Disa historianë e ushtrojnë zanatin e tyre duke lënë mënjanë fokusin te pushtetarët, politikbërësit, e burrat e fuqishëm.1 Dhe për arsye të mirë: këta të fundit megjithëse përbëjnë një përqindje të vogël të popullatës, gllabërojnë copat kryesore të historisë që njohim. Duke lënë në errësirë kategoritë kryesore të jetës shoqërore si zanatlijtë, ushtarët, skllevërit, fshatarët, qytetarët e thjeshtë, artistët e veprimtarët më pak të suksesshëm etj. Në këtë mes perfierik të historiografisë, gjithsesi hyjnë dhe gratë.2 Në këtë vijë po botojmë këtu disa fragmente që na njoftojnë një grimë me pozitën e grave në Prishtinë në shekullin XVIII dhe XIX, kur qyteti ishte nën administrim osman. Historia e qytetit të Prishtinës edhe vetë, përgjithësisht, mund të përfshihet në mesin e narrativave të neglizhuara; ku ajo e grave përbën margjinalen e margjinales. Prandaj dromcat që po sjellim më poshtë janë vetëm një hap drejt hapjes së shtigjeve të reja në këtë drejtim.
Me interes janë disa momente nga shekulli XVIII dhe XIX. Njëri vjen prej një artikulli të Agron Islamit botuar në revistën Kosova më 2020:3
“Për studiuesin shqiptar tani më është e njohur e vërteta mbi saktësinë e regjistrimeve osmane të ekonomive familjare, rezultatet e të cilave ruheshin në fondin e defterëve të Tahririt,4 dhe krahas kësaj ajo aplikonte edhe regjistrimin e ngjarjeve ditore, të cilat në fillim ruheshin në defterët Myhimme, dhe më vonë, përkatësisht nga fillimi i shek. XVII, varësisht prej tematikave krijohen fonde të reja.5 Si rezultat i laramanisë së tematikave, sot në arkivin osman kemi fonde të ndryshme të cilat përmbajnë të dhëna me interes për historinë sociale, ekonomike dhe politike të nënshtetasve osman. Një fond me rëndësi për këto tematika, e përbëjnë edhe ankesat dhe kërkesat e qytetarëve/nënshtetasve osman të territorit të Kosovës. [...]
Një ankesë [...], e cila nxjerrë në pah dimensionin gjinor, së cilës i ishte kthyer përgjigja në vitin 1764, ishte ushtruar nga ana e Asijes nga Prishtina. Ajo, ankohej në emër të vajzës së saj, Bunit. Kjo e fundit, në vitin 1756 ishte martuar me Mahmudin nga Prizreni. Pas një kohe të shkurtër për shkak të kushteve të vështira ekonomike, bashkëshorti, Bunin e ktheu në shtëpinë e babait të saj në Prishtinë dhe në prani të dëshmitarëve kishte thënë: “Në rast se nuk kthehem brenda 20 ditëve, le të kuptohet se Buni më nuk është nën kurorën time”. Pasi që Mahmudi nuk ishte kthyer më tek gruaja e tij, e ëma e Bunit, pas tre viteve, përkatësisht në vitin 1759, nga gjykata e Prishtinës kishte siguruar një konfirmim, që ish-burri i Bunit (Mahmudi) nuk kishte më asnjë të drejtë bashkëshortore ndaj të bijës dhe se nuk kishte asnjë pengesë për ta fejuar atë me Ebu Bekir Aganë nga Prishtina. Ky i fundit, gjatë lidhjes së kurorës kishte premtuar 350 kurush dhuratë martese (mehir), ari dhe rroba të ndryshme nusërie. Mirëpo, edhe Ebu Bekir Agaja ishte ndarë nga Buni dhe nuk i kishte përmbushur premtimet e dhëna në fejesë. Asija, ankesën e saj e kishte bërë në shkallën më të lartë të drejtësisë në Stamboll, me ç’rast kërkonte që të vihej drejtësia në të drejtën e bijës së saj, për përfitimin e dhuratës martesore (mehr-i mueccel), rrobave të nusërisë dhe të drejtën e pagesës në rastet e ndarjes (iddet nafakasi). Në përgjigje të ankesës së Asijes thuhej se, “... i akuzuari (Ebu Bekir Agaja A.I.), nuk i është përgjigjur ftesës së gjyqit të Prishtinës dhe për këtë çështje janë dhënë dy fetfa, përmes së cilës urdhërohet kadiu i Prishtinës ta gjente Ebu Bekirin dhe ky i fundit t’ia kompenson të drejtat (e lartcekura A.I.) ish-gruas së tij, Bunit”.7 Në këtë rast, marrja si referencë e mendimit të dijetarit islam, respektivisht fetfasë, shpërfaqë edhe peshën dhe respektimin e ligjeve të sheriatit në çështjet e drejtësisë në raport me të drejtën e gruas në një shtet islam, siç ishte Perandoria Osmane.
