Kërko
Udhëtimi i Evlija Çelebiut nëpër Kosovë në vitin 1660
Me të përfunduar vizitën këtu, morëm udhën dalngadalë drejt lindjes dhe mbërritëm në kalanë e ----, dmth. në Prishtinë. Emri është latin me kuptimin ----. Është themeluar nga mbretërit serbë dhe u pushtua në vitin 792 (1389) nga Sulltan Murad I, i cili e rrafshoi kalanë me themel. Administrohet nga një vojvodë brenda ejaletit të Rumelisë. Ka një kadi me një nivel page 150 akçe, i cili nxjerr edhe një të ardhur të ligjshme prej pesë qesesh në vit nga ---- fshatra. Ka një qehaja [i spahive], një komandant të jeniçerëve, dhe shumë fisnikë e njerëz të parisë. Qyteti gjendet në verilindje të rrafshit të Kosovës. Ka ---- mëhalla dhe 2060 shtëpi një- e dykatëshe me muratura e me çati me tjegulla. Të gjitha kanë oborre të mëdha me vreshta e kopshtije. Ndër ata janë saraja e Koxha Bodur Allajbeut dhe godina e gjykatës. ----
Gjithsej ka 12 faltore, gjashtë prej të cilave janë xhami për t’u falur. E para sosh, në pazar, është ----. Të tjerat janë xhami lagjesh. Ka ---- medrese, ---- shkolla hadithi, ----shkolla fillore, dhe ---- teqe dervishësh. Ka ---- çesma. Numri i haneve është 11. Në Hanin e Haxhi Beut gjendet ky kronogram: “Jemi krenar që datën ta themi me fjalë: Ky han u ndërtua më 1032 (1623).” Në pazar ka hane të tjerë, por asnjë godinë publike me çati plumbi.
Gjithsej ka ---- hamame. Në pazar gjendet hamami i Sulltan Mehmed Pushtuesit. Ai është kthyer në vend përnderimi, sepse një njeri i shenjtë një herë u mbyll për dyzet ditë në një nga kthinat në të djathtë të këtij hamami dhe shqiptoi këtë lutje: “O Zoti im, gjettë shërim çdo i sëmurë që hyn këtu.” Edhe sot e kësaj dite, të gjithë ata që kanë ndonjë sëmundje dhe vijnë këtu, gjejnë shërim, me urdhër të Zotit. Po në pazar është edhe Hamami i Vjetër, mënyra e ndërtimit dhe atmosfera e të cilit vetvetiu të çelin shpirtin e të japin energji e gjallëri. ---- Ndonëse nuk ka bezistan me mure, ka 300 dyqane, të cilat sot janë pak për përmasat e këtij qyteti. Megjithatë, në to gjen ç’të duash. Falë klimës së mirë, djemtë dhe vashat këtu janë me emër në të gjitha trevat osmane për bukuri. Ka vreshta e kopshtije pa hesap, me dardha e rrush mjaft të pëlqyer. ---- Paria dhe familjet në gjendje të mirë e kanë për kënaqësi të presin mysafirë të pasur e të varfër qofshin, të rinj e të moshuar të cilët gjejnë këtu mikpritjen më të pakursyer. Asnjë natë nuk kalon pa mysafirë. ----
Burimi: Robert Elsie (2007). Evlija Çelebiu: nëpër Kosovë, 1669. Në: Albanica Ekskluzive, revistë mujore për dije e kulturë, Prishtinë, 64/65, janar-shkurt, f. 85–88; Gjithashtu: Elsie, Robert / Dankoff Robert (2000). Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Kosovo, Montenegro, Ohrid), Leiden, 11–25. Burimi origjinal: Libri 5, Bagdat 307, foliot 167a-169a. (Përkthimi: Robert Elsie.)