Ka lindur në një fshat sot të panjohur në afërsi të Prizrenit në vitin 1627, sipas të dhënave që janë regjistruar në Romë.1 Ka shërbyer si prift dhe arqipeshkv nëpër qendra të ndryshme të Ballkanit, kryesisht në Kosovë. Familja e tij duket se kishin shtëpi edhe në Janjevë, e mbase edhe në Prishtinë. Në një prej relacioneve të tij dërguar Romës e përshkruan shkurtimisht edhe qytetin e Prishtinës,2 e cila në kohën e tij e kishte një kishë të vogël kushtuar Shën Premtës nja gjysmë kilometri larg qytetit.3 Ka qenë i përkushtuar në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve brenda strukturave të kishës katolike, kurse ka qenë aktiv edhe në luftën kunder konvertimit të shqiptarëve në islam, e në çlirimin nga Perandoria Osmane.
Idetë dhe predikimet e tij në këtë drejtim kanë kulmuar veçanërisht në vitin 1689 kur Bogdani ishte bërë udhëheqës i shqiptarëve katolikë dhe atyre muslimanë që ishin bashkuar në anën e austriakëve në luftën osmano-austriake të këtij viti.4 Austriakët bashkë me Bogdanin kishin çliruar Prizrenin, Prishtinën dhe rajonet përreth. Ka vdekur nga murtaja në Prishtinë me 6 dhjetor 1689.5
Më 1 dhjetor 1689, në ditët e fundit para vdekjes, Bogdani e ka shkruar dhe nënshkruar testamentin e tij në Prishtinë. Po e sjellim këtu një fragment të këtij testamenti, të pa përkthyer shqip më parë:
“Ky është vullneti im i fundit, për këtë testament, në mënyrë që të mund të implementohet sa më mirë pas vdekjes sime. Dhe auditori e zyrtarët e tjerë që qëndrojnë në lagjet këtu në qytetin e përmendur [Prishtinë], u urdhëruan të thirreshin; Unë vetë u kam kërkuar që ta nënshkruajnë dhe ta vulosin këtë testament pas meje me dorën dhe vulën e tyre. Kjo është bërë në qytetin e Prishtinës dhe në ditën e mësipërme. Pjetër Bogdani Kryepeshkop i Shkupit, dora vetë.”6
-
1
Shih Bardhyl Demiraj (2016). Grimca biografike mbi autorët tanë të vjetër (III): Rinia dhe formimi teologjik-intelktual i Pjetër Bogdanit. Në Hylli i Dritës (2), 21–40.
-
2
Shih fragmentin e Pjetër Bogdanit te Dokumentet.
-
3
Shih fragmentin e Pjetër Mazrekut te Dokumentet.
-
4
Kristo Frashëri (1990). Pjetër Bogdani dhe lëvizja çlirimtare shqiptare në shek. XVII. Në Studime Historike, Tiranë (1), f. 159–178.
-
5
Shih fragmentin e Gjon Bogdanit të datës 6 dhjetor 1689 te Dokumentet.
-
6
Teksti i plotë në latinisht është botuar nga Odette Marquet (1997). Letra dhe dokumente: nga Arkivi i Kongregatës de Propaganda Fide si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit. Shkodër: Gjergj Fishta. f. 519–521.