Familja Gjinolli përgjithësisht është pak e njohur në historiografi. Vitet e fundit ka pasur një numër kontributesh në këtë drejtim, veçanërisht për Maliq Pashën dhe Jashar Pashën që kanë nam më shumë (edhe ndër historianë).1 Megjithatë, edhe në këta artikuj, Abdurrahmani, që vjen fill pas këtyre si udhëheqës, përmendet krejt rrallë. Për të nuk ka ndonjë tentim biografik, prandaj këtu do të orvatemi të vendosim disa kontura të para, pa pretenduar se kemi shteruar të gjitha burimet relevante. Përgjithësisht, jo veç interesimi, por edhe shënimet arkivore për të janë më të rralla se ato për dy paraardhësit tjerë.
Nuk kemi parë ndonjë dokument (prej atyre që kishim në dispozicion) që dëshmon ditëlindjen e Abdurrahman Pashë Gjinollit; sidoqoftë, nga të dhënat rrethanore mund të supozojmë të ketë lindur diku rreth vitit 1813.2 Të paktën tre dokumente arkivore e vërtetojnë mëtimin se ishte i biri i Jashar Pashës, duke larguar çdo dyshim në këtë drejtim. Gjurmët e para të këtij pashai në shkrimet e kohës na shfaqen në vitin 1840,3 kur dhe qe emëruar si kajmakam (udhëheqës) i Sanxhakut të Shkupit, me seli në Prishtinë.4 E dimë me siguri se këtë pozitë e ka mbajtur deri kur është shkarkuar më 19 korrik 1845.5 Burimet janë të rralla gjatë kohës sa ka ushtruar detyrat e tij administrative. Pikërisht periudha që po flasim i takon viteve të kryengritjes popullore (të përbërë kryeisht nga shqiptarët) që ka kapluar qytetet prej Vranjës deri në Shkup, përfshirë Prishtinën, Vushtrrinë, Kaçanikun e Tetovën. Në këtë valë turbullirash, Abdurrahmani kishte qenë edhe vetë cak i sulmeve kryengritëse, ngase në të paktën njërën letër të tyre qe kërkuar përveç tjerash edhe shkarkimi i tij nga pozita e udhëheqësit të Shkupit e Prishtinës.6 Ka bazë të besohet se Sulltani fillimisht e kishte mbështetur Pashain e Prishtinës në këtë përballje, ngase më 7 gusht 1844 ishte dekoruar me medalje për kontributin e tij.7 Ndërkohë në regjistrimin e popullatës në Prishtinë të vitit 1844 emri i tij figuron si banor në lagjen e Xhamisë së Madhe, me të hyra vjetore të jashtëzakonshme për kohën prej 78,602 kurushësh.8 Qysh u tha, një vit më vonë, pasi kryengritja tashmë ishte shuar, Sulltani e kishte shkarkuar. Vendin ia kishte zënë shkurtimisht një Melek Beu, me gjasë nga Kumanova, e më pas një Hasan Beu, i cili për një periudhë më të gjatë ka ushtruar detyrën e kajmakamit të Prishtinës. Emrin e këtij të fundit e hasim në vazhdimësi nga 27 nëntor 1846 deri më 11 dhjetor 1850, pra nja katër vjetë të plota.9
Një ilustrim nga viti 1872 ku paraqitet një pasha në konakun e tij në Prishtinë. Mund të jetë Abdurrahman Pashë Gjinolli.
Vetë Abdurrahmani për një kohë të shkurtë, rreth një vit, është vendosur si kajmakam i Prizrenit, përsëri me seli në Prishtinë.10 Vendosja në këtë pozitë është sinjal se me gjithë shkarkimin, raportet e tij me administratën qëndrore në Stamboll kishin mbetur më tutje të mira.11 Ka indicie se kishte pasur lidhje miqësie me ish-kajmakamin e Prizrenit nga familja e Rrotajve. Abdurrahmani është emëruar me post në Bejrut më 28 maj 1848, ku ka shërbyer si komandat kryesor, mbrojtës i qytetit për disa vjet. Në fakt këtë pozitë duket se e ka ushtruar jashtë selisë së vetë në Prishtinë, edhe pse prezenca e tij në vendlindje duket të ketë qenë e vazhdueshme. Madje, për ca muaj mes korrikut dhe dhjetorit në vitin 1848 është rikthyer si kajmakam i Prishtinës në vend të Hasan Beut, por është shkarkuar sërish për mosbindje rreth disa çështjeve të taksave. Hasan Beu i është ridhënë kjo pozitë. Në qershor të vitit 1854 përfundimisht qe shkarkuar nga pozita e kryekomandantit në Bejrut. Për disa vjet pas kësaj nuk dihet shumë për fatin e tij; dihet vetëm që në vitin 1855 kish bërë kërkesë për tu kthyer në Prishtinë rreth rregullimit të ca çështjeve në lidhje me pronat e tij në këtë qytet. Më pas, befas, në vitin 1861 rishfaqet si kajmakam i Prishtinës, madje edhe kajmakam i Prizrenit njëkohësisht. Duhet të jetë nga kjo kohë një përshkrim i rëndësishëm prej dy udhëpërshkrueseve angleze, që përveç tjerash flasin edhe për pamjen, gjuhën dhe për përkatësinë e tij,
