Kërko

1812, Antoine Vasse

Përkthimi shqip i një fragmenti të letrës botuar nga Y. Jaka.

Nënkonzulli i Francës në Prishtinë

Pjesë nga letra e 25 gushtit, 1812

Në Prishtinë arrita më 22 gusht në ora një pasdite. Pak më parë në ora dhjetë, dërgova përkthyesin tim nga rruga për ta njoftuar Maliq Pashën mbi mbërritjen time në Prishtinë. Ai më takoi dy pushkëgjuajtje larg nga qyteti me përcjellje që kishte dalë për të më mirëpritur në Prishtinë dhe udhëhiqej nga një oficer i Gjykatës së Pashait në Prishtinë. Më nxorën edhe një kalë parade, të cilin e hipa me ftesë të oficerit të lartpërmendur. Pas përshëndetjeve të zakonshme, kuptova se Maliq Pasha nuk ka qenë në Prishtinë për pesëmbëdhjetë ditë, se do të kthehet pas pesë-gjashtë ditësh dhe se në vend të tij do të më priste nipi i tij Jashar Pasha, i cili në emrin e Maliq Pashës do të më siguronte se sa i kënaqur ishte i njëjti që një agjent konsullor i qeverisë franceze do të qëndronte me të.

Për pak mbërritëm në Prishtinë. Kur shikohet nga kodra, duket më bukur se të gjithë qytetet që kam parë në Bosnje. Më çuan në një dhomë, të përgatitur shpejt e shpejt për mua.

Në orën 5 të mbrëmjes u ktheva te Jashar Pasha, i cili mund të ishte 24 deri në 25 vjeç. Kur iu afrova, ai u ngrit, më uli pranë tij dhe më përshëndeti me gjithë hirin e mundshëm oriental. Biseda përbëhej nga komplimente të ndërsjella dhe nuk ka asnjë vlerë që meriton t'i komunikohet Shkëlqesisë suaj. Nuk doja t’i tregoja asgjë për fermanin, duke menduar se letrën e vezirit boshnjak do t’ia dorëzoja zotërisë kur të më priste.

[...]

Pjesë nga letra e 1 tetorit, 1812 [...]

Qyteti i Prishtinës ndodhet në një ultërisë pranë fushës së Kosovës. Është i përshkuar me hendeqe dhe kanxhela të ndryshkura. Në të jetojnë afërsisht tetë deri në nëntë mijë njerëz. Përreth i kap nja një milje. Është i murosur shumë vrazhë dhe ka shumë kopshte. Shtëpitë janë shumë të ulëta dhe gati krejt përdhesë. Disa prej tyre janë të bojës së njejtë. Nuk ka ndonjë përmendore që do të dëshmonte vjetërsinë e qytetit, përveç disa krojeve, të cilat nuk kanë asgjë të veçantë. Për to të krishterët thonë se janë ngritur nga të krishterët para pushtimit të sulltan Muratit. Qyteti nuk është aspak i tregut. Në të punohen disa enë shumë të vrazhda prej dheu dhe stofra të ashpra, që përdoren për paketimin e pambukut. Megjithatë në Prishtinë dy herë në vit mbahet panaxhuri. I pari në prill brenda në qytet, dhe i dyti në shtator, jashtë qytetit. Tregtarë nga Shqipëria, prej një pjese të Bosnjes, prej Selanikut, prej Drenopolit, prej Nishit e vendeve të tjera të afërta vijnë gjatë kësaj kohe në Prishtinë, dhe mblidhen në masë prej 1200 deri në 1500.

Burimi: Jaka, Ymer (1974). Një përfaqësi diplomatike e Napoleonit në Prishtinë. Në Kosova, Prishtinë, Instituti i Historisë (3), f. 413–434; Novakovic, St. (1896). Francuske službene beleške o zapadno-balkanskim zemljama 1806-1813. Në Spomenik (30), Beograd, f. 145–154. Dokumentet origjinale: Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Nantes. (Përkthimi: Ymer Jaka.)

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1812, Antoine Vasse, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.11.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/53/1812-antoine-vasse