Kërko
Prishtina, e cila në regjistrimet e para osmane të shekullit XV, figuron si nahije e varur nga sanxhaku i Vilçiterinës.1 Në regjistrimin e vitit 1530, që përkon me kohën e sundimit të Kanuni Sulltan Sulejmanit (1520–1566), regjistrohet si kaza e këtij sanxhaku (Vilçiterinës), e cila formohej nga nahija e Prishtinës, Moravës (treva e Gjilanit) dhe Llapit.2 Kjo ngritje e Prishtinës në rangun e kazasë, erdhi si rezultat i zhvillimit ekonomik të qytetit gjatë dy shekujve të parë osman, gjë që ndikoi edhe në rritjen e numrit të popullsisë.
Referuar të dhënave të para osmane, Prishtina gjatë vitit 1477, formohej nga 8 lagje jo myslimane të cilat përbëheshin nga 285 shtëpi dhe 5 shtëpi të ‘bashkësisë latine’ (katolike), me gjithsej 290 shtëpi.3 Në regjistrimin pasues të vitit 1485, në Prishtinë janë regjistruar 264 shtëpi jo myslimane dhe 10 shtëpi të bashkësisë myslimane, gjithsej 274 shtëpi. Gjatë vitit 1525–1526 kishte 121 shtëpi myslimane dhe 262 shtëpi jo myslimane, gjithsej 383 shtëpi.4 Në vitet 1569–1570, kishte 307 shtëpi myslimane dhe 251 të krishtera, me gjithsej 558 shtëpi.5 Të dhënat e shekullit XVII dhe XVIII janë pasqyruar në udhëpërshkrime të vizitorëve të ndryshëm, siç është rasti me Evlija Çelebiun, i cili erdhi në Prishtinë gjatë vitit 1660. Sipas tij, qyteti i Prishtinës përbëhej nga 2,060 shtëpi një dhe dy katëshe të ndërtuara me gurë.6 Megjithëse qyteti ishte shkretuar gjatë pushtimit nga ana e ushtrisë së Ligës së Shenjtë (1689–1690), ashtu sikurse edhe gjatë sulmeve pasuese të ushtrive austriake gjatë viteve 1737–1739. Konsulli francez në Selanik, Felix Veaujour, shkruan se, Prishtina gjatë fundshekullit XVIII, ishte një qendër e rëndësishme e administratës osmane dhe përbëhej nga 7–8,000 shtëpi.7 Në regjistrimin e parë modern të popullsisë së Prishtinës të vitit 1831, në 12 lagjet e qytetit janë regjistruar 1,828 shtëpi. Respektivisht, lagja e Xhamisë së Madhe kishte 146, Pirnazëri 83, Alaaddini 248, Mehmed beji 75, Hasan Emini 154, Jusuf Çelebiu 148, Xhamia e Vogël 67, Jarar Çeribashi 121, Junus Efendiu 255, Hasan Beji 129, Ramadanije 224 dhe Hatunije 178 shtëpi.8 Ndërsa, sipas regjistrimit të pasurive të gjysmës së parë të shekullit XIX, Prishtina kishte 779 shtëpi myslimane, 239 të krishtera dhe 122 shtëpi nga bashkësia rome-ashkali të njohur si kopt, 22 prej tyre i takonin besimit mysliman dhe 59, atij të krishterë. Po ashtu janë regjistruar edhe 6 shtëpi të komuniteti hebre (jehud).9
Nëse marrim si të mirëqenë argumentin se, një familje e kohës osmane përbëhej (mesatarisht) nga 5 anëtarë, atëherë numri i përafërt i banorëve të Prishtinës gjatë katër shekujve osman ishte si në vijim:
Tabela 2.1. Popullsia e Prishtinës (1477–1874)
Numri i përafërt i banorëve
|||||||||| 1477 — 1,450
||||||||| 1485 — 1,370
||||||||||||||| 1525/1526 — 1,915
|||||||||||||||||||| 1569 — 2,790
|||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||| 1660 — 10,000
||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||| 1874 — 13,435
Mëhallët e Prishtinës gjatë shek. XV–XX
Njësia më e vogël administrative në qytetin osman ishte mëhalla. Si rezultat i kësaj edhe informacioni mbi prezencën e mëhallëve në Prishtinë, pasqyrohet qysh në regjistrimet e para osmane. Sipas këtyre të dhënave, Prishtina në vitin 1477, formohej nga 9 mëhallë të banuara me banorë të besimit të krishterë. Të njëjtat lagje janë shpërfaqur edhe në dy regjistrimet pasuese të viteve 1487 dhe 1519. Ndërsa, në regjistrimin e vitit 1526 shpërfaqen lagjet e para myslimane, të cilat në vazhdimësi shkojnë duke u rritur dhe kjo vinte si rezultat i shtimit të numrit të banorëve lokal të cilët për fe e përzgjodhën islamin. Kështu nga 3 mëhallë, sa ishin në regjistrimin e vitit 1526, në regjistrimin e vitit 1544 ishte mbi dyfishuar në 7 dhe në vitin 1569 kishte shkuar në 11 mëhallë myslimane.
