Kërko

1863, Georgina Muir Mackenzie, Adelina Paulina Irby

Njëra prej faqeve të librit ku përmendet edhe Prishtina.

Udhëtim në Provincat sllave të Turqisë Evropiane

Udhëtimi nga Graçanica për në Prishtinë nuk llogaritet më shumë se një orë e gjysmë. Qyteti qëndron në tokën e bregëzuar ku kodrat përreth përzihen me rrafshinën. Është qytet i pistë dhe i vogël, por bën një shfaqje të denjë nga largësia, për shkak të minareve të njëmbëdhjetë xhamive, që thuhet se janë ngritur nga gra turke, burrat e të cilave ranë në betejën e Kosovës. Një tipar piktoresk është njëra kodër e vogël në të djathtë, e cila në kohën e vizitës sonë ishte e mbushur me çadra ushtarake të bardha dhe jeshile. Në përgjithësi ka një regjiment kalorësie të vendosur në fushë gjatë verës; kurse në kamp, si në qytet, turku e tregon shijen e tij duke shfaqur hijeshinë e të bardhës me të gjelbër. Kaimakami i Shkupit a ka dërguar një letër që na rekomandonte te mudiri [udhëheqësi] i Prishtinës; dhe kjo letër pati një efekt të shkëlqyeshëm, sepse përveçse na mundësoi të takoheshim në manastir, ai [mudiri] na gjeti dhe banesë shumë të mirë në qytet. Shtëpia e zgjedhur ishte ajo e peshkopit, e cila, megjithëse nuk i përgjigjej plotësisht idesë evropiane të një pallati peshkopal (ai mburrej me [vetëm] katër dhoma, tre të vogla dhe një të madhe), megjithatë ishte një vendbanim i këndshëm. Vetë prelati, një fanariot, ishte natyrisht larg në Konstandinopojë dhe komuniteti nuk e ndjente shumë mungesën e tij; as ne, pasi si pasojë erdhëm në dhomën e tij të madhe, të freskët dhe të këndshme, me një varg dritaresh nën hijën e çatisë së dalë. Nga këto dritare është më e këndshme pamja prej shtëpisë, e cila qëndron në një shpat, që shikon poshtë në qytetin e grumbulluar, dhe përtej tij më larg [sheh] mbi rrafshnaltë në kufi me hije kodrash të largëta.

Menjëherë pas mbërritjes sonë, mudiri i Prishtinës e dërgoi [dikend] për të na ofruar një vizitë dhe më pas u shfaq, jo si zakonisht në formën e një osmanliu të trashë dhe të yndyrshëm, por si një shqiptar i regjur me një mantel të gjelbër të veshur me gëzof. Ai ishte një plak me pamje të bukur, me flokë të argjendtë, me sy të zinj vezullues, një kompleksion të zbehtë, dhe me një pamje të një linje gjaku që nuk e ka fituar pozitën e tij duke u ngritur prej një çakmakxhiu apo kafexhiu. Në pak minuta shoqëruesi i mudirit na njoftoi se eprori i tij vinte me të vërtetë nga një racë fisnike dhe, ndërsa shfaqëm interes të theksuar për këtë temë, vetë mudiri mori fjalën dhe na tregoi emrin e familjes së tij, duke shtuar se ata ishin të gjithë gegë nga raca dhe se në vendin e tyre askush nuk fliste asnjë fjalë turqisht. Kështu të inkurajuar ne vazhduam ta pyesnim për familje të tjera të Shqipërisë së Veriut, dhe veçanërisht nëse ai ishte dakord me informatorin e konsullit Hahn se shtëpitë më të mëdha ishin ato të Ismail Pashës dhe Mahmut Begollit. Ai tha se [këto familje] ishin të rëndësishme, por se pinjolli i fundit i njërës prej tyre ishte futur në shërbim të sulltanit, duke shtuar me përbuzje: “Ai është një djalë i vogël me gungë në kurriz” dhe duke imituar gungaçin.

