Duhet të ketë lindur në Prishtinë rreth vitit 1760, megjithëse të dhëna të sakta për lindjen e tij nuk janë gjendur ende.1 Në shënimet arkivore së pari shfaqet në vitin 1785, krahas vëllaut të tij Ibrahim Pashë Gjinollit dhe vëllezërve tjerë Mustafës, Rashidit dhe Jahjasë.2 Në një zinxhir letrash në verën e këtij viti (qershor–korrik), Maliqi dhe vëllezërit akuzohen për plaçkitje dhe persekutime në zonën e Gorës, Dukagjinit, Vushtrrisë, Prishtinës. Vëllezërit, si duket nën drejtimin e vëllaut të madh Ibrahimit, janë në krye të një bande më të madhe rebelësh nga Llapi e Gollaku. Në njërën prej letrave thuhet se babai i tyre ishte njëfarë Hysrevi, komandat i Gorës, vend prej nga edhe vinte familja.3 Jashar Pashë Gjinolli, i nipi i Maliqit, në vakëfnamenë e tij të shkruar më 1836 thotë se gjyshi i tij quhej Hysrev Gjinolli, çka konfirmon më tutje shënimet e dokumentit të mësipërm.
Sulmet nga kaçakët dhe banditët shqiptarë në rrethin e Prishtinës përmendet edhe në vitin 1788, e 1789, por në këto letra s’flitet për emra. Emri i Ibrahim Gjinollit për herë të fundit përmendet në gushtin e 1785. Disa vjet më vonë, si përnjëherë, më 1789 së pari herë e ndeshim me titullin pashë edhe Maliq Gjinolli, mbase menjëherë pas vdekjes së vëllaut të tij Ibrahim Pashës. Duke e mbajtur këtë titull, ka udhëhequr me sanxhakun e Prishtinës, që kishte nën administrim edhe Artanën e Vushtrinë, dhe kohë pas kohe ka qenë udhëheqës edhe i sanxhakut të Shkupit, por gjithnjë duke e mbajtur selinë në qytetin e Prishtinës.
Në vitin 1809 ishte pjesmarrës në betejat osmane kundër kryengritjes së serbëve. Për rolin e tij në këto beteja, jo rrallë është bërë personazh këngësh, apo kronikash serbe të kohës. Ndërkohë, në vitin 1812, Antoine Vas, nënkonzulli francez në Prishtinë, në kohën e shkurtë të mandatit të tij në këtë qytet, e sjellë edhe këtë përshtypje të parë pas takimit me pashain prishtinas,
“Pasha pritej të vinte në Prishtinë më 27 gusht. Duke llogaritur se do ta gjeja në një humor krejtësisht të mirë ndaj meje, pranova me kënaqësi që dhe në shoqëri me të tjerët të hipi në kalë për ta takuar. Këtë ma sugjeroi kapexhi-basha Kurshid Beu, kushëri i Jashar Pashës dhe Maliq Pashës. Kompania e kuajve kishte për detyrë të hipte përpara Maliq Pashës dhe të shikonte garën që organizohej për nder të martesës së Jashar Pashës. U nisëm në orën 5:30 të mëngjesit dhe në orën 7 takuam grupin që po e shoqëronte Maliq Pashën. Ne zbritëm; Ndjekësit e Maliq Pashës u ndalën. Më prezantuan me të zotin dhe unë fillova ta përshëndetja, por ai nuk priti as të mbaroja fjalinë, por filloi të thoshte: Mirë, mirë, por më vjen shumë keq që nuk munda të të gjej një banesë. Letra juaj më mbërriti kur isha në nisje të një udhëtimi. Nuk munda ta shtyja nisjen, por urdhërova Jashar Pashën të të strehojë në konakun tonë dhe të kujdesej për të gjitha nevojat tuaja miqësore. Përndryshe, shoh që paskeni mbërritur dhe mirësevini. Do të kujdesem që ju të gjeni një shtëpi dhe pasi do të qëndroni gjatë këtu, do të shihemi shpesh, dhe çdo ditë me kënaqësi!”
Ka udhëhequr me sanxhakun e Prishtinës, që kishte nën administrim edhe Artanën e Vushtrinë, dhe kohë pas kohe ka qenë udhëheqës edhe i sanxhakut të Shkupit, por gjithnjë duke e mbajtur selinë në qytetin e Prishtinës.4 Janë të njohura protestat kundër tij në Prishtinë e rrethinë nga viti 1821 dhe 1822.5 Sahatkulla e vjetër e qytetit, që dikur ka qëndruar afër Xhamisë së Çarshisë, sipas një rrëfimi të banorëve nga fundi i shekullit XIX, përmendet si e financuar prej Maliq Pashës në fillim të atij shekulli.6 Ka vdekur më 19 dhjetor 1823 në rrethana të panjohura.7
-
1
Duke qenë se qysh në vitin 1789 mban titullin e pashës, duhet të ketë pasur njëfarë moshe. Si luftëtar figuron në shënimet arkivore edhe më parë në vitin 1785, prandaj datëlindjen e Maliqit duhet kërkuar diku mes vitit 1760–1765. Për jetën e Maliq Pashës shih edhe, Iljaz Rexha (2016). Disa të dhëna arkivore për familjet mesjetare Gjinaj nga Novobërda dhe familjen fisnike të Jashar Pashë Gjinollit si pasardhëse e tyre. Në Gjurmime Albanologjike (46), f. 25–58; Gjithashtu Урош Шешум (2020). Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века. Në Serbian Studies, XI, f. 11–41.
-
2
Arkivi i Prishtinës, kopje të dokumenteve osmane (në vijim AP), BOA. AE. SABH. I. 258/17357, 18 gusht 1785. Nuk ka dyshim se njëri vëlla, i ati i Jashar Pashës, e kishte emrin Bahtijar, por ai nuk figuron në këtë pjesë të letrave.
-
3
AP. BOA. C. DH. 330/16471, 10 qershor 1789.
-
4
AP, AE.SABH.I. / 258 / 17357, 18 gusht 1785, këtu përmendet emri i babait dhe vendi i origjinës; Një letër tjetër që flet për trazirat e shkaktuara nga Ibrahimi me vëllezërit, AP. AE.SABH.I./ 263 / 17749, 13 qershor 1785.
-
5
Dokumentet kryesore osmane mbi këtë ngjarje janë botuar nga Arkivi i Kosovës në vitin 1969, shih Omer Nakiqeviq (1969). Revolti dhe marshi protestues i banorëvet të Kosovës më 1822. Prishtinë: Arkivi i Kosovës.
-
6
“Një prishtinas më ka thënë se sahatkulla e Prishtinës është ndërtuar nga Maliq Pasha, i ati i Jashar Pashës,” shih В. Карић (1894). Кроз гробље, опажња и белешке приликом путовања кроз српску земљу под турском 1892. године. Në Дело, лист за науку, књижевност и друштвени живот (3), 50.
-
7
AP. BOA. HAT 708/33928 C, 19 dhjetor 1823. Në këtë letër të dërguar nga Jashar Pasha njoftohet për vdekjen e Maliqit, dhe njëkohësisht bëhet kërkesë për zëvendësimin e tij nga i nipi, vetë Jashari. Ish-konzulli serb në Prishtinë, Todor Stankoviq (shih dokumentet) në disa kujtime të tij të mëvonshme tregonte se në shtëpinë e familjes Gjinolli ende mbahej këmisha e përgjakur e Maliqit nga koha kur ishte vrarë. Rrethanat e kësaj vdekjeje edhe më tutje nuk janë të njohura.