Një rast tjetër pasqyrohet shumë mirë në letrën që po e sjellim në vijim, e cila gjithashtu është përkthyer dhe gjetur nga Agron Islami. Në këtë rast të dytë, i cili kronologjikisht vjen nja 10 vjet përpara të parit, mund të shihet se jo vetëm çështja e martesës ishte me rëndësi për gratë e kohës, por edhe çështja e trashëgimisë së pronës. Fatkeqësisht, vendimi përfundimtar i gjykatës duket se ishte në dëm të dy motrave, duke bërë që ato ta humbasin një mulli afër Prishtinës. Letra e plotë:
“Vendim drejtuar Valiut të Rumelisë dhe kadinjve të Vilçiterines: Dizdari i kalasë (së Vushtrrisë), Aliu, ka thënë se, stërgjyshi i tij, në fshatin Obranç e Poshtme, i cili varet nga nahija e Llapit, i ka pasur dy mullinj, kufijtë e të cilëve janë të njohur. Mirëpo, si rezultat i pushtimit të të pafeve (ushtrive austriake), ata janë shkatërruar dhe askush nuk është marë me rimëkëmbjen e tyre. Për 40 vjet me radhë kanë mbetur në atë gjendje dhe thuajse patën humbur edhe gjurmët e tyre. Njëherësh, edhe është refuzuar [nga organet lokale] që të jepet leja e punës. Më pas, referuar të drejtës ligjore, është lëshuar leja dhe për 9 vjet me radhë janë aktiv. Derisa, [një dite] kanë ardhur zonjat, Hatixheja nga Prishtina dhe Kaja nga Yrgypi, duke pretenduar se, “stërgjyshi juaj, mullinjtë ia ka pas shitur stërgjyshit tonë, qysh para 38 viteve. Kështu, e drejta ligjore e shfrytëzimit të mullinjve na takon neve” dhe në emër të ligjit, po ashtu me qëllim për të më penguar, çështjen e kanë çuar deri te valiu. Por që, pas dëgjimit të tyre, organi gjyqësor i valiut i ka hedhur poshtë pretendimet e tyre, duke lëshuar edhe një vendim (bujuruldu). Megjithatë të përmendurat, nuk janë tërhequr nga kërkesat e tyre, duke lypur interpretim nga organi i shejhul-islamit ne Stamboll. Me këtë rast është lëshuar edhe një fetfa nga shejhul-islami, ku konstatohet se, kërkesa e të përmendurave nuk ka mbështetje. Ky vendim i shkruar i divanit duhet të aplikohet, pa bërë asnjë ndryshim. Mars 1736. (Shih Dokumentet)8
Në shekullin tjetër, XIX, hasim një kontrast mes dy vizitoreve gra nga Britania e Madhe, dhe banorëve të Prishtinës sa i përket rolit të grave në shoqëri. Kjo vërehet më së miri nga ky fragment që vjen nga libri i botuar më 1863 i dy vizitoreve Georgina Muir Mackenzie, Adelina Paulina Irby pas vizitës edhe në Prishtinë. Duhet vënë re se udhëpërshkrueset kishin gjithsesi paragjykimet e tyre ndaj shqiptarëve, qysh duket qartë edhe nga ky tekst:
“Shkolla e Prishtinës përmban një dhomë të dytë të madhe, e cila do të ishte e përshtatshme për një klasë të vajzave; por si zakonisht mungonte një mësuese kurse dhe zakonet e kësaj pjese të vendit kundërshtonin që djemtë dhe vajzat të mësojnë bashkë. Ekzistonte edhe një pengesë tjetër. Madje edhe djemtë në rrugët e këtejshme ngacmoheshin nga trazovaçët shqiptarë (arnaout), — paramendoni si do të ishte fati i vajzave? Ky argument u veçua nga koxhabashi dhe me pas drejtori i shkolles iu përgjigj: - “A e di çfarë më kanë thënë mua? Mudiri i ri e ka njoftuar mexhlisin [kuvendin e komunës] se ishte kënaqësi e Sulltanit që fëmijët e nënshtetësve të tij të shkonin në shkolla, pa përjashtuar edhe fëmijët e shqiptarëve (arnaouts). Tani nëse të rinjtë shqiptarë do të mbylleshin në detyrat e tyre [në shkolla], tanët mund të ecnin në rrugë pa shqetësim.” Na hodhi një sy koxhabashi, si për të parë sa shumë e besuam këtë dhe më pas tha shkurt: “Kur arnaoutët të heshtin dhe të shkojnë në shkollë si të tjerët, sigurisht që do të jetë një gjë e shkëlqyer.”
