Zhvillimi i aktivitetit edukativ-arsimor në Kosovë gjatë periudhës së hershme osmane është i lidhur ngushtë me shtrirjen e administratës osmane dhe me përhapjen e islamit në këto treva. Kështu, së bashku me xhamitë, teqetë, hamamet (banjat publike) u ndërtuan edhe mejtepet e para të cilat zinin vend në hapësirën e kompleksit të quajtur ‘kylije’ (külliye).1 Këto Mejtepe ngriheshin me donacione individuale, apo edhe vakufnore. Njëri ndër mejtepet e para në Kosovë është ai i Suzi Çelebiut në Prizren, i ngritur para vitit 1513 nga poeti i mirënjohur Suzi Prizrenasi, i cili deri në fund të jetës së tij punoi në këtë mejtep si arsimtar.2 Një mejtep tjetër, u ndërtua në Kaçanik nga ana e Koxha Sinan Pashës.3
Përveç mejtepeve të cilat ishin edhe cikli më i ulët arsimor në të cilën mësohej shkrim-leximi dhe bazat e fesë islame, nëpër qendra të mëdha u ngritën edhe shkolla të ciklit më të lartë, siç ishin shkollat fillore (ibtidaije), e mesme e ulët (rushdije), e mesme e lartë (idadije) dhe medresetë, të cilat ofronin shkollimin më të avancuar të kohës. Vushtrria, e cila ishte qyteti kryesor i rrafshit të Kosovës, karakterizohet me këtë aktivitet arsimor, qysh nga viti 1455, ku ishte funksionale medreseja e Gazi Ali Beut.4 Ndërsa informacioni i deritanishëm mbi medresenë e Prishtinës, i takon vitit 1575 që ka të bëjë me medresenë Besharet Ket’hyda.5 Një shekull më vonë, Evlija Çelebiu, përmend disa medrese të ulemasë, pastaj shkollën për komentim të hadithit (komentimin apo interpretimin e thënieve profetike), dhe shkollat (mektebet) për fëmijë.6
Shekulli XIX përbën zhvillimin më të madh të jetës edukativo-arsimore në të gjithë Perandorinë Osmane. Kështu ndërmjet viteve 1893 në Vilajetin e Kosovës janë evidentuar 22 shkolla Rushdije për djem, 1 Rushdije për vajza, 342 shkolla Iptidaije për djem, 46 (iptidaije) për vajza, 35 medrese dhe 7 biblioteka.7 Në këto shkolla të mesme krahas lëndëve fetare islame, mëshoheshin edhe gjuhët e huaja (arabe dhe perse), matematika, gjeometria, logjika, bukurshkrimi etj.8
Sipas të dhënave zyrtare nga salnameja e vitit 1893, në Prishtinë ishin aktive 16 shkolla fillore (ibtidaijje) për djem me 834 nxënës dhe 17 mësues. Ndërsa 2 mësuese jepnin mësim në shkollën e vetme fillore për vajza, e cila ishte hapur në vitin 1887 dhe që përbëhej prej 180 nxënëseve (vajza).9 Sipas salnamesë së vitit 1900, në këtë kohë në Prishtinë ishin funksionale 10 mektepe sibjan (për fëmijë), ku ndiqnin mësimet 737 fëmijë.10
Shkollat fillore (ibtidaije)
Shkollat fillore (ibtidaije), të cilat erdhën si rezultat i reformës së vitit 1869, u themeluan gjatë vitit 1872. Sipas të dhënave të salnameve të Kosovës rezulton se, këto shkolla në Kosovë u themeluan rreth 10 vite më vonë. Respektivisht, nga viti 1883, mund të ndjekim numrin e nxënësve dhe mësuesve në shkollat fillore të modernizuara.
