Das Buch für Alle (shqip: Libra për të Gjithë) është një revistë familjare me ilustrime, e botuar për herë të parë në vitin 1886 nga Hermann Schönlein, nga shtëpia e tij botuese në Stuttgart. Revista synonte transmetimin e tregimeve përmes historive të shkurtra aventureske, udhëpërshkrimeve, materialeve etnografike, biografike, dhe argëtuese për lexuesit e saj. Ajo përmbante gjithashtu artikuj të rregullt për arritjet e reja teknike, zbulimet shkencore dhe artin, duke arritur famën e një reviste që përfshinte ilustrime të stampuara me cilësi të lartë përmes teknikës së gdhendjes në dru, të realizuar nga artistë të shquar të kohës si Carl August Deis, Alois Greil dhe C. Kolb (Barth 1975).
Në një nga numrat e saj, përkatësisht në numrin 25 të vitit 1886, hasim në ilustrimin e një mulliri në Prishtinë, skica dhe përshkrimi i të cilës është realizuar nga arkitekti dhe piktori çek Vladislav Titelbach. Titelbach, lindi në Çeki, në mes të shekullit të 19-të. Ai mbaroi shkollën e mesme në Pragë dhe më pas vazhdoi studimet në Universitetin Teknik Çek, ku, studioi arkitekturë dhe ndoqi trajnime në pikturë. Pas përfundimit të studimeve, dëshirë e tij ishte të shkonte në Rusi, por, në fund i këshilluar nga i vëllai, vendosi të shkojë në Novi Sad (Popović 1893), atë botë pjesë e Hungarisë, sot e Serbisë veriore. Në vitin 1876, së bashku me familjen u shpërngul në Beograd, e për disa vite edhe në Nish, duke ndërtuar gjithë karrierën e tij në Serbi. Gjatë udhëtimeve të tija të shumta nëpër Ballkan, ai kishte dokumentuar traditat popullore lokale, kryesisht serbe, që u botuan në një sërë gazetash dhe revistash të kohës, por edhe me qellim të realizimit të Atlasit Etnografik. Në atë kohë, ai ilustroi poashtu pamje që ndërlidhen me Luftën Serbo-Osmane (1876–1878) (Trajkov 2009). Pikërisht gjatë kësaj faze të jetës së tij jetësohet edhe kjo skicë e mullirit prishtinas.
Titelbach në kontekstin e dinamikave historike dhe ideologjike të kohës së tij
Megjithëse një profesionist i fushës së artit dhe arkitekturës, duke qenë i preokupuar me luftën, kulturën dhe duke jetuar në dinamikën e shoqërisë serbe, Titelbach-u lundronte në botëkuptimet dhe ngarkesat ideologjike nacionaliste të kohës. Kjo shpërfaqet nga termi i përdorur në artikullin për mullirin në Prishtinë, ku, ai pozicionon Prishtinën në territorin gjeografik të përshkruar nga ai si “Serbia e Vjetër” (serbisht: Stara Srbija). Sidoqoftë, dihet mirë se Prishtina e fund shekullit të 19-të i përkiste Perandorisë Osmane, përkatësisht vilajetit të Kosovës (Sezen 2021).
Ky koncept imagjinar, i njohur si “Serbia e Vjetër”, brumi i të cilit u gatua fillimisht nga Vuk Karadžić -i (Stojančević 1998) në botimet e tij etnografike, historike dhe gjeografike do normalizohej mes historianëve, gjeografëve dhe artistëve të kohës të ndikuar nga kjo historiografi. Termi, në thelb fluid, nuk i referohet një rajoni të përcaktuar, por ndryshon me kalimin e kohës në bazë të dinamikës politike, shpesh i bazuar në ngjarje të shpikura ose të keqinterpretuara kastile (Atanasovski 2019). Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Karadžić-i e përkufizoi “Serbinë e Vjetër” si territorin që zinte vend mes luginës së lumenjve Moravë dhe Vardar (Vučetić 2018). Pas viteve 1860, termi përfaqësonte vetëm Rashkën. Ndërsa, pas luftërave serbo-osmane, disa autorë filluan të përfaqësonin termin “Serbia e Vjetër” si sinonim ekskluziv për Vilajetin e Kosovës (Ejdus 2019) duke e vulosur atë për këto treva në historiografinë e tyre.
Shqyrtimi artistik dhe teknik i skicës
Pavarësisht anakronisë gjeografike dhe historike, në këndvështrimin artistik, skica është realizuar me finesë. Fillimisht e gdhendur në një bllok druri në sipërfaqen e imazhit, ku, më pas është shpërndarë ngjyra, dhe duke e shtypur këtë sipërfaqe në fletën e paraparë për gazetë. Gdhendja në dru kërkon një nivel të lartë të mjeshtërisë dhe durimit, por, mundëson krijimin e veprave me imazhe të detajuara, të cilat mund të riprodhohen shumë herë nga një bllok i vetëm i gdhendur (Bliss 2013).
