ky treg për herë të parë përmendet qartazi në vitin 1424 në disa dokumente gjyqsore të Raguzës. Po aty përmendet edhe lagjja Potoçishte,1 e cila pranë kishte një fushë ushtrimesh edhe sportesh, ku përveç tjerash në dhjetor mbaheshin edhe lojëra kalorësish. Në vitin 1448 në Prishtinë janë të njohur me emër rreth 200 raguzanë. Numri i tyre mendohet të ketë qenë edhe më i madh. Kur kihet parasysh numri i përgjithshëm prej 1,700 banorësh, është evidente që edhe në numër komuniteti raguzan ka qenë i ndjeshëm në Prishtinë (rreth 15% e popullatës). Ndërkohë në vitin 1461, sipas mbishkrimit që është sot aty, dihet se është ndërtuar xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut. Pak vjet më herët në vitet 1454–1455, edhe qyteti ka kaluar pëfundimisht nën administrimin osman. Kështu në vitin 1477 e kemi edhe regjistrimin e parë osman të popullatës me 9 lagje, të gjitha të krishtera. Rreth një dekadë më vonë, në regjistrimin e rradhës të autoriteve osmane figuron edhe një lagje (bashkësi) muslimane, e cila si duket përqendrohej kryesisht afër tregut të qytetit. Në këtë shekull, diku në gjysmën e dytë, duhet të jetë ndërtuar edhe hamami i qytetit që ndodhet pranë Xhamisë së Fatihut (Xhamia e Madhe).
Për vendosjen e lagjeve vetëm mund të ngrejmë supozime në bazë të të dhënave të zbehta rrethanore. Lagjja Llukar do supozuar të ketë qenë në drejtim të Llukarit të sotëm. Gjithnjë nëse ekziston ndonjë lidhje mes këtyre dy emrave. Lagjja Potoçishte, duke qenë se si emërtim sllav ka kuptimin e një fushe të vrapimit, duhet imagjinuar se ishte në pjesën e rrafshët pranë qytetit, pra diku pranë tregut (duke u shtrirë në drejtim të pjesës ku sot është stadiumi i qytetit).2 Lagjja Pojasar, ndoshta e lidhur me atë që më vonë njihet si profesioni i tabakëve, zakonisht nëpër përshkrime theksohet se kanë qenë të varuar nga përdorimi i ujit, prandaj duhet të ketë qenë pranë lumin Prishtevka, aty ku edhe më vonë kanë qenë të vendosur tabakët. Lagjja Koçaniko, megjithëse me shumë pikëpyetje, mund të jetë emërtim i lidhur me rrugën për në Kaçanik, të cilën e përmend edhe Martin Segoni në vitin 1479 (Cazanicj) në një shënim të tij. Lagjja Kosiriq duke qenë se në vitin 1526 na shfaqet e zvogëluar, supozojmë të ketë qenë diku më afër qendrës, ku popullata muslimane ishte në rritje. Në fillim të shekullit XIX popullata sllave është e përqëndruar në pjesën verilindore të qytetit, prandaj duhet besuar që ato lagje të Prishtinës kanë pasur rritje të banorëve të krishterë duke filluar nga shekulli XV dhe XVI. Të tilla janë lagjet Koçaniko, Shtitar dhe Llukar. Në këtë kohë, sipas dëshmive të kohës, në Prishtinë ka funksionuar edhe një kishë katolike,3 por lokacioni i saj nuk dihet.
1 Përderisa Jireçek në vititn 1892 ishte i mendimit se fjala ‘Potoçishte’ vinte nga sllavishtja poteci, potesti, me kuptimin në lëvizje, në vrap, një rishikim më kritik i këtij interpretimi duket i nevojshëm, fjala potoçishte mund të lidhet edhe me fjalën sllave potok, që është përrocke. Fusha e frapimit mund të ketë qenë në një vend afër përrojeve, diçka që vazhdimisht përmendet kur flitet për Prishtinën në histori. Gjithnjë duke qëndruar në brenda domenit të hipotezave, një lokacion i tillë do të ketë qenë pranë stadiumit të sotëm të qytetit, ku bashkohen dy përrojet (lumenjt) Vellusha dhe Prishtevka.
2 Si një mundësi alternative, njësoj e mundur, është që lagjja Potoçishte më vonë qe riemëruar në Panaxhurishte. Në atë rast, atë do kërkuar te zona ku sot është Teatri Kombëtar i Kosovës, e ku në vitin 1551 është ndërtuar xhamia e Llokaçit.
3 Studiuesi Gj. Berisha beson se në këtë kohë Prishtina i kishte madje dy kisha katolike. Khs. Durim Abdullahu, Në gjurmë të origjinës së Prishtinës.