8.2. Kuadri arsimor dhe numri i nxënësve në shkollën ibtidaije/fillore për djem të Prishtinës gjatë vitit 1883-1900:11
Emri i mektebit | Emri i mësuesit | Numri i nxënësve |
---|---|---|
Xhamia e madhe | Muharrem efendi | 20 |
Xhamia e Vogël (e çarshisë) | Abdyrrahim efendi | 50 |
Xhamia e Re | Abdyl efendi | 150 |
Lagja Alaaddin | Ibrahim efendi | 97 |
Junus Efendi | Hafëz Sylejman efendi | 100 |
Jarar Çeribashë | Hafiz Ejub efendi | 40 |
Hasan Bej | Hafëz Jusuf efendi | 60 |
Ramadanije | Rushit efendi | 50 |
Hatunije | Shaqir Efendi | 100 |
Kaderije | Muhtar Efendi | 70 |
Ashtu siç ndodhte në gjithë truallin perandorak osman edhe në Vilajetin e Kosovës, pas themelimit të shkollave për djem, u hapen edhe ato për vajza. Në dokumentin e datës 7 prill 1887, bëhet fjalë për ndërtimin rishtas të shkollës fillore për vajza në Prishtinë.12 Po nga i njëjti fond shohim se, në korrik të vitit 1893 në Prishtinë ishin aktive 4 shkolla ibtidaije për vajza.13 Në vitin 1906, po ashtu identifikohet një dokument i cili fletë për ndërtimin e një shkolle të re për vajza, e cila do të kushtoj 33 mijë e 400 kurush (grosh), siç thuhet në dokument.14
Rushdija e Prishtinës* 15
Tentativat e para për hapjen e shkollave rushdije të stilit evropian, përkojnë me kohën e sundimit të Mahmudit II (1808–1839). Respektivisht, propozimi i parë për reformimin në arsim mbanë vitin 1838, me çrast u ngritë komisioni për themelimin e shkollave rushdije. Mirëpo kjo reformë arriti që të realizohet vetëm në kohën e Sulltan Abdylmexhidit (1839–1861), ku në vitin 1847 në Stamboll u hap shkolla e parë rushdije, sipas ndryshimeve statutare në arsim, të parapara në fermanin e Tanzimatit (1839).16 Ndërsa, Prishtina me këtë shkollë të ciklit të mesëm (të ultë), u njoh në vitin 1861 dhe ndërtues i rushdijes së parë në Prishtinë ishte Abdurrahman Galip Pasha (Gjinolli).*17 Kjo e dhënë dokumentohet nga shkresat e sekretariatit të ministrisë së arsimit. Respektivisht, në dokumentin e datës 4 shkurt të vitit 1863, thuhet se duhet të merret parasysh kërkesa e ndërtuesit të shkollës Rushdije në Prishtinë, ish mytesarifit të Sirozit, Abdyrrahman Galip Pashës, që për mësues të parë në këtë shkollë e cila është hapur para dy viteve (1861) të emërohet Besim efendiu nga Sofja.18 Po nga dokumentacioni zyrtarë i sekretariatit të ministrisë së arsimit, shohim se në të njëjtin vit, kishte pasur kërkesë për libra dhe dëftesa për Rushdijen e Prishtinës. Kështu, në muajin prill të vitit 1863, zyrtarët në Stamboll njoftonin se, 30 libra të gramatikës së gjuhës perse, 20 të gjeografisë dhe 10 harta të Afrikës janë dërguar në Rushdijen e Prishtinës me postë.19 Të dhënat e salnameve të Kosovës, njoftojnë për numrin e nxënëseve të Rushdijes në Prishtinë që shkonte duke u rritur. Sipas kësaj, përderisa në vitin 1879 ndiqnin mësimin 65 nxënës, 11 vjet më vonë kjo shkollë kishte arritur në 230 nxënës.20
Shkolla e mesme e lartë (idadije)*21
Shkollat idadije përbënin ciklin e mesëm të lartë dhe janë identike me licetë modern. Për sa i përket vjetërsisë së Idadijës së Prishtinës ka disa mendime. Sipas të dhënave të pakonfirmuara me dokumente zyrtare, idadija e parë e Prishtinës daton nga viti 1885.22 Ndërsa, kopjet e dokumenteve osmane nga fondi i sekretariatit të arsimit të hulumtuara në Arkivin e Prishtinës, shpërfaqin të dhëna të reja në raport me datën e themelimit të kësaj shkolle. Respektivisht, janë dy dokumente të vitit 1907 që nxjerrin në pah plan projektin e detajuar dhe të miratuar më datë 4 janar 1907 të objektit të shkollës Idadije, po ashtu edhe një vendim tjetër i datës 2 nëntor 1907, fletë për ndarjen e një parcele nga ana e qytetarëve për ndërtimin e kësaj shkolle.23 Me këto të dhëna dokumentare përputhen edhe konstatimet e studiuesit, Jashar Rexhepagiç se, themelimi i Idadijes së Prishtinës duhet të jetë bërë pas revolucionit të xhonturqve (1908–1909).24
Medresetë
Siç u tha më sipër Prishtina qysh nga fundshekulli XVI, kishte medresenë e Besharet Ketëhydasë. Ndërsa në shekullin e fundit osman në Prishtinë evidentohen edhe dy medrese tjera aktive. Respektivisht, në salnamen e vitit 1879 thuhet se, deri në vitin 1885 në Prishtinë ekzistonte vetëm medreseja e ngritur me fondin e Sulltan Selimit III (1789–1807) dhe njihej po me këtë emër, ndërsa me kontributin e popullit ishte ngritur edhe medreseja e dytë, e cila u emërtua si medreseja e Pir Nazërit.25 Sipas të dhënave të vitit 1893, në medresenë e Sulltan Selimit III, ndiqnin mësimin 56 nxënës, ndërsa në medresenë e Pir Nazirit 51.26
Shkollat e jo myslimanëve
Siç kemi parë edhe më lartë, që nga fundshekulli XVI, popullsia e Prishtinës kishte pranuar për besim islamin, por që asnjëherë nuk ishte zhdukur elementi i krishterë (katoliko-ortodoks). Këta të fundit, po ashtu gëzonin të drejtën e shkollimit të tyre sipas praktikave fetare që ata i aplikonin. Kështu, sipas të dhënave zyrtare osmane të fundshekullit XIX, në vitin 1888 në Prishtinë vijonin mësimin 140 nxënës të komunitetit jo mysliman në 10 mejtepe sibjan (për fëmijë). Prej tyre 20 vajza dhe 120 djem.27 Sipas të dhënave të vitit 1893, në shkollën ibtidaije të të krishterëve ortodoks, e cila kishte 148 nxënës, mësues i gjuhës osmane ishte Idris Efendiu.28
-
1
Ahmet Vefa Çobanoğlu, “Külliye”, Dianet Islam Ansiklopedisi (DIA), C. 26, Ankara: TDV. 2002, 542.
