Teksti për Prishtinën që po e sjellim më poshtë është botuar së pari në gjuhën gjermane në vitin 1892, me një shtesë në vitin 1893. Është ribotuar në një vëllim të vitit 1959 me shkrime të historianit çek Kostantin Jireçek (1854–1918), botuar katër dekada pas vdekjes së tij. Artikulli sjellë fragmente që janë shumë me interes për historinë e qytetit. Bazohet në dokumentet arkivore të Dubrovnikut, dhe ndriçon përveç tjerash edhe të dhëna për tregun e Prishtinës, lagjen me emrin Potoçishte (të cilën më vonë e gjejmë edhe në burimet osmane), dhe për një garë interesante sportive kalorësish, që disi (mbase) ngjason me lojën polo që njihet sot. Më poshtë do ta sjellim të plotë tekstin e Jireçekut, i cili sakaq është i mbushur me fragmente origjinale të një dialekti relativisht të vështirë italian, e të cilat i ka lënë të papërkthyera. Për ta bërë më të kuptueshëm dhe më të lehtë tekstin, aty ku e kemi parë të arsyeshme kemi bërë një përkthim provizor të këtyre fragmenteve, duke i zhvendosur tejshkrimet raguzane të Jireçekut nëpër fusnota. Gjithashtu, në disa raste tekstin e kemi plotësuar me ndonjë fusnotë shpjeguese, aty ku mund të ketë terminologji më specifike. Megjithëse redaktorët e vëllimit që e sjellin tekstin e Jireçekut nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim kur është përpiluar ky për Prishtinën, sipas formës që ka, duket gati si një draft shkrimi sesa shkrim i plotë, të cilin duket se e kanë gjetur në mesin e shënimeve të autorit. Ani pse, edhe në raste të tjera, tekstet e Jireçekut kanë qenë të përpiluara asisoj që më shumë u dedikoheshin një publiku specialistësh që njihnin shumë gjuhë, i njihnin arkivat, e që e njihnin mirë historinë. Sidoqoftë, me përkthimet dhe komentet shtesë, besojmë se ky tekst është shumë i kuptueshëm për të gjitha audiencat. (Shënim i redaktorit, Y.R.)
Lojërat e kalorësisë në Serbinë mesjetare1
Duke shfletuar librat e gjykatës së Dubrovnikut të shekullit të XV, aq të çmuara për historinë kulturore të Serbisë, Bosnjës dhe Dalmacisë, gjetëm rishtazi një dëshmi interesante për lojërat e kalorësisë në Serbinë e vjetër. Loja e përshkruar në këto shënime ka ndodhur në kohën e despotit Gjergj Brankoviq, në Prishtinë, në ditën e kërshëndellave të vitit 1435, dhe ishte një ceremoni që mbahej aty çdo vit (festum consuetum) në një fushë jashtë qytetit, të rrethuar nga një numër i vogël i tëbanëve, që njihej me emrin potoçishte. Daniçi në fjalorin e tij të serbishtes së vjetër e ka vetëm foljen poteći, potešti currere.2 Nuk bëhet fjalë për një turne, as një buhurt, apo postra (giostra) apo as edhe për lojën lindore që quhet cerid [sic], por vetëm për një lloj fshikullimi me shtizë. Në garë, me një shtizë të gjatë, kalorësit hiqnin një dorezë të vendosur në një shtyllë (“corsemo alquante volte con le lanze al guanto, lo qual iera messo”). Pjesëmarrësit vinin plotësisht të armatosur, me topuz ose buzdogan3 (macia, afërsisht si macia di ferro), thikë të gjatë turke (simitar) dhe me hark e shigjetë, në atë kohë armë krejt të zakonshme për këto vende. Ngjarja përmes së cilës janë ruajtur lajmet për këto festa i referohet vetëm tregtarëve, fisnikërisë dhe njerëzve të rëndomtë dubrovnikas, si dhe shërbëtorët e tyre, përfshirë një patrici nga Ulqini; por vetë zakoni ishte sigurisht vendas, siç dëshmohet nga fusha shumë specifike dhe emri serb për të. Në Dubrovnik, në atë kohë përmendet se fisnikët merreshin me gjuajtje skifterësh, dhe kështu që tek këta nuk përmendet ndonjë lojë e kalorësisë. Arsyeja që kjo lojë është regjistruar në librat e gjykatës ishte një përleshje e përgjakshme midis banorëve gjaknxehtë të Dubrovnikut në fushën e kalërimit, në të cilën tregtari Tasovac Radmiloviç mori një goditje të fortë në hundë. Ja çfarë është shkruar për gjithë çështjen në shënimet tona:
“Lamentationes de foris”, fletore e vitit 1436 në arkivin e k.k. të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Më 17 janar u regjistrua një padi në lidhje me luftën “die Natalis Domini, dum fueret (në vend të fieret) festum consuetum” në Prishtinë “per nobiles et mercatores”. “Radouan Chlezcharo cepit cum equo suo cursitare cum lancea restata” dhe do ta kishin gjykuar Tasovaz Radomilich po të mos e kishin penguar. (tasív), por ata të dy u mbajtën, ashtu si Luxa, nga famulus Radossaui që nxorri thikën e gjatë (traxit semitariam). Ratchus Rexa, megjithatë, e goditi Tasovacin në fytyrë me thikën e tij, duke i prerë mjekrën dhe “absidit (sic) random”, kështu që Tasovaci “iacet in periculo mortis”.