Koxhabashi i përmendur nuk ishte veçanërisht liberal në lidhje me arsimimin e femrave. Ai na potencoi se në komunitetin e tyre shumë nga djemtë ishin ende të pamësuar dhe nuk do të ishte mirë që gratë të dinin të lexonin dhe të shkruanin para burrave. Pas kësaj, ne i treguam disa libra të lidhur bukur dhe i thamë se për nga përmbajtja ishin histori dhe regjistrime të udhëtimeve të shkruara nga gratë. Ai i shqyrtoi nga afër veprat dhe i kërkoi mësuesit të shkollës, i cili dinte shkronja latine, të deshifronte titullin, duke shtuar: “A je plotësisht i sigurt se nuk është as letër, as këngë?” “Shumë e sigurt,” u përgjigjëm ne; dhe drejtori i shkollës konfirmoi deklaratën tonë. Atëherë koxhabashi tha: “Nëse gratë do të shkruajnë libra të tillë, ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjnë këto tonat.”
Pasi u largua [koxhabashi], drejtori i shkollës na tha se banorët e Prishtinës kanë përgjithësisht dhuntinë e improvizimit të poezisë, dhe se këngëve kombëtare që në vazhdimësi i recitojnë, u shtojnë të tjera të kompozuara për ngjarje të ndryshme të jetës së tyre. Sigurisht që kjo dhuratë kthehet dhe në afri mes gjinive, dhe për këtë arsye ekziston një nocion që nëse gratë mund të shkruanin, ato do të ishin përgjithmonë duke shkruar letra dashurie. Ide të tilla mbizotërojnë natyrshëm në një vend që prej kohësh i është nënshtruar ndikimit muhamedan, por këngët e vjetra na tregojnë për zonjat serbe që ‘shkruanin si burra’.” (Shih Dokumentet)
Në Prishtinë, qysh është thënë edhe tjetërkund, për shkolla fetare dihet të paktën që prej vitit 1575, ku mësohej në gjuhë të ndryshme si arabisht e persisht. Këto shkolla që kanë vepruar pa ndërprerë deri në fillim të shekullit XX, ishin vetëm për djem. Për vajzat e qytetit për herë të parë një shkollë është hapur në vitin 1887.9 Por një shkollë për vajzat serbe si duket ishte hapur më herët.10
Në vend të përfundimit: një fillim
Tre fragmentet që paraqitëm më sipër, janë vetëm një shembull i vogël i historisë së grave në Prishtinë. Është për tu vënë re se në fund të shekullit XIV Prishtina praktikisht udhëhiqej nga një grua. Ajo ishte Mara, e familjes së sunduesëve serb Brankoviq, e që në vazhdimësi shfaqet si nënshkruese e dokumenteve të kohës në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me zotërimet në Prishtinë dhe rrethinë.11 Ose, në shekullin XVI në Prishtinë shfaqet faltorja e Hatunijës, emër gruaje (sot xhami pranë tregut të qytetit).12 Disa shekuj më vonë, në vitet 60 të shekullit XIX, e gjejmë në Prishtinë një uzinë për prodhimin e sapunit (me emrin Misk), të gjithë punëtorët aty ishin gra.13 Historia e kësaj uzine është shumë pak e studiuar deri tash. Historia e hershme e Prishtinës, ajo e para vitit 1912, ndodhet e patreguar nëpër sirtarë, në dosjet e shumta të gjykatave, letërkëmbimeve, vakëfeve të kohës që fatmirësisht janë ruajtur deri më sot nëpër arkiva (kryesisht në Stamboll). Materiale të tjera që mund të vijnë nga arkiva në Venedik, Romë e Vjenë gjithashtu janë me interes, por në vëllim dhe detaje kryesisht janë minore në krahasim me kryesoret që janë osmane. Studimi i këtyre dokumenteve për të na sjellë një perspektive të decentruar të historisë, është e një rëndësie thelbësore.
-
1
Një falënderim i veçantë për prof. Eli Krasniqi për komentet dhe sygjerimet gjatë shkrimit të këtij artikulli. ‘Historia shoqërore’ e shkollës Annales, ‘decentringu’ i Nathalie Zemon Davis apo ‘mikrohistoria’ e shkollës italiane janë disa prej perspektivave që ndriçojnë jetën shoqërore përgjatë të kaluarës, por duke lënë mënjanë fokusin te pushtetarët, politikbërësit, e burrat e fuqishëm. Mbi të tri këto perspektiva dhe ndërlidhjen e tyre shih Nathalie Zamon Davis (2011). Decentring history: Local stories and cultural crossings in a global world. Në History and Theory (50), 188–202. Për mikrohistorinë shih edhe Carlo Ginzburg / John Tedeschi / Anne C. Tedeschi (1993). Microhistory: Two or Three Things That I Know about It. Në Critical Inquiry, (20) 1, 10–35.