Duke iu referuar vizitës sonë, mudiri na tha se ishte veçanërisht i gëzuar që na priste, pasi dikur kishte shërbyer nën komandën angleze dhe ishte mjaft i kënaqur me trajtimin dhe pagesën që i ishte bërë. Gjatë luftës së Krimesë ai kishte shoqëruar një konsull anglez nëpër rrethet e Pejës dhe Deçanit për të fituar rekrutë. “Manastirin e Deçanit sigurisht e njihni — pasi është më i madhi në botë.”

Kur mudiri iku, erdhi koxhabashi [kryetari i komunitetit] serb për të na lutur të vizitonim shkollën e krishterë. Pas asaj që kishim parë në Graçanicë, pritshmëria jonë ishte në nivelin më të ulët, dhe për këtë arsye ne ishim më se të kënaqur me befasinë e këndshme që kishim para vetes. Salla e shkollës ishte e madhe, e ajrosur, e pastër, e pajisur siç duhet dhe e zbukuruar me tekste nga Bibla sllave, të shkruara me në forma rrethore në dyer dhe mure. Këto rrotulla janë vepër e mësuesit, serb nga Mitrovica, në kufirin austriak të Savës; dhe ai u ka dhënë aq shumë përkushtim nxënësve të tij, saqë ata jo vetëm shkruajnë mirë, por edhe vizatojnë. [...]

Shkolla e Prishtinës përmban një dhomë të dytë të madhe, e cila do të ishte e përshtatshme për një klasë të vajzave; por si zakonisht mungonte një mësuese kurse dhe zakonet e kësaj pjese të vendit kundërshtonin që djemtë dhe vajzat të mësojnë bashkë. Ekzistonte edhe një pengesë tjetër. Madje edhe djemtë në rrugët e këtejshme ngacmoheshin nga trazovaçët shqiptarë (arnaout), — paramendoni si do të ishte fati i vajzave? Ky argument u veçua nga koxhabashi dhe me pas drejtori i shkolles iu përgjigj: - “A e di çfarë më kanë thënë mua? Mudiri i ri e ka njoftuar mexhlisin [kuvendin e komunës] se ishte kënaqësi e Sulltanit që fëmijët e nënshtetësve të tij të shkonin në shkolla, pa përjashtuar edhe fëmijët e shqiptarëve (arnaouts). Tani nëse të rinjtë shqiptarë do të mbylleshin në detyrat e tyre [në shkolla], tanët mund të ecnin në rrugë pa shqetësim.” Na hodhi një sy koxhabashi, si për të parë sa shumë besuam dhe më pas tha shkurt: “Kur arnaoutët të heshtin dhe të shkojnë në shkollë si të tjerët, sigurisht që do të jetë një gjë e shkëlqyer.”

Koxhiabashi i përmendur nuk ishte veçanërisht liberal në lidhje me arsimimin e femrave. Ai na potencoi se në komunitetin e tyre shumë nga djemtë ishin ende të pamësuar dhe nuk do të ishte mirë që gratë të dinin të lexonin dhe të shkruanin para burrave. Pas kësaj, ne i treguam disa libra të lidhur bukur dhe i thamë se për nga përmbajtja ishin histori dhe regjistrime të udhëtimeve të shkruara nga gratë. Ai i shqyrtoi nga afër veprat dhe i kërkoi mësuesit të shkollës, i cili dinte shkronja latine, të deshifronte titullin, duke shtuar: “A je plotësisht i sigurt se nuk është as letër, as këngë?” “Shumë e sigurt,” u përgjigjëm ne; dhe drejtori i shkollës konfirmoi deklaratën tonë. Atëherë koxhabashi tha: “Nëse gratë do të shkruajnë libra të tillë, ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjnë këto tonat.”

Pasi u largua [koxhabashi], drejtori i shkollës na tha se banorët e Prishtinës kanë përgjithësisht dhuntinë e improvizimit të poezisë, dhe se këngëve kombëtare që në vazhdimësi i recitojnë, u shtojnë të tjera të kompozuara për ngjarje të ndryshme të jetës së tyre. Sigurisht që kjo dhuratë kthehet dhe në afri mes gjinive, dhe për këtë arsye ekziston një nocion që nëse gratë mund të shkruanin, ato do të ishin përgjithmonë duke shkruar letra dashurie. Ide të tilla mbizotërojnë natyrshëm në një vend që prej kohësh i është nënshtruar ndikimit mahomedan, por këngët e vjetra na tregojnë për zonjat serbe që “shkruanin si burra”.

