Në një fletore të Manastirit të Shën Markut në Korishtë afër Prizrenit, në shënimet e një igumeni aty janë regjistruar edhe fjalët e Maliq Pashës në një beteje kundër serbëve që është zhvilluar në Kamenicë (pranë Nishit) më 31 maj 1809. Fjalët janë regjistruar shqip me alfabet cirilik dhe të transliteruara me alfabet të sotëm e të stabilizuara dalin kështu: “Bini bre, mos [m]barohni për një lugë gjak!”1 Është ky një rast i rrallë kur gjuhën shqipe e gjejmë të regjistuar në Kosovë, dhe atë nga goja e njërit prej udhëheqësve kryesor të kësaj periudhe.
Shkrimet në gjuhën shqipe në Kosovë, para shekullit XX, janë të pakta. Më së hershmi i gjejmë ca fjalë të mbledhura nga Pjetër Mazreku, i cili prej Prizrenit i shkruan Propagana Fides në Romë për shqiptarët.2 Diku rreth vitit 1650, Ndre Bogdani, pas gjasash në Janjevë, e ka përpiluar një gramatikë të gjuhës shqipe, dorëshkrimin e së cilës e ka humbur i nipi i tij Pjetri, derisa po strehohej nëpër male gjatë Luftës së Madhe Turke (1683–1699).3 Vetë Pjetër Bogdani diku në vitin 1675 e ka shkruar veprën e tij të madhe Çeta e Profetëve po në Kosovë, dhe ajo është botuar disa herë, së pari në Padovë më 1685, pastaj (pas vdekjet së Pjetrit) në Venedik më 1695 dhe 1702.4 Në shekullin vijues shqipja në Kosovë fillon të shkruhet edhe me germa arabe, një Sylejman Shehu nga Rahoveci (1731–1771) e shkruan një poezi shqip, në Rahovec ose Prizren.5 Pastaj në vitin 1743, Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova e boton kateqizmin e tij shqip në Romë. Rreth vitit 1780 Mulla Dervish Peja gjithashtu i shkruan disa vargje shqip me alfabet arab, këtë herë në Pejë.6 Ndërkohë rreth vitit 1800 një Mulla Beqiri poashtu shkruan shqip në Drenicë.
Fjalia shqip e Maliq Pashë Gjinollit nga Prishtina është atestimi më i hershëm i gjuhës shqipe që është folur në Prishtinë, anipse nuk është shkruar nga dora e vetë këtij pashai. Prej pinjollit prishtinas janë ruajtur disa letra të tjera, të gjitha të shkruara në otomanisht, e që disa prej tyre ruhen në formë kopjesh sot edhe në Arkivin e Prishtinës.
-
1
Në regjistrimin që jepet është e qartë që shkruejtësi, Aksentije Igumanov (1780–1825) iguman i manastirit të Shën Markut në Korishë afër Prizrenit, nuk kishte ndonjë përvojë me shkrimin e gjuhës shqipe. Ai e shkruan kështu: ‘бини бре, мосе барохни, прњи љуђ ђак,’ që në alfabet të sotëm të shqipes mund të tejshkruhet kështu, ‘bini bre, mose barohni, prnji ljugj gjak.’
-
2
Injac Zamputi (2018). Relacione dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610–1650). St. Gallen-Prishtinë: Albanisches Institut Faik Konica. doc. 37.
-
3
Pjetër Bogdani (1685). Cvnevs Prophetarvm De Christo Salvatore Mvndi, Et Eivs Evangelica Veritate. Vëll. 1. Padovë: Tipografia del Seminario. Parafjala: Te primite perpara letterarit.
-
4
Yll Rugova (2022). Tipografia shqiptare 1555–1912. Prishtinë-Tiranë: Varg dhe Berk. f. 103–109.
-
5
Nehat Krasniqi (2003). Gjurmë të zanafillës së letërsisë shqipe alhamiado. Në Edukata Islame (71), 83–84.
-
6
Irakli Kostallari (1990). Baza popullore e gjuhës letrare dhe i ashtuquajturi purizëm. Studime Filologjike (3), f. 9–10.
-
7
asd