Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të qasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë. Atëhere çfarë është kjo platformë? Edhe pse po bëhet?
Në mungesë të një emërtimi më të mirë, ne e kemi quajmë qerthull1 të historisë së Prishtinës. Shkencat humane dhe teknologjia digjitale janë treguar një përzierje e dobishme, që lejon përkthim të materialeve nga gjuhë të ndryshme me lehtësi, qasje të shpejtë në materiale digjitale të arkivave e librarive kudo në botë. Analiza më të shpejta e kualitative, e patjetër edhe paraqitje grafike më cilësore e të sakta. Pra, kërkimi shkencor sot është shumë më i lehtë. Në anën tjetër e njëjta teknologji dhe ndërthurja e fushave lejon që edhe paraqitja e të dhënave për publikun të bëhet më shpejtë, më lehtë e më mirë. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur që duke përdorur përbashkimin e shkencave humane me teknologjitë digjitale të prodhojmë një platformë shkencore që është i dedikohet një publiku të gjërë. Pra, jo të kemi një revistë shkencore që do të përdoret dhe kuptohet vetëm nga specialistët; por as një platformë turistike që sjellë vetëm të dhënat kryesore, por të prodhojmë diçka që është në shërbim të të dy këtyre grupeve. Një platfromë laramane. Gjithsesi projekt më i lehtë në letër se në praktikë.
Duke qenë me këtë synim në mendje, tekstet dhe artikujt që do të botohen këtu, mund të jenë të shkurta dhe me gjuhë të thjeshtë, por gjithmonë të referuar mirë në fusnota, e me burime të verifikuara. Qerthulli do të ketë ngjashmëri me muzetë në kuptimin që materialet do të paraqiten në forma të kategorizuara, duke pasur cak një publik heterogjen. Tre lloje materialesh do të përpilohen me këtë rast: (1) ‘Historia e Prishtinës në kontura të përgjithshme,’ që është pjesa më sipërfaqësore e platformë. Zakonisht e përbërë nga tekste shumë të shkurta (me shpresë edhe interesante) me të dhëna të verifikuara por që përgjithësisht janë të njohura mirë nga publiku specialist. Ky lloj mund të ketë më shumë grafika, interaktivitet dhe paraqitje grafike; (2) ‘Historia e Prishtinës për një publik më të interesuar,’ që sjellë detaje dhe të dhëna më të rralla mbi një temë të caktuar rreth historisë së qytetit. Pra, një paraqitje më e detajuar e të dhënave të nivelit të parë; dhe, (3) Historia e Prishtinës për ata që kanë interesim të thelluar mbi një çështje, e që mund të jenë edhe studiues. Ky lloj materialesh mund të jetë më i gjatë, dhe t’u ngjajë më shumë artikujve shkencor që botohen nëpër revista të fushës.
Koha e synuar përmes këtij qerthulli kap periudhën nga atestimi i parë i qytetit në fund të shekullit XIII, e deri në fund të shekullit XIX. Arsyet pse i kemi zgjedhur këto data ka të bëjmë janë disa. Së pari, interesimi i përgjithshëm i studiuesëve për këtë periudhë është në rënie e sipër. Në rritje (megjithëse ende fare fare pak në vëllim) janë kërkimet e periudhës pas luftës së dytë botërore, kryesisht nga një këndvështrim më kulturor. Në rritje, me shumë të drejtë, janë edhe studimet rreth luftës së fundit. Studimet për periudhën e shekullit XIX dhe më herët, për arsye të ndryshme botohen shumë më rrallë dhe nëpër revista që nuk gjithherë të dedikuara për një publik të gjërë. Në anën tjetër kjo periudhë e historisë është e ngarkuar me aq shumë kundërthënie politike sa shpesh të dhënat duket të jenë të komprometuara. Rol jo të vogël luan edhe fakti se dokumentet nga kohërat më të hershme nuk janë lehtësisht të çasshme për publikun, ato ndodhet të shpërndara nëpër arkiva të ndryshme nëpër qendra të ndryshme në Vjenë, Romë, Dubrovnik, Venedik, Stamboll e Beograd. Pra, vështirësia në çasje të dokumenteve, kompleksiteti e ngatërrimi i rrëfimeve të periudhës para shekullit XX e bën atë më pak tërheqës për kërkuesit dhe ndoshta për lexuesit e zakonshëm.
Në thelb të qerthullit qëndrojnë dokumente origjinale të historisë së Prishtinës që mbahen nëpër arkiva të ndryshme. Këto mund të jenë botuar ndonjëherë në shqip, apo më shpesh në gjuhë të tjera, por asnjëherë s’janë mbledhur në një vend për të qenë të hapura për një publik të gjerë. Në anën tjetër, një pjesë e dokumenteve botohen këtu për herë të parë, duke lejuar (dhe me shpresë nxitur) studime rreth historisë së Prishtinës nga specialistë e profesionistë të ndryshëm të shkencave humane. Në bazë të këtyre dokumenteve janë prodhuar disa artikuj, të llojeve të ndryshme, disa më të gjata e të detajuara, e disa më të shkurta e sipërfaqësore, por gjithmonë informative.
-
1
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe me këtë emërtim gjejmë shumë kuptime, dhe jo gjithmonë krejt të përafërta. Në rastin tonë përdorimi është në kuptimin figurativ si “[v]arg ngjarjesh, veprimesh a dukurish, që përbëjnë një rreth të plotë. Endi një qerthull legjendash. Tregoi një qerthull veprash trimërie.” Platforma endë një qerthull të vërtetash për historinë e Prishtinës.