Mbi ditëlindjen e Jasharit të dhënat e vetme i kemi nga nën-konzulli francez i Prishtinës, Antoine Vas. Duhet të ketë lindur në vitin 1788 ose 1787 në Prishtinë.1 Ishte nip — djalë i vëllaut — i Maliq Pashës. Njihet për ndërtimin e xhamisë së mesme që edhe sot mban emrin e tij në kryeqytet. Gjithashtu për ndihmën në ndërtimin e kishës ortodokse të Shën Nikollës që edhe sot qëndron në Prishtinë.2 Ka mbajtur postin e udhëheqësit të Prishtinës, Vushtrrisë e Novobërdës prej vitit 1823 deri të paktën në marsin e vitit 1839.3 Në vitin 1831 i është bashkuar Mahmut Pashë Bushatlliut në kryengritjen kundër Portës së Lartë. Por pas disfatës, i është rikthyer në devotshmëri Sulltanit. Është shumë e mundshme të ketë vdekur në tetorin e vitit 1846,4 edhe pse emri i tij nuk figuron në Prishtinë në regjistrimin e vitit 1844.
Deri tash nuk është shpërfaqur ndonjë gravurë apo vizatim që do të paraqiste pamjen e këtij udhëheqësi të Prishtinës, por ekziston një përfshkrim fizik i bërë në fund të shekullit XIX nga një banor i moshuar i qytetit. Po e sjellim këtu të përkthyer,
“Jashar Pasha ishte një burrë i shkurtër, i shkathët dhe mendjeprehtë, i hollë dhe biond. Kur zemërohej me dikë, fillonte t’i lëpinte skajet e gishtave dhe të gjithë rreth tij tashmë dridheshin nga frika se cilit do t’ia drejtonte gishtin për t’a varur. Një serb e ka varur vetëm për faktin se, pasi pashai kishte ndaluar shkapërderdhjen e kooperativave, ky kish shkuar të ankohej se nuk mund të qëndronte në kooperativë edhe sikur ta varte. Pasha ka urdhëruar menjëherë që kjo të bëhej. Ishte gjithashtu pashë shumë i rreptë me fëmijët e tij, kur njëherë i pat thënë njërit prej tyre në mbrëmje se do të shkonte nesër për punë në Gjilan, ky i fundit qe nisur me nxitim dhe duke mbërritur në Gjilan në mes të natës te kushëriri i pashait, dhe kur këta e kishin pyetur për çfarë pune u bëhej kjo vizitë, ai nuk kish ditur tu tregonte, por u ka thënë se nuk guxonte ta priste agimin e mëngjesit.”5
-
1
Sipas Vas në vitin 1812 Jashar Pasha i kishte 24 ose 25 vjet, që do ta nënkuptonte ditëlindjen më 1788 ose 1787 (shih dokumentet).
-
2
Khs. Урош Шешум (2020). Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века. Në Serbian Studies XI, 11–41.
-
3
Shih dokumentet: AP. BOA. HAT. 836/37741, 16 mars 1824; AP. BOA. HAT. 1252/48389, 15.III.1839
-
4
Khs. Урош Шешум (2020). Пашe из породице Џиноли (Џин-Огли) у 18. и првој половини 19. века. Në Serbian Studies XI, 11–41; Урош Шешум (2020). Улога Јашар-Паше Џинолија у разарању српских сакралних споменика на Косову (пример уласка предања у историографију). Në Зборник матице српске за друштвене науке (168) 4, 856.
-
5
Урош Шешум (2020). Приказ стања у приштинском валилуку у времену од првог српског устанка до отварања српских конзулата у Турској Јосифа К. Поповића. Në Serbian Studies VII, 380.