Kur analizojmë prejardhjen e një qyteti, është e rëndësishme të marrim në konsideratë jo vetëm gjurmët arkeologjike, por edhe aspektet jo-fizike të origjinës së tij. Strukturat fizike, si rrënojat arkeologjike dhe ndërtesat historike, ofrojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit, por për të kuptuar plotësisht rrënjët e tij, duhet të shohim edhe ndikimin e trendeve shoqërore në zhvillimin e qytetit. Kjo përfshin analizimin e faktorëve si zhvillimi ekonomik, politikat urbane dhe aspektet kulturore që kanë formuar qytetin.1 Para formimit të qytetit, ekzistonte një kontekst më i gjerë shoqëror dhe natyror që përfshinte fshatra, zona fetare, kampe, si struktura të bashkëjetesës. Shoqëria e hershme ka treguar tendencë të vazhdueshme për pozicionim hapësinor dhe organizim, karakteristikë që reflektohet në formën përfundimtare të qytetit. Përtej strukturave materiale, qyteti është shprehje e nevojave njerëzore për bashkëpunim, ndërveprim social dhe zhvillim kulturor. Kjo platformë i dedikohet historisë urbane të Prishtinës nga shek XIV deri ne XX. Periudhë që përfshin zhvillimin e qytetit nën sundimin e Perandorisë Osmane. Ndryshimet urbane në qytetet e Ballkanit, përfshirë Prishtinën, ishin të thella e lehtë të vrejtëshme. Nën influencën e tyre, qytetet u transformuan nëpërmjet praktikave dhe karakteristikave të veçanta.
Ideologjia islame e Perandorisë Osmane shoqërohej me ndryshime të thella urbane në qytetet e pushtuara. Një nga manifestimet më të dukshme të këtij ndryshimi ishte konvertimi i kishave në xhami, shenjë e qartë e pushtetit të ri dhe manifestim i transformimit kulturor dhe fetar të qytetit. Pazaret gjithashtu luanin rol të rëndësishëm në jetën urbane të kohës së Perandorisë Osmane. Ato u bënë qendra ekonomike të qyteteve, duke shërbyer si vende tregtare dhe hapësira për socializim dhe aktivitete kulturore që reflektonin jetën urbane. Muret e larta mbrojtëse ishin një tjetër karakteristikë e rëndësishme e qyteteve në kohën e Perandorisë Osmane. Këto mure simbolizonin autoritetin dhe identitetin e qytetit, ndërsa shërbenin edhe si mbrojtje nga rreziqet e jashtme, duke e bërë qytetin vend të sigurt për banorët. Prishtina, me pozicionin gjeografik dhe mbrojtjen natyrore nga malet, që formonin një amfiteatër natyror, ishte pikë strategjike e rëndësishme për tregtinë dhe komunikimin në Ballkan duke e bërë vendosjen e mureve mbrojtëse të pakuptimtë. Demografia mund të jetë një indikacion se Prishtina nuk u krijua nga turqit, por u zbulua nga ata. Megjithatë, edhe për sigurinë, shqetësimi mund të vinte vetëm nga brenda, nga shqiptarët që mund të rrebeloheshin kundër perandorisë, dhe jo nga jashtë. Prandaj, para se të bëhej qyteti në kuptimin e sotëm, Prishtina kishte të gjitha tiparet e një qyteti, përveç mureve mbrojtëse që asnjëherë nuk iu vendosen. Në këtë kuptim Prishtinasëve autokton ju takon ajo që Platoni e cilëson si shpijka më e vlefshme e njerzimit - krijimi i qytetit.2
Qyteti i Prishtinës, nën sundimin osman, përjetoi ndryshime thelbësore në strukturën hapësinore dhe shoqërore.3 Qyteti dhe struktura urbane në këtë periudhë ndahej në katër grupe funksionale: banimi, aktivitetet ekonomike, aktivitetet fetare-kulturore dhe hapësirat e publike. Në qendër të Prishtinës ndodhej çarshia, lagja tregtare ku ndërtesa kryesore ishte bedesteni, treg i mbuluar me çati dhe dyer të mëdha, ku ruheshin mallrat e tregtarëve. Zejtarët, ose tregtarët, kishin dyqanet e tyre në këtë lagje.4 Në shekullin e XIX, çarshia kishte mbi 500 dyqane të organizuar sipas zanatit për prodhimin dhe tregtimin e produkteve artizanale.6 Përveç të tjerash, prodhoheshin rroba, qilima dhe produkte të tjera nga pambuku dhe liri. Në vitin 1912/13, bedesteni u rrënua kur çarshia u dogj. Produktet bujqësore plotësonin nevojat e vendit dhe disa prej tyre eksportoheshin. Në zonën rreth Prishtinës, popullsia merrej me blegtori pasi kishte kullosa dhe pyje. Prandaj, një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ekonomik ishte rritja e deleve, lopëve, kuajve dhe kafshëve të tjera shtëpiake.