Teksti dhe ilustrimi paraqesin një shpjegim të detajuar teknik të mekanizmit të mullirit të ndërtuar nga druri, por, gjithashtu përfshin grimca të jetës shoqërore dhe mjedisit përreth tij. Mulliri qëndron në qendër të fokusit së skicës, i vendosur mbi një rrjedhë uji. Rreth tij vërehet një peizazh jo i urbanizuar, i pyllëzuar dhe me shkëmbinj përbri e male në horizont. Fshatarët sjellin drithërat në qerre me gomar apo mushka. Në pamjen 1, paraqitet një grua me fëmijë për dore, me veshje të kohës dhe vendit. Njerëzit e zakonshëm llafosin dhe tymosin duhanin me llullë e kamish në hapësirat e jashtme të mullirit, njëri i ulur në shkallët e tij dhe një tjetër tek gurët shkëmborë përreth. Teksti shqyrton edhe besëtytnitë popullore të kohës, në raste kur mekanizmi nuk punonte, prishjet i atribuoheshin vet djallit, që “është ulur në rrotën prej guri për të mbajtur dasmën me gruan e tij” (Titelbach 1886).
Hamallët apo fshatarët që sjellin drithërat për bluarje dhe priftërinjtë ortodoksë te dyert e mullirit paraqitur në lëvizje të parët duke hyrë e të dytët duke i pritur. Në sfondin brenda mullirit duket një person civil, mbase pronari i tij. Titelbach i kushton vëmendje detajeve, duke përfshirë një variant të kryqit ortodoks të gdhendur në dyert e mullirit, çka mund të sugjerojë përkatësin fetare të pronarit apo komunitetit që i shërbente objekti. Paçkase, zgjedhja për të paraqitur imazhe fetare dhe identitare mund të jetë e sforcuar nga autori, për arsye që janë diskutuar më lart.
Kjo skicë mbetet paraqitja më e hershme e detajuar arkitektonike e një mulliri në territorin e Kosovës, përkatësisht në Prishtinë. Rëndësia e saj qëndron në zhvillimi e një tipologjie të kohës, e cila mund të japë informacion për teknikat arkitektonike të ndërtimit të mullirit në rajonin e Prishtinës. Ajo gjithashtu mund të ofrojë një bazë krahasimore për mullinjtë e tjerë të njohur, si ai i Gjinollëve në Prishtinë, apo mullinjtë e Haxhi Zekës dhe Bërdynajve, si dhe mullinjtë më të vegjël lokal.
Mjeshtëria e Titelbach-it në përshkrimin e mekanizmit të mullirit, bashkë me përfshirjen e elementeve të përditshmërisë dhe besëtytnive popullore, krijon një tablo të gjallë të jetës së Prishtinës të fundshekullit 19-të. Skica mbetet një referencë e vlefshme për studiuesit e historisë së arkitekturës dhe etnografisë në Kosovë, duke ofruar një bazë për krahasime dhe studime të mëtejshme mbi teknikat dhe tipologjitë e ndërtimit të mullinjve në këtë rajon. Përveç si një dokument historik ajo thërret në njohjen dhe studimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe arkitektonike.
Sipas një vizatimi origjinal nga Prof. Vladislav Titelbach ky është përshkrimi që u jepet njësive të ndryshme të vizatimit: "1. Hapësira e jashtme e mullirit. 2. Pamje nga ballorja e pjesës së sipërm të mullirit. 3. Pamje anësore e pjesës së sipërm të mullirit. 4. Turbina. 5. Dera e mullirit të vjetër. 6. Seksioni përmes të gjithë mekanizmit të brendshëm të mullirit."
Ndërsa, një përshkrim të mekanizmit e jep vet Titelbach-u si në vijim:
“Njashtu si në Orient, edhe në Serbi, mbretërinë më të re evropiane, të gjitha pajisjet dhe mjetet industriale janë ende në formën më primitive dhe të pavolitshme për punë, kjo bën që bujqësia dhe industria të jenë ende në një nivel jo të arrirë. Figura jonë në faqen 569 tregon mekanizmin e mullinjve në Serbinë e Vjetër, të cilat janë përgjithësisht mullinj me ujë, dhe forcon pohimin e mëparshëm që pavarësisht të gjitha përmirësimeve bashkëkohore në vende të tjera, të tilla me ujë ende ekzistojnë atje në të njëjtën formë të thjeshtë që janë përdorur për shekuj. Figura 1 tregon pamjen e jashtme të një mulliri të tillë, i cili, njësoj sikurse hanet gjithandej, shërben si vendtakimi për përtacët të cilët, siç shihet në figurën 5, qëndrojnë tek hyrja, shikojnë bartjen e drithërave dhe shkëmbejnë lajmet e padëgjuara.