"Menjëherë pas mbërritjes sonë, mudiri12 i Prishtinës e dërgoi [dikend] për të na ofruar një vizitë dhe më pas u shfaq, jo si zakonisht në formën e një osmanliu të trashë dhe të yndyrshëm, por si një shqiptar i regjur me një mantel të gjelbër të veshur me gëzof. Ai ishte një plak me pamje të bukur, me flokë të argjendtë, me sy të zinj vezullues, një kompleksion të zbehtë, dhe me një pamje të një linje gjaku që të jep përshtypjen se nuk e ka fituar pozitën e tij duke u ngritur prej një çakmakxhiu apo kafexhiu. Në pak minuta shoqëruesi i mudirit na njoftoi se eprori i tij vinte me të vërtetë nga një racë fisnike dhe, ndërsa shfaqëm interes të theksuar mbi këtë temë, vetë mudiri mori fjalën dhe na tregoi emrin e familjes së tij,13 duke shtuar se ata ishin të gjithë gegë nga raca dhe se në vendin e tyre askush nuk fliste asnjë fjalë turqisht. Kështu të inkurajuar ne vazhduam ta pyesnim për familje të tjera të Shqipërisë së Veriut, dhe veçanërisht nëse ai ishte dakord me informatat e konsullit Hahn se shtëpitë më të mëdha ishin ato të Ismail Pashës dhe Mahmut Begollit. Ai tha se [këto familje] ishin të rëndësishme, por se pinjolli i fundit i njërës prej tyre ishte futur në shërbim të sulltanit, duke shtuar me përbuzje: “Ai është një djalë i vogël me gungë në kurriz” dhe duke imituar gungaçin."14
Është për tu vënë re shprehja se në “vendin e tyre askush nuk fliste asnjë fjalë turqisht,” që pa dyshim është dëshmi me peshë sa i përket përkatësisë etnike të familjes Gjinolli — pa marrë parasysh devotshmërinë e tyre ndaj Perandorisë Osmane. Sidoqoftë, duket se Abdurrahmani nuk e kishte mbajtur postin e mudirit të Prishtinës për shumë gjatë herën e dytë. Dy vjet më pas, më 30 korrik 1863, tashmë shfaqej si mytesafir i emëruar në një vend tjetër.15 Megjithëse, sigurisht kishte shërbyer nga Prishtina. Rreth vitit 1869 e ka ndërtuar një shkollë të mesme në Prishtinë. Ishte i martuar me një Sanije, dhe kishte djemtë Zijanë, Ibrahimi, Ali Danishin dhe Fuadin. Data e saktë e vdekjes nuk është e shënuar në mesin e dokumenteve arkivore që ndodhen në Prishtinë. Duhet të jetë diku rreth vitit 1872.16
Bibliografi
Islami, Agron (2021). “XVIII. Yüzyılda “Kosova”: Sosyo-Ekonomik Tarihi”. Stamboll: İstanbul Üniversitesi. [Disertacion doktorature]
Jaka, Ymer (1974). Një përfaqësi diplomatike e Napoleonit I në Prishtinë. Në Kosova, Prishtinë, f. 413–433.
Kaleshi, Hasan / Eren, Ismail (1972). Prizrenac Mahmudpaša Rotul, njegove zadužbine i vakufnama. Në Starine Kosova – Antikitete të Kosovës, (6–7), f. 24–60; Përkthyer në shqip te Edukata Islame, 2006 (81), f. 152–187.
Kırlı, Cengiz (2015). Tyranny illustrated: from petition to rebellion in Ottoman Vranje. Në New Perspectives on Turkey (53), f. 3–36.
Mackenzie, G. / Irby, A. (1877). Travels in the Slavonic provinces of Turkey-in-Europe. Londër: Daldy, Isbister and Co. (Botimi i pestë).
Mehmeti, Sadik (2004). “Sherh Rahati al-Kulub” e pir Muhamed Efendiut. Në Vjetari, Prishtinë, f. 497–501.
Nakiqeviq, Omer (1969). Revolti dhe marshi protestues i banorëve të Kosovës më 1822. Prishtinë: Arkivi i Kosovës.
Rexha, Iljaz (2016). Disa të dhëna arkivore për familjet mesjetare Gjinaj nga Novobërda dhe familjen fisnike të Jashar Pashë Ginollit si pasardhëse e tyre. Në Gjurmime albanologjike (46), f. 25–58.
Sheshum, Urosh (2020). Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века. Në Serbian Studies (11), f. 11–40.
━━━ (2018). The role of Jazzar Pasha in the destruction of the sacral monuments on Kosovo (an example of tradition entersing historiography). Në Зборник Матице Српске За Друштвене Науке (168) 4, f. 849–872.