Prishtina ka qenë vendi i dy panaireve relativisht të mëdha në Ballkanin Perëndimor, të organizuara dy herë në vit, dhe zgjasnin 15 ditë. Këto ngjarje tërhiqnin shpesh nga 12,000 deri në 15,000 tregtarë, jo vetëm nga Perandoria Otomane, por edhe nga Evropa. Ata sillnin me vete produkte nga rajonet më të largëta të Perandorisë dhe jashtë saj. Esnafët ishin pjesë e hierarkisë së lagjes, grup i gjerë që përfshinte tregtarët, zanatçiun dhe profesionistët e tjerë. Ata përfaqësonin interesin e tregtarëve para autoriteteve dhe kishin rol të rëndësishëm në organizimin e jetës shoqërore dhe ekonomike të qytetit. Esnafët kishin strukturë të veçantë hierarkike rregulla të caktuara e standarde për të garantuar cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të tyre.
Qysh nga antikiteti, ndërtimi i qyteteve ka pasur në theks të veçant nderimin e zotrave. Ndërtuan tempuj dhe monumente kulti që shërbenin si vende të adhurimit dhe ceremonive fetare. Në kontekstin e qyteteve osmane, kjo traditë vazhdoi. Qyteti i Prishtinës ndërtoi objekte të rëndësishme që kishin rol kulturor dhe fetar. Objektet e kultit dhe infrastruktura përcjellëse ishin pikat kyçe në qytet. Për shembull, xhamitë më të rëndësishme u vendosën në qendër të qytetit, shpesh në afërsi të çarshisë, duke simbolizuar lidhjen mes aktivitetit ekonomik dhe praktikave fetare islame. Objekte të tjera si fontanat, ku u zhvillohej procesi i pastrimit para namazeve, dhe Sahat kulla, për shenjimin e kohës së namazeve, shërbenin për nevojat e praktikave fetare dhe sociale. Gjithashtu, banjat me avull (hamami) ishin pjesë thelbësore e peizazhit urban të qytetit, duke ofruar ambient të veçantë për pastërtinë personale dhe relaksim, si dhe për t'i bashkuar njerëzit në një ambient shoqëror dhe kulturor. Këto elemente të qytetit osman tregonin për bashkëjetesë harmonike mes jetës urbane, aktiviteteve fetare dhe praktikave sociale. Mirëmbajtja e institucioneve të tilla kryhej kryesisht përmes vakëfeve, fondeve të themeluara nga familje si formë takse ose donacione të devotshme, për të ndihmuar në ruajtjen dhe ndërtimin e strukturave publike.5
Lagjet e qytetit ishin sfera private ku banorët jetonin përditshmërinë e tyre organizuar sipas rregullave dhe traditave lokale. Këto lagje, të ndara sipas etnisës, fesës, besimit ose origjinës gjeografike, zhvillonin identitetet e tyre unike. Struktura sociale e qytetit shpesh pasqyrohej në pamjen e lagjeve, ku shtresat më të pasura banonin më në qendër të qytetit, ndërsa ata më të varfër jetonin në periferi. Lagjet kryesisht populloheshin me shtëpi njëkatëshe dhe kopshte private para tyre. Mungesa e gjelbërimit në rrugët e ngushta të qytetit kompensohej nga këto kopshte para çdo shtëpie banimi. Prishtina numëronte edhe një numër të konsiderueshëm hanesh për kalimtarët dhe vizitorët e kohës. Disa prej shkrimeve të rëndësishme për Prishtinën e asaj periudhe i gjejmë pikrisht përmes rrefimeve të shkruara të këtyre kalimtarëve, që përshkruajnë Prishtinën si qytet mikpritës dhe të pastër. Në ditët e sotme, pak ka mbetur nga kjo trashëgimi e qytetit të vjetër të Prishtinës. Disa objekte po renovohen tash se voni, por shumica e qytetit të vjetër është shkatërruar gjatë periudhës së Jugosllavisë si pjesë e një përpjekje për të fshirë trashëgiminë historike të qytetit. Megjithatë, Prishtina nuk mund të reduktohet vetëm në muret e qytetit të vjetër që mbeten sot. Ajo ka ekzistuar dhe zhvillohet përtej këtyre kufijve, duke ndryshuar dhe rritur në mënyra të ndryshme nëpër shekuj. Trashëgimia e qytetit të vjetër të Prishtinës është shumë më e gjerë se sa strukturat arkitekturore që mbeten. Ajo përfshin historinë, kulturën, dhe traditat e popullit të saj. Kjo trashëgimi ndjehet në rrugët e sheshet e qytetit të vjetër, në ngjarjet kulturore dhe artistike, dhe në identitetin e komunitetit. Edhe pse shumë prej strukturave fizike janë shkatërruar, trashëgimia e Prishtinës nuk është zhdukur plotësisht.
Autorja është studiuese e filozofisë, aktiviste politike me interesim të veçantë rreth zhvillimit urban të qyteteve.
-
1
Henri Lefebvre (2003). The Urban Revolution. Mineapolis-Londër: Univeristy of Minnesota Press, f. 1-23.
-
2
Khs. Yves Charbit (2002). The Platonic City: History and Utopia. Në Population Vol. 57 (2), F 207-235. Sipas përkthimit në anglisht të Arundhati Virmani.
-
3
Khs. Jahja Drançolli (1988). Fillët e ndikimit osman në viset e banuara me shqiptarë dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Gjurmime Albanologjke (18), Prishtinë.
-
4
Mbi këtë shih edhe Dokumentet e viteve 1700-1799.
-
5
Shih pjesën e Dokumenteve, për shembull këtë dokument.
-
6
Sami Frashëri (1984). Vepra 7. Prishtinë: Rilindja, f. 475-476; Shih fragmentin te Dokumentet.