Kërko

1690, Anonim

Faqja e parë e The London Gazette ku flitet për Prishtinën dhe Kosovën në janarin e vitit 1690.

Përshkrim i Kosovës në gazetën The London Gazette

Vjenë, 8 janar. Letrat e fundit nga Bullgaria japin këtë përshkrim të emërtimeve dhe të situatës së vendeve të pushtuara në ato anë, deri tani shumë pak të njohura, për shkak se kanë qenë kaq gjatë nën nënshtrimin e turqve. Prishtina është qyteti kryesor i provincës së Kosovës, ku Forcat, nën komandën e Dukës së Holsteinit, kanë tani shtabin e tyre qëndror. Ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, imperialistët zotërojnë kështjellën e fortë të Kaçanikut, dhe pak më në të majtë, kalanë e Orizares (?) dhe, më larg drejt Sofjes, kalanë e Novo-Bërdos ose Monte-Nuovos, dhe të Vranjës; Sa për Shkupin, duke qenë një vend pa forcë dhe me një shtrirje shumë të madhe për t’u mbajtur, trupat tona e braktisën atë, pasi e kishin plaçkitur dhe i kishin vënë zjarrin qytetit.
Krahas këtyre pikave, që ndodhen shumë larg në kuadër të territoreve turke, Forcat Perandorake janë, në anën e Shqipërisë, zotërues të Prizrenit, ose të Breserenit, të Pershit (?), të Tetovës dhe të disa vendeve të tjera; dhe drejt Bosnjës, të Mitrovicës, Banjskës, Vuçiternës dhe të gjitha posteve të tjera të konsiderueshme, me përjashtim të Kalasë së Zveçanit, e cila është ende në duart e turqve; me çka ata të Bosnjës janë ndërprerë nga çdo komunikim me Krahinën e Shqipërisë, përveçse përmes rrugës së Hercegovinës. Qyteti i Velesit, ku zotëri Janowki kreu veprimin gallant të përmendur në letrën tonë të fundit, [ky qytet] qëndron në anën tjetër të Shkupit, në mes të një qafe të ngushtë që të çon në drejtim të Maqedonisë, rreth tre ditë marshim nga Selaniku: Në këtë vend, i përmenduri Janowki, jo vetëm që mundi 3,000 turq me një çetë të vogël që kishte me vete, por gjithashtu mori qytetin, të cilin ai e plaçkiti dhe dogji, dhe më pas përparoi në drejtim të Tikveshit, që shtrihet në rrugën për në Selanik, por duke kuptuar se 5,000 turq ishin në marshimin e tyre drejt Velesit, megjithëse ishte i aftë të tërhiqej me plaçkën e tij; por vdiq disa ditë pas për shkak të plagëve të mara. Këto burime thonë më tej, se 10,000 tartarë, që kishin kaluar Danubin në Nikopolis, përparuan drejt Shkupit, duke djegur dhe shkatërruar të gjithë vendin përpara tyre; dhe se me të marë këtë lajm, Duka i Holshtajnit kishte mbledhur forcat përreth Prishtinës dhe po marshonte kundër tyre [turqve].

Burimi: The London Gazette, 20–23 janar 1689 [1690], nr. 2525. Material i shtypur.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1690, Anonim, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/39/1690-anonim