-
2
Hasan Kaleshi,”Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda”, Studime Albanologjike nr.1, Prishtinë, 1962.
-
3
Hasan Kaleşi, XV. Asırdan XVII. Asrın Nihayetine Kadar Yugoslav Topraklarında Şark Medeniyeti, Türk Dünyası Araştırmaları, sayı 1, 73-129.
-
4
Iljaz Rexha, Monumentet Sakrale dhe Profane të Periudhës Osmane në Kosovë gjatë shek.XV-XVII, Monumentet e Kosovës”, Instituti për Mbrojtje të Monumenteve në Kosovë, Prishtinë, 2004, 78.
-
5
Cahid Baltacı, XV-XVI. Asirlarda Osmanli medreseleri: Teşkilat, Tarih, İstanbul:İrfan Matbaası, 1976,172, 266.
-
6
Evliya Çelebi Seyahatnamesi, Topkapı Sarayı Kütüphanesi Bağdat 307 Numaralı Yazmanın Transkripsyonu-Dizini, V. kitap, Haz. Yücel Dağlı-Seyit Ali Kahraman – İbrahim Sezgin, İstanbul: İstanbul, [botimi i dytë], 2007, fq. 267.
-
7
Said Olgun, Arnavut Milliyetçiliğinin Gelişiminde Mektepler (1878-1912), Ankara: Gece Kitaplığı, 2016, fq. 99.
-
8
Ismail Hakki Uzunçarşılı, Osmanlı Devletinin İlmiye Teşkilatı, (Ankara: 1988), 11; Agron Islami, Sefedin Rahimi, Ibtidaiye Mektebs un the Kaza of Gjilan According to the Ottoman Sources During 1900-1906, Journal of Balkan Studies, 2 (2), 2022, fq. 55-57; “Mektebin fillorë për vajza të hapur rishtas në Prishtinë”, MF.MKT. 93/82 (07 prill 1887).
-
9
KVS., 1311, Priştine Matbaa-i Vilâyet, fq. 224-225.
-
10
KVS., 1318, Priştine Matbaa-i Vilâyet, fq, 547-548.
-
11
KVS. 1300, fq. 54; 1302, fq.57; 1304, fq. 74; 1305, fq. 72; 1318, fq. 547.
-
12
MF. MKT. (KAP.) 93/82.
-
13
MF. MKT. (KAP.) 175/168.
-
14
MF. MKT. (KAP.) 950/57.
-
15
Sot shkolla e Mesme Teknike në Prishtinë.
-
16
Cemil Öztürk, “Rüşdiye”, DİA. C. 35, Istanbul: Türkiye Diyanet Vakfı, 2008, fq. 300-302.
-
17
Studimet e deritanishme, si datë themelimi të kësaj shkolle, kanë marr të dhënat e Salnames së Kosovës e cila jep datën 1869, por që siç shihet nga dokumentet zyrtare të administratës osmane, themelimi i kësaj shkolle ka ngjarë në vitin 1861.
-
18
BOA. MF. MKT. (KAP.) 6/88.
-
19
BOA. MF. MKT. (KAP.) 8/78.
-
20
KVS. 1304, fq. 88; KVS. 1318, fq. 547.
-
21
Në këtë objekt sot gjendet ministria e Shëndetësisë.
-
22
Bajram Kodaman, Abdülhamit Devri Eğitim Sistemi, Ankara: Türk Tarih Kurumu, 1991, fq.119.
-
23
BOA. MF. MKT. (KAP.) 1026/74; BEO. (KAP.) 3062/229596.
-
24
Jashar Rexhepagiç, Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918, Prishtinë: Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, 1970, fq. 156.
-
25
KVS. 1296, fq. 124-125; 1300, fq. 134-135; 1302, fq. 153-154; 1304, fq, 85; 1305, fq, 82; 1311, fq. 224-225; 1314, fq, 351; 1318, fq, 557.
-
26
KVS. 1311, fq. 224-225.
-
27
KVS. 1318 (1900), fq. 548.
-
28
KVS. 1311 (1893), fq. 133.