-
1
Një skicë jetëshkrimi për Maliq Pashën dhe për Jashar Pashën, e kanë ndërtuar qysh më 1972 Hasan Kaleshi me Ismail Erenin (khs. 2006, 157–158, 166), por kjo edhe pse e shkurtë, përcillet me shumë pasaktësi; Të dhëna pak më të plota mund të gjejmë te Rexha (2016, 26–58); E me detaje më të freskëta dhe nga burime osmane janë me rëndësi dy artikuj nga Shoshum, njëri për Jashar Pashën (2018, 849–872) dhe tjetri për Gjinollët në përgjithësi (2020, 11–39). Të dhëna me rëndësi dokumentare për Maliq dhe Jashar Pashën, por pa ndonjë tentim për jetëshkrim, ndodhen te artikujt e botuar nga Nakiqeviq (1969) dhe Jaka (1974).
-
2
Ky supozim bazohet në faktin se dihet saktësisht kur është martuar i ati i tij Jashar Pasha (1787–1846), në tetorin e vitit 1812 (cf. Jaka 1974, 418); prej çka të paktën një vit më pas mund të paramendohet se kishte lindur djali i tij më i madh. Kjo përputhet edhe me datën 14 gusht 1841 kur është emëruar mytesarif i Shkupit dhe Prishtinës, pra diku në moshën 26 vjeçare, që është moshë relativisht e re për një udhëheqës të nivelit të tillë — por gjithsesi shumë e mundur. Më i ri se kaq vështirë të ketë qenë, prej nga edhe nuk mund të besohet ditlindjen ta ketë pasur më vonë se viti 1813.
-
3
Përgjithësisht në këtë artikull të shkurtë referimet nga Arkivi i Prishtinës u bëhen atyre kopjeve të dokumenteve që janë sjellur nga Arkivi i Stambollit, e që për momentin mbajnë numra të njëjtë me dokumentet origjinale në Stamboll. Ne do t’ju referohemi numrave ashtu si janë, duke e shtuar emërtimin ‘Arkivi i Prishtinës’ përpara.
-
4
Arkivi i Prishtinës, BOA. HAT. 326. 18986C.
-
5
Arkivi i Prishtinës, BOA. MVL. 67. 1266.
-
6
Është fjala për një dokument arkivor në Stamboll të cilit i referohet autori turk Kirli (2015, f. 30). Dokumenti nuk ka datë, por i referohet këtyre ngjarjeve dhe mund të supozohet të ketë qenë diku prej qershorit 1844.
-
7
Arkivi i Prishtinës, BOA. DH. 90. 4488.
-
8
Në këtë kohë një familje e zakonshme kishte të ardhura vjetore rreth 500 kurush, kurse njëriu më i pasur në Prishtinë i kishte rreth 9,000 kurush në vit. Shih Sarinay 2007, 378.
-
9
Për datën e emërimit khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. MVL. 82. 1628. Kurse për datën e shkarkimit khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. MVL. 235. 4.
-
10
Pozitën e re e kishte marë me një vendim të datës 21 korrik 1846, khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. A. TIF. 1.94.
-
11
Raporte të mira Abdurrahman Pasha kishte edhe me valiun e Shkupit, Mehmet Selimin, i cili më 26 shkurt 1846 ka bërë kërkesë në Stamboll për t’i gjetur ndonjë pozitë të re Abdurrahman Pashë së shkarkuar. Shih Arkivi i Prishtinës, BOA. A. MKT. 36. 62.
-
12
Megjithëse në dokumentin arkivor që kemi cituar Abdurrahman Pasha referohet si kajmakam, është shumë e mundur që përgjatë kësaj kohe pozita e drejtuesit të Prishtinës të ketë qenë ajo e një mudiri të thjeshtë, pra udhëheqës i kazasë. Data e saktë e vizitës së tyre nuk është e dhënë, por vetë teksti i vizitës në Kosovë është shkruar në gusht të vitit 1862 në Sofje. Riemërimi, AP. A.MKT.UM. 482/73, viti 1861.
-
13
Në këtë fragment nuk jepet asnjëhere emri i familjes, ani pse është e qartë se ky emër ka qenë i ditur për autorët.
-
14
Khs. Mackenzie dhe Irby 1877, 193–234. Për fragment më të zgjeruar shiko pjesën e dokumenteve te Prishtina në Histori.
-
15
Arkivi i Prishtinës, BOA. A. MKT.MHM. 271. 63. Duket se në pjesën e fundit të jetës së tij ka shërbyer si mytesarif i Serres, afër Selanikut në Greqi. Një koloni e shqiptarëve të Prishtinës atje është e dëshmuar edhe nga një mbishkrim i një libri që ndodhet në Arkivin e Kosovës (khs. Islami 2021, 171; Mehmeti 2004, 497–501).
-
16
Në vitin 1872 po figuron si ndërtues i shkollës së mesme në Prishtinë ish-mytesarifi i Sirrozit, Abdurrahman Pasha, khs. Arkivi i Prishtinës, BOA. MF. MKT. 6. 21. Është dhe e mundur që në këtë periudhë s’ka vdekur, veçse është larguar nga posti. Por bazuar në faktin shënime të mëpasme për të nuk kemi gjetur, duhet besuar tashmë veçse kishte ndërruar jetë.