Kërko
Gjinollët, megjithëse janë të njohur gjerësisht në Kosovë si familje e madhe sundimtarësh që kanë udhëhequr me Prishtinën, janë pak të dokumentuar deri tash nëpër artikuj dhe shkrime shkencore. Në fragmentet e mëposhtme, synojmë të përmbledhim disa prej momenteve kryesore nëpër të cilat kanë kaluar, apo kanë qenë akterë, pinjollët e kësaj dinastie vendëse. Duke ruajtur formatin e qerthullit Prishtina në histori, tekstet nuk do të jenë të zgjeruara tej mase, e as nuk do të jenë të stërngarkuara me referenca. Të dhënat e sjellura bazohen në pjesën më të madhe nga shënimet arkivore të sjellura rishzati në Arkivin e Prishtinës, të plotësuara edhe me ndonjë gjetje paraprake nga studiuesit (sado të paktë) që janë marrë me këtë çështje. Si materiale shtesë, gjithsesi, lexuesit mund të shfletojnë edhe disa dokumente origjinale të kohës, që prekin pikërisht tematikën e dinastisë Gjinolli, e që janë të përkthyera edhe në shqip.
Një skicë jetëshkrimi për Maliq Pashën dhe për Jashar Pashën, e kanë ndërtuar qysh më 1972 Hasan Kaleshi me Ismail Erenin (khs. 2006, 157–158, 166), por kjo edhe pse e shkurtë, përcillet me shumë pasaktësi; Të dhëna pak më të plota mund të gjejmë te Rexha (2016, 26–58); E me detaje më të freskëta dhe nga burime të tjera, jo vetëm osmane, janë me peshë dy artikuj nga Shoshum, njëri për Jashar Pashën (2018, 849–872) dhe tjetri për Gjinollët në përgjithësi (2020, 11–39). Të dhëna me rëndësi dokumentare për Maliq dhe Jashar Pashën, por pa ndonjë tentim për jetëshkrim, ndodhen te artikujt e botuar nga Nakiqeviq (1969) dhe Jaka (1974). (Shih bibliografinë)