Më pas vijojnë procesverbalet e deklaratave të dëshmitarëve në italisht.
Zoti Zugno de Calich dëshmon: “non esser stato a poticesste ne caualchado ala festa di Natal”; ai qëndroi në dyqanin e tij në tregun e Prishtinën, “la botecha nela piaza del mercha(to)”. Zoti Zugno de Gondola thotë: Teksa më pas po festonim Krishtlindjet sipas zakonit të tregtarëve, shkuam në Potoçishte dhe duke qenë në Potoçishtë vrapuam disa herë me heshta në dorezë, e cila ishte vendosur dje. Pastaj disa prej nesh u larguam. Dhe duke qenë larg një shtëpie me kashtë, e cila ishte afër Potoçishtës, dhe me mua ishte Radosauo Vocmirich i quajtur Salomon, i cili Radosauo u kthye dhe filloi të bërtasë disa herë: “Nuk dorëzohem, më ka shqetësuar shumë”! “Dhe pas përleshjes mes tyre Radossauo e nxori shpatën e tij” etj. Ratcho Resa “goditi Tasouaz Radmilouichin.”4
Radman Pribilouich dëshmon: kur shkova në Potoçishte në këmbë për të parë se ku po loznin tregtarët me shtiza në doreza dhe duke parë njërën u ktheva për të shkuar në shtëpi. Kur dëgjova se po flisnin për një përlamje aty u ktheva menjëherë, ku Vokoslav Klikargo, e kishte drejtuar shigjetën në hark, dhe unë e hoqa shigjetën dhe e theva. Dhe pastaj, ndërsa Tasozi mbante shpatën në dorë qenë mbledhur edhe shumë të tjerë, [atëherë] vëllai Peço de Obrade i dha me shkopin e tij një goditje, i cili kishte vënë më parë dorezën, për dëshirën e Tasos (?), dhe në atë rast Raço Riesha erdhi me shpatë në dorën e tij dhe aty i preu hundën dhe fytyrën Tasos së përmendur.5
Zoti Marin Piero di Lucari dhe zot Stephano di Tani (nga Ulqini) japin këtë pohim: “corendo nuy sopra li caualia potiziste visemo a potiçiste alquante volte, poy alquanti di noy caualchassemo ad algune case pagliari, che erano apresso a poticiste, compeintaras compagni, che erano restati a potiçisste” dhe më pas filloi lufta me saber (simitar). Sententia ult. shkurt 1436: Radchus Resa duhet të paguajë dy herë 50 perper, sommuni nostro”, dhe nëse nuk paguan, “abscidi debeat manus dextra”; përveç kësaj, ai do të vuajë gjashtë muaj burg. Përleshësit e tjerë do të shërbejnë me kohë në burg për një muaj secili.
-
1
Ky ishte titulli origjinal i Jireçekut për këtë tekst në botimin e mëhershëm në gjermanisht. Teksti është botuar në serbisht me redaktim të Mihailo Diniqit si Kostantin Jireçek (1959). Zbornik Konstantina Jiriceka. Vëllimi I. Beograd: Naucno Delo. f. 413–414. Një version i tekstit është botuar edhe më herët në gjermanisht, shih Konstantin Jireçek (1892). Reiterspiele im mittelalterlichen Serbien. Në Archiv für slavische Philologie, (14), 73–77. Gjithashtu një shtesë, Konstantin Jireçek (1893). Nachtrag zu den Reiterspielen im mittelalterlichen Serbien. Në Archiv für slavische Philologie, (15), 457–458.
-
2
Që do të thotë vend i vrapimit [pnh].
-
3
Një lloj dajaku me kokë [pnh].
-
4
“Fazando festa di Natal proximo segondo vsanza deli mercadanti caualchassismo a potizissta, esiando a potizista ta corsemo alquante volte con le lanze al guanto, lo qual icra messo.” Dapoi partissemo alquanti di noi. E siando da largo da una casa pagliara, che ierano apresso potiçiste, e con mi jera Radossauo Vocmirich detto Salamon, loqual Radossauo se volto e cominzo a cridare piu volte: non demo, che se faze care”! “E vitti molte , e Radossauo detto aueua tratta la simitara soa” [etc]. Ratcho Resa feri Tasouaz Radmilouich”.
-
5
aveva andato a potiziste a pie per guardar, doue coreuano li merchadanti con le lanze al guanto, e guardando uno puocho me tornay per andar a caxa. Andando oldi lo remor de la briga a potiçiste e tornay de la e vite, che Vochossauo Chlichgaro, che tegniua la freza nel archo, et jo li tolsi la freza et si li la rompe. Et anchora via, che Tasouaz tegniua la simitara nela man e molti altri, e Petcho frar de Obrade dava con baston soura, che iera messo lo guanto, ali famegli di Tasouaz, et in quello venne Ratcho Riexa con la simitara in man et si li tagli lo nexo et lo vixo al detto Tasauaz.