Kërko
Shfrytëzimi i pandërprerë i xeheroreve të Novobërdës, Trepçës dhe Janjevës gjatë feudalizmit të zhvilluar, vëçanërisht nga gjysma e dytë e shek. XIV, konsiderohet faktor më rëndësi që ndikoi për zhvillimin e Prishtinës në një qendër të madhe tregtare. Impuls të madh për zhvillimin e qytetit në qendër të madhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe në gjysmën e parë të shek. XV dhanë raguzanët, të cilët nëpër Prishtinë me rrethinën shumë të pasur më xehe bënin bartjen e xeheve shumë të kërkuara në të gjitha qytetet e Adriatikut. Gjatë feudalizmit të zhvilluar Prishtina zihet ngoje për herë të parë në vitin 1325, me ç'rast mbreti Stefan Deçani kërkoi nga raguzanët që tributin e Shën Dhimitrit t'ia silnin në Prishtinë. Ndërkaq, në vitin 1342 perandori bizantin Jovan Kantakuzeni, i cili në këtë viti gjeti strehim te mbreti Dushan, jep përshkrimin e Prishtinës. Sipas perandorit, Prishtina (Pristinon) ishte një fshat i pafortikuar, ku vetëm oborri mbretëror kishte një vlerë të posaçmë.1
Nga gjysma e dytë e shk. XIV nëpër Prishtinë defilonin shumë tregtarë nga bregdeti Kotorri, Zara, Ulqini, Venediku, etj. Për shkak të lidhjeve të afërta dhe të shpeshta të tregtarëve raguzanë me Prishtinën. Këshilli i Vogël raguzan, që në vitin 1396 emëroi konsullin për këtë qytet. Përveç rëndësisë së madhe si qendër tregtare, Prishtina gjatë periudhës mesjetare shquhej edhe si qendër ku organizoheshin lojërat kalorësiake. Është për t’u theksuar se lojërat kalorësiake gjatë periudhës mesjetare ishin veçori e Evropës Perëndimore. Mirëpo, sipas disa termineve karakteristike për këto lojëra, mund të konstatohet se edhe Prishtina kishte traditë për lojërat e këtilla.
Sipas dy dokumenteve të ruajtura në serialin Lamenta de Foris, libri X dhe XL, f.12 dhe 75, të Arkivit Historik të Dubrovnikut, mësojmë se me rastin e kërshendellave të vitit 1435 u organizuan lojërat kalorësiake. Në këto dokumente, po ashtu theksohet se lojërat kalorësiake në Prishtinë orgainizoheshin me rastin e festës në fjalë për çdo vit (festum consuetum). Lojërat në fjalë ndaheshin në ‘një fushë jashtë Prishtinës, e cila ishte rrethuar nga një numër i vogël kashtorësh, që quhet shesh ndeshjesh (lojërash). Kalorësit në garë e sipër hiqnin me heshtë dorashkën e vënë mbi një hu (baston) — gcorsemo alquante volte con le lanze al guanto, lo quel iera messor. Kalorësit vinin me përgatitje komplete, me hark, shigjeta, shpatë, topus, etj. Dokumentet që zotërojmë bëjnë fjalë vetëm për pjesëmarrjen e tregtarëve raguzanë i (bujarëve, qytetarëve dhe shërbëtorëve të tyre) dhe të një bujari ulqinak (S. de Tani) në këto lojëra.
Lojëra të këtilla janë organizuar gjatë festave edhe në Raguzë. Edhe pse mbi organizimin e lojërave kalorësiake në Raguzë nuk ndeshim të dhëna arkivore, kjo zbrazëtirë plotësohet nga të dhënat që i sjell vepra Situs aedificiorum, politiae et laudabilium consuetudinum inclitae ciuitatis Ragusii e rektorit të shkollave raguzane dhe historianit të njohur Philipus de Diversis-it nga Lucca e Italisë.