Lagjet e Prishtinës në defterin osman të vitit 1477.
Mëhallët e krishtera gjatë vitit 1477 dhe 1569
1477 | 1569 | ||
---|---|---|---|
Metropolit | 34 | Mitropolit | 8 |
Kuçanoku | 50 | Kuçaniko | 63 |
Pojasar | 45 | Pojasar | 33 |
Potoçishte | 34 | Potoçishte | 29 |
Ishtitar | 27 | Ishtitar | 34 |
Virlaçka | 24 | Virlaçka | 39 |
Kusrik | 20 | Kursik | 12 |
Llukar | 27 | Llukar | 27 |
Bashkësia latine | 5 | Bashkësia latine | 6 |
Gjithsej | 266 | Gjithsej | 251 |
Mëhallët myslimane gjatë vitit 1526, 1569, 1831 dhe 1844 dhe numri i familjeve:10
Emri i lagjes | 1526 | 1569 | 1831 | 1844 |
---|---|---|---|---|
Sulltan Mehmet Han Gazi (Veteran) | 43 (x) | 44 (x) | 146 | 67 |
Çarshisë | 40 (m) | 12 (m) | 67 | 27 |
Sinan Bej Mirallaj | 27 (m) | 24 (m) | 121 | 38 |
Hasan Bej | / | 30 (m) | 129 | 54 |
Emin Alaaddini | / | 38 m) | 248 | 109 |
Junus Kadiu | / | 34 (x) | 255 | 118 |
Jusuf Çelebiu | / | 38 (m) | 148 | 70 |
Hasan Emini | / | 16 (m) | 154 | 61 |
Hatunije | / | 12 (m) | 178 | 79 |
Ramadan Çaushi | / | 20 (m) | 224 | 92 |
Mehmed Bej | / | 29 (m) | 75 | 29 |
Pirnazëri | / | / | 83 | 35 |
x - xhami, m - mesxhid. Në vitin 1831 e tutje të gjitha figurojnë si xhami.
Lagjja Pirnazëri në vitin 1831 i ka 83 familje, kurse në vitin 1844 i kishte 35 familje. Në regjistrimet paraprake kjo lagje nuk figuron.
BOA. TT. d. 09, fleta 1.
167 Numarali Muhâsebe-i Vilâyet-i Rum ili Defteri (937/1530) Vılçıtırın, Prizren, Alaca-Hisâr ve Hersek Livâları, , Ankara: Başbakanlık Devlet Arşivleri Genel Müdürlüğü Yayınları, 2004, fq. 1.
BOA. TD. MAD.16, fleta 36.
BOA. TD.133, fleta 160–163.
KKA. TD. (Kuyûd-ı Kadime Arşivi Tahrir Defterleri) 124, fleta 160-167.
Z.O. Mehmed, Evliya Çelebi Seyahatnamesi, Istanbul:1969, 94-97.
Machiel Kiel, Prishtina, DIA, cilt. 34. Ankara: 2007, fq. 346-348.
BOA. NFS. d. 5730, fleta 1.
Arzu Terzi, “Priştina Şehri’nde Meslekler”, Balkanlar’da İslâm Medeniyeti: II. Milletlerarası Sempozyum Tebliğleri, Tiran, Arnavutluk, 4-7 Aralık 2003, fq. 281-282.
Arzu Terzi, ibid, fq.287
Lexo artikullin e radhës
Aspekte të Urbanistikës dhe Arkitekturës së qytetit të Prishtinës gjatë shekujve XVI–XIX× Thirrje: Prishtina në histori është në versionin fillestar testues alfa. Keni gjetur diçka në këtë qerthull që s’ju duket se po funksionon si duhet? Na shkruani [email protected]