Kërko

1834, Jashar Pasha

Letër njoftim se shqiptarët e nahijes së Llapit, banorë të kazave të Prishtinës, e të Vushtrrisë, refuzojnë të paguajnë taksa:

Letër e Jashar pashës, drejtuar sekretarit të padishahut,....

Shkëlqesisë, bukëdhënësit të plotpushtetshëm e bujar, ..., Shqiptarët e nahijes së Llapit banorë të kazave të Prishtinës e të Vuçitërnit (Vulçitrin), të cilat ndodhen në administrimin tim, të njohur për mosbindjen e herëpashershme, cilësi që e kanë të brumosur në karakterin e tyre, janë mbledhur në një vend me pretekstin e refuzimit të dhënies së taksës “një e dhjeta e bagëtive,” të caktuar me urdhrin e lartë prandorak. Disa njerëz mendjeshkurtër në kazanë e Leskovcit dhe një numër shqiptarësh prej nahijeve Toplicë e Bostrik u ngritën në revoltë për të ndihmuar të lartpërmendurit. Mbasi u grumbulluan mbi një mijë e pesëqind vetë, vepruan të gjithë së bashku. Ata synonin të mos paguanin bagëtitë e shtetit si dhe taksën “Iane-i xhihadije,” të shkatërronin dy kullat që ndodheshin në fshatin Podiva, në Llap e në grykën Kolina, të ndërtuara në kohën e Mehmet Reshit pashës, ish-kryeministër plot pushtet, me të cilat ruhej rruga e Nishit, qarkullimi i udhëtarëve dhe sigurimi rajasë e i fukarenjve. Gjithashtu ata synonin të bënin prapësira, ashtu siç ishin mësuar, për të prishur qetësinë e vendit. Kur u bënë të qarta qëllimet e tyre, iu dhanë disa herë këshillat e nevojshme, por ata nuk ua vunë veshin. Doli sheshit se flakën e zjarrit të revoltës që ndezën, donin ta shtrinin në Kosovë e në kazatë e tjera. Një numër personash prej popullsisë së varfër u trembën dhe mbushën fshatrat Bernicë, Besinë, Tordinë, Ajvoranidul, Berilovë e Bakshebë në afërsi të Prishtinës. Por të lartpërmendurit nuk ndenjën urtë. Dy herë sulmuan fshatrat Besina (Besi?) e Ajvoranidul (?) dhe si rezultat i shkëmbimit të zjarrit u plagosën disa vetë. Megjithëse ata rrethuan bylykbashin në kullën e Podivës (Podujevës), përsëri u dërguan njerëz të veçantë e të besuar për t'u mbushur kokën. Por ata jo vetëm që nuk hoqën dorë nga veprimet e mallkuara që patën guxuar, por i shtuan akoma më shumë. Atëherë edhe unë i përuluri u detyrova të mbledh popullin e urtë të kazave të Prishtinës, Novobërdës e Vuçiternit dhe ditën e dytë të javës, me 14 të këtij xhemazijelevel [...] u nisa prej Prishtine për të zbritur në kullën e Kolinës së lartpërmendur. Të nesërmen, ditën e martë, kur po shkoja drejt kullës së Podivës, ndesha përballë me rebelët në fjalë. Ata, për t’u mbrojtur e për të rezistuar, hapën zjarr mbi ne. Por ne [...] u hodhëm mbi ta. [...], Turbulluesit nuk mundën të rezistojnë dhe, të shkatërruar pluhur e hi, u arratisën nëpër male. Kur unë mbërrita në kullën e sipërshkruar, turma e keqbërësve u pendua për veprimet e mallkuara dhe kërkoi falje. Sipas rregullit shqiptar u mor një peng për çdo fis. Kështu u falën dhe u vunë nën rregull [...] Kjo çështje u shua në sajë të madhërisë sonë.

Tani për tani nuk mbeti asnjë çështje në nahijen e lartpërmendur. Për t’ju njoftuar këtë, u shkrua edhe kjo parashtresë e të devotshmit tuaj dhe u paraqit përpara selisë plot pushtet. [...], kur të mësoni këtë, kini mirësinë të më mbuloni pa masë me bujarinë e simpatinë tuaj, për të cilën kam shumë nevojë. Si në këtë rast dhe në çdo rast tjetër, urdhri është në dorën e zotërisë suaj.

Robi
El-seid
Mehmet Jashar
mytesarif i sanxhakut të Shkupit

Burimi: Petrika Thëngjilli (1978). Kryengritjet popullore në vitet 30 të shekullit XIX. Tiranë: ASHA, f. 138–139. Dokumenti origjinal: Hatt-i Hümayun Defteri nr: 1, 2, 12; vesika 21697. (Përkthimi: P. Thëngjilli)

Si të citohet
Prishtina në Histori (2025), 1834, Jashar Pasha, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 22.01.2025: https://www.prishtinanehistori.org/article/282/1834-jashar-pasha