Përshkrimi i Raguzës nga Filip de Diversis-i, njofton se edhe në Raguzë për çdo vit, me rastin e festës së Shën Vllahut (më 3 shkurt) është bërë qitja në unazë. Se lojërat kalorësiake të mbajtura në Raguzë ishin pothuaj identike me ato të Prishtinës dëshmojnë këto të dhëna të Filip de Diversisit: “Ndonjëherë ajo rini burrërore vë hallkën e argjendtë 4 unazash dhe sulet mbi kuaj me heshta” dhe ai që e rrok me heshtë tri herë gjatë garës unazën, e fiton. Për të pasur sa më shumë zbavitje dhe për të qenë sa më e këndshme zbavitja, zakonisht merren tri unaza të tilla dhe, kur e rrok ndokush tri herë një unazë, varet unaza e dytë dhe kështu përsëritet derisa të mos u dorëzohen tri unazat djelmoshave të cilët i rrokin me shtizë në garën” (F.de Diversis, Situs aedificiorum...v, ed.V.Brunelli, Estratto del Program del ginnasio superiore di Zara degli anni 1880-1882, Zara 1882). Edhe në Raguzë, si në Prishtinë, sheshi i lojërave kalorësiake ishte jashtë qytetit. Shkak i regjistrimit të këtyre lojërave të qytetarëve raguzanë në Prishtinë, në dokumentacionin zyrtar të Republikës së Raguzës, ishte rrahja mes raguzanëve gjaknxehtë në vendin e garës, në të cilën një raguzan Tasovaz Radmilich mori grusht në hundë. Ndër të tjera, në dokumentin e 17.I.1436 është regjistruar aktpadia lidhur me rrahjen ‘odie Natalis Domini, dum fueret festum consuetum in Pristina per nobiles et mercatoresy,’ ndërkaq Radouan Clezcharo, po ashtu garues, do ta therte me heshtë Tasovaz Radmilichin po të mos e kishin penguar.
Vuchossauus Chelcharo nxori ‘archum cum sagittisy,’ kurse Petchus-i, i vëllai Obrad Tomchouich morën vrull me topuz, mirëpo që të dy u penguan, si dhe Luxa, rob i Radosavit, zveshi shpatën. Gjatë përleshjes Ratchus Rexa godet Tasovaz Radmilouich-in në fytyrë dhe i shkakton lëndime të rënda. Në pjesën e dytë të këtij dokumenti lexojmë dëshmitë e dëshmitarëve raguzanë të cilët ishin prezentë në vendin e ngjarjes. Si dëshmitarë ndeshim ser Zugno de Calich, ser Zugno de Gondola, Radman Pribilouich, ser Marin Piero de Lucari, dhe bujarin ulqinak me origjinë shqiptare ser Stephano di Tani.
Edhe dëshmitë e dëshmitarëve në fjalë japin të dhëna me interes të posaçëm mbi organizimin dhe mbajtjen e lojërave kalorësiake në Prishtinë. Aty ndeshim të dhëna për terminin kronologjik të mbajtjes së tyre, vendin e mbajtjes së lojërave, armët që i përdornin kalorësit dhe veçori të tjera karakteristike për lojëra kalorësiake të kohës. Të dhënat e dokumentit të 17.I.1436 mbi lojërat kalorësiake në Prishtinë ripohohen edhe me të dhëna të dokumentit lëshuar më 27.III.1436, që fshihet, po në të njëjtin serial të Arkivit Historik të Dubrovnikut. Ky dokument është shkruar në alfabetin cirilik. Mirëpo sot ruhet vetëm përkthimi i tij në gjuhën latine, përkatësisht në gjuhën italiane. Mbi vlerën e madhe historike të këtyre dy dokumenteve opinioni lexues që në vitin 1892 mori njoftime nga punim i ballkanologut të mirënjohur K. Jireçek “Reiterspiele im mittelalterlichen Serbien” (Lojërat kalorësiake në Serbinë mesjetare), botuar në Archivfërslavische Philologie, XIV Band, Berlin 1892.
Ky artikull për herë të parë është botuar në gazetën Rilindja, 1984, të datës 8 dhjetor, f. 12. Ribotimi këtu po bëhet me lejen e autorit.
× Thirrje: Prishtina në histori është në versionin fillestar testues alfa. Keni gjetur diçka në këtë qerthull që s’ju duket se po funksionon si duhet? Na shkruani [email protected]