Kërko

1623, Pjetër Mazreku

Dokumenti është botuar nga I. Zamputi me përkthimin shqip. Në foto botimi i vitit 2018.

Relacion që e përshkruan Prishtinën dhe faltoren katolike të ndërtuar aty

Vazhdon pastaj Prishtina, vend i banuem prej shumë turqve, njerëz luftarak, të cilët janë të gjithë timar-spahi, d.m.th. zotë fshatesh. Ky vend gjendet nën malet e zeza në fushë të Kosovës, jo shumë larg nga vendi ku Millosh Kobiliqi, ushtar me shumë guxim e me vlerë, vrau Muratbeun, perandorin e turqve, dhe humbi jetën e vet mbasi për shumë kohë, por më kot, u mprojt trimnisht; dhe prandej i ka mbetë kujtimi i përjetshëm. Këtu janë ngulë tri shtylla të vogla, shumë larg njena nga tjetra, për të dëshmue (sikur thotë populli) tri kërcimet që i bani për të shpëtue: por mjafton për të besue se ajo hapësinë vendi prej një shtylle në tjetrën ka qenë vendi ku me shkathtësi ai u mprojt, sepse [në të vërtetë] kërcimet e thanuna ia kalojnë shkathtësisë njerëzore. Dhe, tue kthye në punën tonë, përveç turqve në Prishtinë banojnë shumë serbianë dhe nja 20 shtëpi të krishtena, me afro 100 frymë nëse nuk do të ketë sjellë dam murtaja që vjetin e kaluem po damtonte vendin dhe rrethet. Ka disa vjet, këta pak të krishtenë ndërtuen një kishëz, por, me qenë se janë pak dhe skamnorë, nuk mund ta mbajnë priftin. Prandej do t’ishte punë me meritim të madh pranë Zotit në se do të mbahej një meshtar tue i dhanë 30 skudë në vjet. Pak kohë më parë kanë ardhë prej Shqipnie dhetë familje katolike për të banue në këtë vend.

Burimi: Zamputi, Injac (2018). Relacione e dokumente për historinë e Shqipërisë 1610–1650. St-Galen, Prishtinë: Faik Konica, f. 286–287. Dokumenti origjinal: (Përkthimi: Injac Zamputi)

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1623, Pjetër Mazreku, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/24/1623-pjeter-mazreku