Kërko
Shënime të bëra në kohën e marshall Veteranit: Përshkrim i Kosovës dhe rrugëve të saj:
Së pari. Nga fshatrat e disa vendeve.
Në territorin e Prishtinës ndodhen 360 fshatra, të mëdha e të vogla, disa prej të cilëve janë braktisur për shkak të pushtimit të tartarëve dhe turqve. Në territoret e Trepçës, ku janë minierat e argjendit, dhe Vuçitërnës, ka fshatra po aq sa në Prishtinë, por tashmë pothuajse të gjitha të braktisura. Nën territorin e Novobërdës 60 fshatra, të cilat janë të banuara;
Minierat e Argjendit:
Isniarniku ka 30 fshatra të banuara. Vendi i minierave Janjeva ka pak fshatra. Binaci ka 60 fshatra, të gjithë të banuar. Prizreni me Suharekën ka 135 fshatra të banuara. Opoja 35 fshatra të banuara. Hasi dhe Letanji kanë 60 fshatra të banuara. Gjakova, dhe Reka do të ketë 160 fshatra. Peja ka 130 fshatra të banuara.
Së dyti. Nga hyrjet prej Turqisë përmes Nishit për në Beograd.
Së pari. Kalimi kryesor është ai i Sofjes për në Nish, nëpër të cilin mund të kalojnë me komoditet më shumë se vetëm topa, vagona etj.
Së dyti. Edhe pse jo shumë i papërshtatshëm për topa, karroca etj. është ai i Shkupit përmes Kaçanikut, Kosovës, Kozanicës (Graçanicës?) dhe Bellacërvës, nga ku topat, dhe karrocat e tjera duhet të shkojë përmes Prokuples dhe Moravës drejt Jagodinës, ndërsa njerëz me kalë dhe në këmbë përgjatë rrugëve të tjera të përshkuara sipas tempos së turqve me deve, ngjitje etj. nga Bellacërkva në Krushevc, dhe prej andej drejt Jagodinës, apo edhe drejt Kragujevcit në Beograd.
Së treti. Unë kaloj nga Kumanova kah Vranja në drejtim të Leskovcit, dhe prej andej ose drejt Nishit, ose drejt Prokuples, ose edhe nëpërmjet Moravës drejt Jagodinës; Ky hap i ka leverdisur edhe Licarrit, por vitin e kaluar u ndërpre dhe u mbyll nga ne, tani nëse është hapur apo jo, nuk e di.
Është edhe një kalim nga Novobërda, apo dhe nga Prishtina nëpërmjet Gollakut në Medvegjë që praktikohet nga njerëzit në këmbë, dhe me kalë që duhet ngjitur, dhe duke kaluar nëpër Medvegjën në fjalë mund të ktheheni, ose drejt Leskovcit drejt Prokuples, ose duke mbetur në mes, kalohet lumi Toplicë në drejtim të rrugës së Moravës për në Jagodinë nga ana e Prokuples; por në asnjë mënyrë karrocat nuk mund të kalojnë nëpër këtë kalim.
Së treti. Distancat nga vendet dhe rrugët.
Nga Nishi në Prokuple duhen 4 orë, dhe ju kaloni një herë Moravën.
Nga Prokupla në Prishtinë pas tre orësh rrugë të rrafshët mbërin në Toplicë, duke vazhduar për dhjetë orë mes maleve me disa lugje të vogla, dhe pyjeve të përshkuara nga përrenj të ndryshëm, që derdhen në një lumë të madh, i cili kalohet 50 herë, për të përfunduar përmes ca qafave të ngushta, në territorin e Kosovës i cili ndodhet në një fushë 3-orëshe, dhe ku pas dy kodrave të tjera hyn në Prishtinë, e cila nga të gjitha anët dominohet prej kodrave.
Nga Prishtina në Novibërdë duhen shtatë orë ecje me karrocë, ku kaloni një lumë të vogël 20 herë dhe në fund ndesheni me male shumë të larta, mbi të cilat megjithatë ndodhet një rrugë e mirë nga Novobërda në Kaçanik ku mund të kaloni edhe në këmbë edhe me kalë midis luginave, maleve e pyjeve.
Nga Kaçaniku në Pitchi (Pejë?) ndodhet një rrugë që mund të bëhet në këmbë dhe me kalë midis maleve, pyjeve dhe luginave.
Nga Pitçi në Prizren është një rrugë për këmbësorët dhe kuajt midis maleve, pyjeve dhe luginave.
Nga Prizreni hyhet në Shqipëri, një vend pjellor, malor, i rrethuar nga shumë përrenj, dhe me rrugë për këmbësorë dhe kuaj. Në këtë vend njerëzit janë shumë të njëanshëm (parzialità) dhe e duan vjedhjen.
Nga Prizreni në Prishtinë duhen gjashtëmbëdhjetë orë rrugëtim dhe ju [mund të] udhëtoni me karroca nëpër tre rrugë të ndryshme.
Nga Prishtina në Kaçanik mund të shkosh me karrocë për tetë orë, dhe nga Kaçaniku fillon qafa e ngushtë, nëpër të cilën kalojnë karrocat, por me një trase shumë të ngushtë vazhdon për disa orë, dhe përfundon në fushën e Shkupit.
Nga Prokupla në Leskovc shkohet për 12 orë, nga Leskovci për në ngushticë kalohet Morava Bullgare dhe rruga vazhdon përgjatë luginës, dhe në njërën dhe në anën tjetër ka male shumë të thyer edhe pse disa kodra të vogla gjenden sipër një fushe që nja një mijë a dy mijë hapa e gjatë dhe 200 e gjërë (pak më shumë dhe më pak). Nja dy orë rrugë brenda ngushticës dhe shtatë nga Leskovci, kalimi prehet nga pemë shumë të larta për një shtrirje rreth 550 këmbë, të cilat e pengojnë armikun të kalojë përmes, e dhe vetë fshatarët. Shtegu i përmendur është i dendur me pyje, por megjithatë, jo aq sa karrocat të mos mund të kalojnë lehtësisht, duke e ditur se ekziston edhe një rrugë tjetër, që përdoret nga këmbësorët dhe kuajt, të cilët vijnë nga Novobërda mbi male në Leskovc.
Nga Leskovci për në fushën e Kosovës është edhe një rrugë tjetër për kuajt e këmbësorët, që duan të shkojnë për në Prokuplë.
Nga ana e Mitrovicës është hyrja në Bosnje, dhe në atë anë në kohët e lashta mbretërit e Bosnjës mbronin mbretërinë nga armiqtë e tyre. Kemi mësuar se në Mitrovicë ndodhet një kështjellë e lashtë e vendosur në lartësinë e një mali, e cila ka formën e gjethës së sheqerit, të cilës i mungon uji, sepse pakujdesia i ka lënë të humbur cisternat që kishte.
Burimi: Frederico Veterani (1771). Memorie del Maresciallo conte Federico Veterani dall'anno 1683 sino all'anno 1694, concernenti l'operazioni militari da lui fatte in Ungaria, e provincie adiacenti. Vjenë dhe Lajpcig: Giovanni Federigo Jahn, f. 130-135.