-
2
Fokusin te gratë në historiografinë shqiptare, megjithëse jo shpesh, e hasim në disa artikuj, ku do të veçojmë vetëm disa të viteve të fundit: Lucia Nadin (2008). Shqiptarët në Venedik: Mërgim e integrim 1479–1552. Tiranë: 55; Teuta Shala-Peli (2015). Të dhëna për rolin dhe pozitën e gruas në Drisht dhe Shkodër gjatë mesjetës. Në Kosova (40, 36–47; Teuta Shala-Peli (2019). Prika dhe dhuratat në familjet arbërore me rastin e martesës: Gjysma e dytë e shek. XIV- shek. XV. Në Kosova (44), 9–20; Georgios Giakoumis (2019). The social, cultural and pedagogical activities of the Moschopolitan guild of tailors (1714-1749). Në Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i Iluminizmit në Ballkan, Ashak, 294–304 (në këtë artikull është me interes faqja 300); Artikuj për gratë në pozita udhëheqëse ka më shumë, shih për shembull: Edi Shukriu (2000). Gra të shquara shqiptare. Prishtinë: Forumi i gruas LDK; Ose artikujt si, Alban Dobruna (2023). Ganimete Tërbeshi simbol i gruas antifashiste nacionalçlirimtare në Kosovë. Në Kosova (48), 115–121. Ndërkohë që gratë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore është më shumë e trajtuar. Shih: Eli Krasniqi (2021) Same Goal, Different Paths, Different Class: Women’s Feminist Political Engagements in Kosovo from the Mid-1970s until the Mid-1990s. Në Comparative Southeast European Studies (69), 2–3, 313–334; Antonia Young dhe Jenna Rice (2012). De-centring Albanian Patriarchy? Sworn Virgins and the Re-negotiation: of Gender Norms in the Post-Communist Era. Në A. Hemming, G. Kera, E. Pandelejmoni (red.) Albania: Family, Society and Culture in the 20th Century, Lit, 163–174.
-
3
Teksti i plotë e sjellë edhe një rast interesant të një gruaje në Prizren në shek. XVIII. Për më shumë shih Agron Islami (2020). Aspekte të jetës socio-ekonomike dhe politike në Kosovë gjatë shekullit XVIII sipas ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. Në Kosova (45), 51–66. Fusnotat në vijim janë origjinale të autorit.
-
4
Halil Inalcik, Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, (Ankara: 1987); Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI (studime dhe dokumente), (Tiranë: 1983); Ferid Duka, Shekujt Osmanë në Hapësirën Shqiptare (studime dhe dokumente), ( Tiranë; 2016), Iljaz Rexha, Venbanimet dhe Popullsia Albane e Kosovës (sipas Defterëve Osmane të shekullit XV), (Prishtinë: 2016).
-
5
Halil Inalcık, “Şikayet Hakkı: Arz-i Hâl ve Arz-i Mahzarlar”, Osmanlı’da Devlet, Hukuk ve Adalet, (İstanbul: 2000), 48-51.
-
6
Başbakanlık Osmanlı Arşivi (BOA) A.DVNSAHKR. d. 112/1009, Prill 1743.
-
7
BOA.A.DVNSAHKR.d. 12/59, tetor 1764.
-
8
Dokumenti është gjetur në arkivat osmane nga Agron Islami, i cili edhe e ka përkthyer.
-
9
Agron Islami (2024). Zhvillimi edukativo arsimor. Në Prishtina në histori.
-
10
Shih Jashar Rexhepagiqi (1970). Zhvillimi i arësimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në teritorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918. Prishtinë: Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore. f. 115.
-
11
Shih Mara dhe Gjergj Brankoviqi (1411) Letër… te Dokumentet.
-
12
Agron Islami (2024). Xhamitë e Prishtinës. Në Prishtina në histori.
-
13
E. L. Lyon (1872) Notes on Albania te Dokumentet.
-
14
A special thanks to prof. Eli Krasniqi for comments and suggestions during the writing of this article. The "social history" of the Annales school, the "decentring" of Nathalie Zemon Davis or the "microhistory" of the Italian school are some of the perspectives that illuminate social life throughout the past, but leaving aside the focus on rulers, politicians, and powerful men. On these three perspectives and their interconnection see Nathalie Zamon Davis (2011). Decentring history: Local stories and cultural crossings in a global world. In History and Theory (50), 188–202. For microhistory see also Carlo Ginzburg / John Tedeschi / Anne C. Tedeschi (1993). Microhistory: Two or Three Things That I Know about It. In Critical Inquiry, (20) 1, 10–35.