Mulliri është ndërtuar mbi kunja të vendosura mbi rrjedhën e ujit. Uji hyn nga një hapje e veçantë dhe është i domosdoshëm për të venë në punë mekanizimin. Hapja mund të mbyllet me një portë rrëshqitëse, dhe kur kjo e fundit hapet, uji rrjedh në dy ulluqe hekuri në formë cilindrike (Figura 6), për të kaluar më pas përmes hapjes me rreth 5 centimetra në diametër tek tehët (r) e turbinës (q) (shiko Figurën 6 dhe Figurën 4 me vëmendje të veçantë tek turbina) me rënie të lirë për ta nxitur kështu rotacionit. Turbina siç e shohim tek Figura 6, e cila bën një prerje tërthore përmes të gjithë mekanizmit të brendshëm, mbështetet me një kunj në zbrazëtinë e gurit masiv, i cili është i lidhur (p) me boshtin e zgjatur të gurit të poshtëm që nuk lëvizë. Përderisa vet boshti është i lidhur sërish me një cekth hekuri me gurin e sipërm që e vë atë në rrotullim.
Drithëri bie nga brojca përmes lugut (d) në hapjen e gurit (c) dhe pasi të jetë bluar mes dy gurëve të mullirit, bie në sëndukun e miellit. Figurat 2 dhe 3 japin një pamje ballore dhe anësore të mekanizmit të sipërm. Kutia e drithit varet mes dy trarëve të kryqëzuar që mbështeten në shtylla druri. Te lugu (d) është ngjitur një degë lajthie e lakuar (f), e cila është gjithashtu e lidhur në majë me skajin e sipërm. Kjo degë qëndron përbri gurit të sipërm dhe vihet herë pas here në lëvizje nga rrotullimet e gurit, nga ku lëvizë tek kutia e drithërit, duke bërë që ai të bjerë përmes lugut (d) në hapjen e tij (c).
Mielli i nxjerrë mes gurëve të mullirit me forcë centrifugale përfundimisht kalon përmes hapjes në sëndukun e drithit (h). Pajisja (g) (Figura 2) tregon shkallën e llogaritjes për mullixhinjtë, pothuajse analfabetë, ku, ata shënojnë sasinë e bluar. Nëse mulliri duhet të ndalet apo uji duhet kursyer, kunji (m) i dukshëm në pjesën e përparme të Figurës 3 kthehet majtas përmes dorezës së ngjitur, që bën që tehet (Figurëa 4) të mbulojnë plotësisht ose pjesërisht hapjen e traut dhe kështu zvogëlojnë ose ndalojnë plotësisht furnizimin me ujë.
Pavarësisht të gjitha masave të marra paraprakisht, shpesh ndodh që ky mekanizëm i ndërtuar pothuajse plotësisht prej druri të mos funksionojë siç duhet, në këtë rast mullixhinjtë nuk i vënë faj konstrukcioni të vjetërsuar por gjejnë arsyeje tek besëtytnitë e tyre, besim i zakonshëm mes popullsisë rurale, se djalli është ulur mbi rrotë dhe bën dasëm me gruan e tij.”
Bibliografia
Atanasovski, S. (2019). Producing Old Serbia: In the footsteps of travel writers on the path of folklore. In A. Pavlovic, G. Pudar Drasko, & R. Halili, Rethinking Serbian-Albanian Relations. Figuring out the Enemy. Routledge. f. 2238.
Barth, D. (1975). Das Familienblatt – ein Phänomen der Unterhaltungspresse des 19. Jahrhunderts. In Archiv für Geschichte des Buchwesens. Vol. 15, f. 121316.
Bliss, D. P. (2013). A history of wood engraving: The original edition. Skyhorse Publishing.
Ejdus, F. (2020). Crisis and ontological insecurity: Serbia’s anxiety over Kosovo’s secession. Palgrave Macmillan. f. 51.
Popović, S. (1893). Uz naše ilustracije. Orao - veliki ilustrovani kalendar za 1894. Novi Sad: Arsa Pajević. f. 125.
Sezen, T. (2021). Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare: Emrat e vendeve dhe statusi i tyre. Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. f. 270-271.
Stojančević, V. (1988). Vuk Karadžić i njegovo doba: Rasprave i članci. Zavod za udžbenike i nastavna sredstva.
Titelbach, V. (1886). Die Mühlen in Altserbien In Das Buch für alle : Illustrierte Blätter zur Unterhaltung und Belehrung für die Familie und Jedermann. f. 567.
Trajkov, J. (2009). Rad Vladislava Titelbaja na istraživanju i predstavljanju srpskog kulturno-istorijskog i etnografskog nasleđa. Istorijski arhiv Jagodine. f. 24.
Vučetić, B. (s. d.). Serbia and the Macedonian Question: The Intertwining of Politics and Science. In G. Motta, Dynamics and Policies of Prejudice from the Eighteenth to the Twenty-first Century (p. 235247). Newcastle: Cambridge Scholars Publishing. f. 242–243.