Megjithatë, me gjithë paragjykimet e tij, koxhabashi ishte në Prishtinë një apostull i përparimit. Për shkak të tij qe ndërtuar shkolla e re dhe nga ai është gjetur dhe sjellë mësuesi. Në mungesë të peshkopit që s’qëndronte aty, është ai që udhëheq komunitetin e vogël të serbëve; për më tepër, edhe pse vinte si një nga anëtarët e tyre më të varfër, ai zgjidhej për t’i përfaqësuar ata në mexhlis, sepse me sjelljen e tij u kish bërë merita dhe guxonte të fliste para turkut. Sigurisht ai kishte qenë [për vizitë] në Serbinë e Lirë. Kjo vërehet menjëherë; sepse edhe ky, si njerëzit përtej kufirit, mbante kokën lart dhe shfaqej si burrë. Pyetja është, pse u kthye? Këtë pyetje ua bënim shpesh personave të respektuar që ishin kthyer në mënyrë të ngjashme në qytetin e tyre të lindjes, ndonëse gjendja e gjërave në të ishte e tillë për të cilën ata rënkonin. Përgjigja ishte si vijon: Në raste të tilla e gjithë familja posedon një copë tokë, ose një dyqan të vogël këtu në Turqi, dhe turqit hedhin çdo pengesë në rrugën e tjetërsimit të pasurisë për qëllime emigrimi. Pastaj, ndërsa disa anëtarë të familjes janë të gatshëm të shkojnë, të tjerët nuk mund të durojnë të lënë vendlindjen e tyre ose miqtë e rinisë së tyre dhe, në vend që të braktisin familjet e tyre, burrat e guximshëm mbesin. Prap, nëse nuk shkojnë në Serbi para se të formohet mënyra e tyre e jetesës, ata rrallë mund të mbajnë ritmin edhe me punëtorët e principatës ngase zakonet e tyre janë të parregullta dhe përtace; ata nuk mund të kursejnë aq sa për të sjellë familjet e tyre, dhe në vend që t’i braktisin kthehen në Turqi. Por në vend të tyre ata dërgojnë fëmijët; djali i vogël i koxhabashit qe atëherë në prag të udhëtimit. [...]

Në Prishtinë i larguam qiraxhinjtë që na kishin shoqëruar nga Manastiri. Kuajt e tyre të ushqyer me bar ishin të dërmuar tërësisht dhe ne kaluam aq shumë ditë duke pushuar, sa që ishte një shpenzim i paarsyeshëm që t’i paguanim kur nuk ishin në përdorim. S’kaloi shumë kohë prej kur i lamë, kur të shkretët u ndeshën me një fatkeqësi të rëndë. Si zakonisht, për të kursyer pagesën për kuajt e tyre në han, ata i vendosën nëpër kullota. Gjatë natës, në një vend të pa njerëz, ata u përballën nga disa arnaoutë, të cilët duke u shtirur si policë, i akuzuan që i kishin lënë kuajt të kullosnin në filan vende, [pastaj] i pyetën për emrat e tyre dhe në përgjithësi i maltretuan. Kur më në fund qiraxhinjtë u përmbledhën disi për të rehatuar këta torturues dhe i mblodhën kuajt në një vend, zbuluan se u mungonin tre prej tyre. Menjëherë nisën të këta kinse policë s’ishin gjë tjetër veçse anëtarë të një grupi hajdutësh të kuajve, që i kishin marrë në pyetje thjesht që pjesa tjetër e ekuipazhit të kishte mundësinë t’ua merrte kafshët. Por tani kishte rrënë mbrëmja, nuk mund të nisej ndonjë kërkim; kurse të nesërmen në mëngjes, në agim, një kërkim i zellshëm arriti të rikuperonte, jo kuajt, por bishtat e tyre që ishin lënë përtokë. Me këtë zbulim, qiraxhinjtë e konsideruan të sigurt se kafshët e tyre nuk kishin humbur thjeshtë rrugën, dhe zbritën përsëri në qytet për të parë nëse mund të bëhej diçka për t’i rimarrë ata nga hajdutët. Për t’u betuar se kuajt kishin qenë në zotërimin e tyre gjatë natës, ata thirrën dëshminë e rojës sonë, “sepse betimi i tij, si një musliman, do të pranohej dhe i tyri jo.” Këtë na e shpjegoi roja vetë, si musliman, kur kërkoi leje për të shkuar me ta.

