Kërko

1800–1817, Félix de Beaujour

Faksimil i faqes së librit ku përmendet Prishtina nga F. Beaujour gjatë vizitës së tij në Prishtinë në vitin 1807. Libri i tij është botuar më 1817.

Voyage militaire dans l’Empire Othoman

Nuk ka më shumë se një ligë nga varri i Mourâdit deri në Prishtinë; një rrugë e niveluar ose fare pak e valëzuar. Prishtina është një qytet me shtatë deri në tetë mijë banorë, gjysmë e fshehur në një vathë toke, ku rrjedh një përrua. Vendi të cilin ajo zë, rrethohet me naltësi drejt skajeve të tij dhe duket e dominuar nga të gjitha anët: gjë që nuk e pengon të jetë rrethuar nga një hendek dhe një gardh metalik, sikur të kishte pasur qëllimin e mbrojtjes. Do të ishte e nevojshme të ngrihej një kamp i përhershëm përreth, ose të ndërtohej një nga këto sheshe të mëdha me mure mbrojtëse në skaje, model që është propozuar kohët e fundit, dhe për çka qyteti aktual do ta përbënte bërthamën. Ky poligon i madh më pas do të shërbente edhe si fortesë edhe si kamp i përhershëm.

Prishtina është kryeqyteti i pashallëkut, ku bashkë me ato të Nishit dhe të Beogradit përbën një nga tre qeverisjet ushtarake të Serbisë. Kjo krahinë, që ndahet nga Bosnja përmes Drinit dhe nga Bullgaria përmes Timokut, zbret nga rrafshnalta e Kosovës deri në bashkimin e dy Moravave në një mënyrë të pavërejtshme, dhe paraqitet si një lloj platforme, rrethuar me brirë malesh, që shtrihet nga Drini deri në Moravën lindore, dhe që është vetëm dhe një zgjatim i rrafshnaltës së Bosnjës; por sipërfaqja e tokës, në veri të kësaj rrafshnalte, bie befas drejt Danubit dhe kufizohet me këtë lumë nga gryka e Savës deri në atë të Timokut.
Prishtina është pika dominuese e këtyre dy zonave, dhe në të njëjtën kohë pika më e rëndësishme ushtarake e Turqisë evropiane: ajo është gjithashtu pikë që ushqen racën më të mirë të burrave dhe ushtarët më të mirë. Në kohën kur froni ishte shpërblim i trimërisë, kantoni i Prishtinës, zemra e Dardanisë, i kish dhënë shumë udhëheqës perandorisë romake.

Burimi: Beaujour, Félix de (1817). Voyage militaire dans l'Empire Othoman, ou Description de ses frontières et de ses principales défenses, soit naturelles soit artificielles. Paris: Firmin Didot, f. 409–410. Material i shtypur.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1800–1817, Félix de Beaujour, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/52/18001817-felix-de-beaujour