Prishtina është tepër rrallë e dokumentuar në aspektin pamor para shekullit XX. Në fakt dokumentimi i parë grafik i qytetit, të paktën në një formë të tij, shfaqet krejt vonë në mesin e shekullit XIX.
1 — Pamja më e hershme e Prishtinës vjen nga viti 1849, kur në një revistë angleze paraqitet një fragment grafik nga qyteti.1 Në fakt, prej saj nuk mund të përfitohet ndonjë përshtypje më e qartë e dukjes së qytetit, përveç disa pak ndërtesave dhe ndonjë oxhaku. Për më shumë, gravura, e cila është nga një dorë anonime, pas gjasash më shumë qe bazuar në përshkrimet e korrespondentit, sesa në atë çfarë kanë parë sytë e vetë artistit. Më i sakt aty duhet të jetë portretizimi i dy figurave kryesore, beut të Prishtinës, që në këtë kohë ishte njëfarë Hasan Saxhi Ramiz Beut (fl. 1848–1854),2 dhe të një pashai me emrin Bau Pasha, që duhet të jetë Abdurrahman Pashë Gjinolli (1813–1872). Është për tu vënë re se Hasani është me syze, dhe ka pamje ‘moderne’ siç vëren autori i tekstit.3 Ushtarët që paraqiten në gravurë mbajnë fustanella, që në shikim të parë duket e çuditshme, por që arsyetohet disi me faktin se në këtë kohë ushtritë jugore përziheshin shpesh në fushata edhe në veri.
2 — Pak a shumë e të njëjtës natyrë është edhe një gravurë tjetër e Prishtinës, këtë herë nga viti 1872, ku paraqitet vallëzimi i një valltareje rome në sallonin e një shtëpie të madhe të qytetit.4 S’kemi ndonjë dëshmi konkrete as këtu për autorin, e as për rrethanat në të cilat ajo është punuar. Vihet re veçanërisht stili i ‘orientit ekzotik’ me të cilin paraqitet një pasha me mjekërr, e vallëtarja ekzotike në mesin e grave që shikojnë. Duket se gravura është bërë në bazë të ilustrimeve të bëra në vend, qysh thotë një njoftim i vëllimit.5 Në rast se pamja paraqet vërtetë ndonjë personazh të kohës nga qyteti, atëhere, do t’ishte e mundur se kemi të bëjmë përsëri me figurën e Abdurrahman Pashës tashmë të shtyrë në moshë, i cili shkurtimisht në vitin 1869 ishte rikthyer si udhëheqës i qytetit. Këto janë dy gravurat e vetme që paraqesin ndonjë motiv nga brendia e qytetit.
3 — Është edhe një pikturë pa datë por që duhet të jetë të paktën e shekullit XVIII në portën hyrëse të Xhamisë së Mbretit në Prishtinë. Në të paraqitet vetë pamja e xhamisë me një kopsht relativisht të gjerë përreth, ndoshta pamja e mëhershme e ambientit të kësaj xhamie. Nuk mund të vërehet ndonjë ndërtesë tjetër në këtë vizatim. Përgjithësisht ky frament është i ruajtur në gjendje të mirë, dhe do të ishte shumë me interes që në të ardhmen specialistët të mund të na informonin më mirë rreth datës së mundshme të realizimit të tij.6
4 — Një gravurë më e vjetër e vitit 1701, e paraqet fushatën e Habsburgëve në Kosovë të vitit 1689 dhe 1690, me një betejë pranë qytetit të Prishtinës, por ku nuk shihet ndonjë detaj prej pjesës urbane.7 Autori i saj është Andreas Matthäus Wolfgang (1660–1736) nga Augsburgu, i cili duhet ta ketë bazuar gravurën e tij në ndonjë vizatim paraprak, duke qenë se nga viti 1683 deri më 1691 vetë ishte mbajtur rob në Algjer, dhe s’ishte askund afër Prishtinës. Ndërkohë, në hartat e kohës Prishtina është paraqitur më shpesh. Paraqitja më e vjetër është në Venedik në vitin 1450, nga Fra Mauro.8 Aty qyteti është afër Novobërdës. Por përveç si një pikë në mesin e shumë pikave, kjo hartë nuk sjellë ndonjë detaj mës humë. Të tilla janë edhe shumë harta të tjera që janë punuar ndërkohë, e që në shumicën e rasteve karakterizohen me pasaktësi të shumta, duke e vendosur qytetin herë më afër detit, e herë më afër Sofjes, por gjithmonë shumë afër Janjevës e Novobërdës.
