Kryeqendër e vilajetit të Kosovës deri në vitin 1879 ka qenë gjetiu, por duket se rrethanat atje me Lidhjen e Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878, ka shkaktuar që autoritet osmane të bëjnë ndryshime rrënjësore në organizimin e brendshëm shtetëror në këtë vilajet. Në kuadër të këtyre ndryshimeve duhet të ketë qenë edhe bartja e kryeqendrës në Prishtinë. Vendimi për këtë ndryshim ka ndodhur zyrtarisht më 18 shkurt 1879,1 pra koincidentalisht një ditë pas datës kur 130 vjet më vonë Kosova e ka shpallur zyrtarisht pavarësinë në po të njëjtin qytet.
Gjatë kësaj periudhe Prishtina përjeton zhvillim të madh ekonomik e kulturor të atij shekulli, duke u rimëkëmbur pas dekadave të rënimit.2 Në po këtë vit në kryeqytet bartet edhe shtypshkronja shtetorore, e para e regjistruar ndonjëherë.3 Të kësaj kohe janë edhe disa ndërtesa me vlerë në Prishtinë, përfshirë ndërtesën e sotme të Muzeut Kombëtar (dikur konaku qeveritar) që është përfunduar në vitin 1885.4 Më 14 shtator 1888 kryeqendra e vilajetit bartet në Shkup.5
-
1
AP. BOA. DH.MKT. 1325/87, 18 shkurt 1879. Në të njejtin dokument ku Prishtina përcaktohet si kryeqendër e vilajetit përmendet edhe nevoja e ngritjes së shtypshkronjës, e cila thuhet se do të bartet nga Manastiri. Ky dokument nuk është përdorë më parë nga historianët. Data e saktë e vendosjes së Prishtinës së kryeqendër nuk ka qenë e sqaruar ndonjëherë, ku datat 1877 dhe 1878 janë përmendur dendur. Historiani Skënder Rizaj në vitin 1970 e ka botuar edhe një regjistër zyrtar administrativ të Vilajetit të Kosovës të vitit 1878, ku Prishtina megjithëse nuk përmendet si kryeqendër, është ndër qytetet që përmendet më së shpeshti. Shih Skënder Rizaj (1970). Vilajeti i Kosovës më 1878 (Rregullimi politik dhe rrethanat kulturo-arsimore dhe demografike). Në Vjetar (2–3), Prishtinë, 209–254. Studiuesi Ismail Eren madje e sjellë datën 29 janar 1877 si datë të bartjes së kryeqendrës në Prishtinë, por kjo bazohej në një shënim me dorë mbi një Selname të vjetër, që s’duket të jetë burim zyrtar, khs. Ismail Eren (1968). Štamparija Kosovskog vilajeta u Prištini (1877–1888). Në Gjurmime Albanologjike (1), 177 (në vijim si Eren 1968).
-
2
Një përshtypje të tillë zhvillimi e kishte pasur gjatë vizitës në vitin 1892 një vizitor i qytetit, shih В. Карић (1894). Кроз гробље, опажња и белешке приликом путовања кроз српску земљу под турском 1892. године. Në Дело (3), 50.
-
3
Mbi detajet e kësaj shtypshkronje shih Eren 1968, 171–184.
-
4
Në fakt ndërtimi i një zyre të re qeveritare, një kazerne dhe një spitali në Prishtinë ishte përmendur qysh në verën e vitit 1884, khs. AP. BOA. I. ID. 67/3965, 2 qershor 1884. Por mobiljet për zyren e re janë blerë vetëm në muajin shkurt të vitit vijues, khs. AP. BOA. I. ID. 73/4283, 3 shkurt 1885. Ka gjasë që vetë ndërtesa është vënë në funksion edhe më vonë. Veselinović në vitin 1895 njoftonte se kjo ndërtesë kishte përfunduar tetë vjet më parë, pra në 1887, datë që zakonisht pranohet si e përfundimit (shih Dokumentet).
-
5
AP. BOA. Ġ. MMS. 101/4241, 14 shtator 1888.