Kërko
Sipas të dhënave të regjistrimeve të para osman, shihet se elementi mysliman në Prishtinë ishte simbolik deri në dekadën e dytë të shekullin XVI. Respektivisht deri në vitin 1526, ku ishte prezentë vetëm bashkësia fetare e myslimanëve, që nënkupton se nuk kishte prezencë të lagjeve myslimane siç do të ndodh pas kësaj date, kur lagjet myslimane fillojnë të shtohen nga viti në vit, për të ardhur deri në shuarjen totale të lagjeve të krishtera. Shuarja e lagjeve erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve fetare, e cila reflektohet në defterët osman të shekujve të parë. P.sh. në regjistrimin e vitit 1477, lagja Metropolit kishte 34 shtëpi dhe pas 92 viteve, ky numër kishte rënë në 8 shtëpi.
Ashtu siç u pa në tabelat e mëhallëve të Prishtinës, tkurrja e besimit të krishterë në mesin e banorëve të Prishtinës bëri që lagjet e krishtera të marrin emra mysliman. Kështu, shkrirja, apo tjetërsimi i mëhallëve të krishtera në mëhallë myslimane, nënkupton rritjen e numrit të të konvertuarëve në islam dhe shtrirjen e tyre drejtë mëhallëve të vjetra të cilat tanimë identifikoheshin me emra të myslimanëve. Megjithatë, përkundër se elementi i krishterë në Prishtinë pësoi rënie, ai nuk u zhduk. Kjo argumentohet në defterin e vitit 1844, sipas të cilit, Prishtina formohej nga 12 lagje, me 779 shtëpi, prej tyre 298 ishin të krishtera dhe 6 hebreje (jahudi). Përderisa këta të fundit (hebrenjtë) jetonin brenda qytetit, 135 shtëpi të krishtera evidentohen në mëhallën Jarar Çeribashi dhe Hasan Bej, ndërsa pjesa tjetër prej 163 sosh, shtriheshin në periferinë e kazasë.