5 — Prej fotografive, përsëri dëshmitë pamore janë tepër të vona, më e hershmja është nga viti 1890, që është botuar në një libër të shtypur serb. Aty paraqitet një peisazh i gjerë i qytetit, ku fotografi duhet të jetë pozicionuar ndoshta në kodrën e lagjes Arbëria sot (që dikur njihej si Dragodani).9
6 — Një fotografi tjetër, nga brendia e qytetit, më e njohur se të tjerat, i takon vitit 1895 dhe paraqet përveç tjerash sahatkullën e vjetër përpara konakut të atëhershëm qeveritar, sot Muzeu i Kosovës.10
7 — Disa forografi që i kemi zbuluar rishtazi në arkivin e Stambollit, paraqesin momentin e renovimit të këtij konaku qeveritar më 1898–1899, me siguri në të njëjtën kohë kur edhe është zhvendosur sahatkulla në lokacionin ku ndodhet sot.11
-
1
Është fjala për vëllimin 4 të revistës The Illustrated London News, 27 tetor 1849, f. 280, nga një korrespondent i panjohur prej vendit të ngjarjes. Ilustrimi është i përcjellur edhe me një tekst rreth situatës politike e ushtarake në Shqipëri e Kosovë. Përshkrimi nën fotografi thotë, “The Bey of Pristina marching to join the Pacha.” Ndërsa sjellet edhe shpjegimi: “Në këtë gravurë druri, Beu i Prishtinës paraqitet duke marshuar jashtë [qytetit] së bashku me Pashain dhe trupat e tij të parregullta.”
-
2
Në disa vende shfaqet edhe me emrin Mahmut Pashazade Hasan Beu, dhe e ndeshim në këto data në dokumentet osmane të Arkivit të Prishtinës. Më 27 tetor 1846 është shkarkuar nga pozita e kajmakamit (udhëheqësit) të Prishtinës Melek Beu, dhe në vendin e tij është vendosur Hasan Beu në fjalë. Khs. Arkivi i Prishtinës, G.MVL 82/1628. Ndërkohë data e fundit e tij është pas vdekjes në shkurt 1855. Khs. Arkivi i Prishtinës, A.MKT.MHM. 65/25, 4.II.1855.
-
3
Sipas korrespondentit të paemër: “Beu, një oficer i shkollës moderne, me fesin e tij të rrafshët, palltën pa zbukurime, dhe syze mbi hundë, paraqet një kontrast të jashtëzakonshtëm me përcjellësit e egër, të cilët nxitojnë me hov afër tij në dy rreshta, dhe hapërojnë shtegut të gjërë përpara si tufë e dhive.”
-
4
Është fjala për vëllimin 4 të revistës Illustrated Travels, f. 280, nga Henry W. Bates (1825–1892).
-
5
“Secili vëllim është ilustruar me afërsisht 200 grauvra, të realizuara në bazë të fotografive ose vizatimeve origjinale,” shih The Athenaeum, Nr 2466, 30 janar 1875, f. 171. Gjithashtu: shih Henry Leslie's Musical Annual, 1874, reklama në fund, f. 3: “...ilustruar me 148 gravura, nga artistët më të mirë të kohës, bazuar në vizatime të bëra në vend.”
-
6
Informata rreth arkitekturës dhe dekorimeve në këtë xhami shih. Orges Drançolli (2000). Fatih Mosque in Prishtina. Në XVIII. Türk Tarih Kongresi, 1-5 Ekim 2018, Ankara, 895–910.
-
7
Shih Paul Rycaut (1700). Der Neu-eroffneten Ottomannischen Pforten Fortsetzung, Augsburg: Kroniger, Göbel, Wagner, f. 550.
-
8
Harta e cila ka dimensione 2.4 x 2.4 metra ndodhet në Biblioteca Nazionale Marciana në Venedik. Një skanim cilësor digjital i saj mund të shikohet këtu.
-
9
Shih Milojko V. Veselinović (1895). Pogled kroz Kosovo, Trgovina J. M. Pavlovića i kompanije, shtojca I. Falënderojmë Valon Shkodrën që na ka vënë në dijeni mbi ekzistencën e kësaj fotografie.
-
10
Shih Salnamen (Vjetarin) e vitit 1896, shtypur në Shkup.
-
11
Falënderojmë A. Islamin për gjetjen e kësaj fotografie të fundit nga arkivi në Stamboll. Ajo është e panjohur deri më tash, dhe tregon momentin e renovimit të Konakut Qeveritar në vitin 1898. Një plan renovimi që mban datën 17 shkurt 1898 ndodhet si kopje digjitale në Arkivin e Prishtinës.