Sapo mudiri dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, vendosi t’u jepte udhëtarëve frengë që po e vizitonin një provë të zellit të tij; prandaj dërgoi në pazar dhe zuri dy shqiptarët e parë të huaj mbi të cilët mund të vinin duart policët e tij; pastaj na lajmëroi se hajdutët u kapën dhe se do t’i dërgonte të ngarkuar me zinxhirë në Prizren. Nëpërmjet dragomanit tonë ne pyetëm qiraxhinjtë, nëse ata mendonin se shqiptarët e burgosur ishin vërtet hajdutë. Ata u përgjigjën se ishte shumë e pamundur, pasi burrat që vodhën kuajt e tyre nuk do të gjendeshin të nesërmen në mëngjes duke ecur nëpër pazar; ata pa dyshim ishin nisur dhe kuajt ishin me ta. Veç kësaj, të gjorët qiraxhi theksuan se ajo që ata donin të kapte mudiri ishin, jo hajdutët, por kafshët e vjedhura, dhe për këtë qëllim ende nuk ishte ndërmarrë asnjë hap. Ne menduam për një ligj vjetër të Car Dushanit, i cili vendoste që nëse magjistratët dhe fisnikët e një rrethi nuk e mbanin atë qark të lirë nga grabitësit, ose, kur kishte ndodhur një vjedhje, ata nuk mund t’i gjenin hajdutët që t’i detyronin të kthenin mallrat e vjedhura, ata, fisnikët dhe magjistratët, duhet të dëmshpërblenin vetë udhëtarin e grabitur. Dukej se një ligj i këtij lloji ishte ende i nevojshëm për të shpejtuar ekzekutimin e drejtësisë në Serbinë e Vjetër.

Sidoqoftë, ne i pyetëm qiraxhinjtë meqë ata besonin se shqiptarët e kapur nuk ishin ata që u kishin vjedhur kuajt, nëse nuk ishte më mirë atëhere që të liroheshin. Por këtë askush nuk donte as të dëgjonte: “Të gjithë arnautët ishin hajdutë! Nëse të burgosurit tani nuk do t’i kishin vjedhur kuajt në fjalë, ata kishin vjedhur të tjerë ose ishin gati t’i vidhnin. Vetë mudiri i kishte shpallur qytetarë të dëmshëm (mauvais sujets), llafet e tyre nuk ishin në rregullin e duhur dhe dëshmia e tyre për veten e tyre nuk përputhej me njëri tjetrin. Le të qëndrojnë në burg me çdo kusht; padyshim që mudiri do t’i linte të dilnin sapo ne të iknim."

Duke qenë se kuajt nuk ishin tanët, as më në shërbimin tonë, ne nuk e pamë se mund të ndërhynim më tej, dhe kishim vërtet frikë ta bënim këtë nga fakti se mos shkaktonim që persona të tjerë të futeshin në burg. Me sa duket drejtësia ishte përtej funksioneve të mudirit dhe të gjitha paraqitjet nga ana jonë do të konsideroheshin thjesht si thirrje për hakmarrje. Në këtë pjesë të botës, nëse një person i privilegjuar kërkon drejtësi, dikush është i sigurt se do të ndëshkohet, dhe atë shpejtë — pastaj nëse ai është fajtori apo jo, miret si çështje e perceptimit mes palëve.

Burimi: Mackenzie, G. / Irby, A. (1877). Travels in the Slavonic provinces of Turkey-in-Europe. Londër: Daldy, Isbister and Co. (Botimi i pestë), f. 193–234. Material i shtypur. 

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1863, Georgina Muir Mackenzie, Adelina Paulina Irby, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/61/1863-georgina-muir-mackenzie-adelina-paulina-irby