Pretraga

1838, Ami Boué

Një faqe nga përshkrimi i Prishtinës prej A. Boue. Faksimil nga Biblioteka Kombëtare e Francës.

Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe. détails géographiques, topographiques et statistiques sur cet empire

Prishtina
Prishtina, e quajtur Prishtinë nga hartografët, e ka marrë emrin nga prischt ‘tumor, vlim’ sepse kodra në perëndim të qytetit merr një forme të parregullt prej një procke që vjen prej anës lindore të luginës së Sitnitcës. Ky qytet është për momentin më i madhi në këtë pjesë të Serbisë së Vjetër (Stara Srbia), në të cilën serbët përfshijnë dhe rrethin e Novipazarit, Metohisë [Metohija] dhe Moesisë së Epërme perëndimore deri në kufirin maqedonas. Në një distancë rreth 17 orë nga Peja, ky qytet krejt i hapur fillon në një luginë të vogël që shtrihet në lindje në formën e një amfiteatri deri në shpatet e fundit të një kreshte të ulët në një pjerrësi që duket mjaft e pakëndshme. Nëse kodrat në perëndim dhe në veri janë të mbuluara me vreshta, ato në lindje në lartësi popullohen tërësisht nga kullota të thatë, ndërsa pjesa e poshtme shërben si varrezë e qytetit.
Midis kësaj të fundit [varrezës] dhe shtëpive të para janë mbetjet e një hendeku të vogël dheu dhe ca parapete të ulëta që datojnë nga koha e trazirave në 1806 kur banda hajdutësh terrorizuan fshatin. Në veriperëndim ka një varrezë tjetër. Shumica e rrugëve janë të pa shtruara dhe të parregullta. Ato pastrohen nga shiu dhe nga përroi i vogël i sipërpërmendur. Dyqanet e kasapëve në rrugën kryesore ofrojnë copa të mëdha mishi dhe zorrësh që pikojnë gjak në një hapësirë prej 20 hapash, dhe qentë bojëkafe luftojnë mes vete për këto mbetje në një skenë të tmerrshme lara-larëse.

Ndërtesat e vetme që bien në sy në Prishtinë janë kulla e sahatit dhe dymbëdhjetë xhami, dy prej të cilave janë të larta dhe në formë të rrumbullakët, të pikturuara në arabeska ose në thënie të gjata nga Kurani. Një xhami e vogël u ndërtua nga Jashar Pasha, i cili e mbajti atë post në 1837 dhe 1838. Pazari është i mbuluar me dërrasa dhe ka një kafene ku bashkohen tre rrugët kryesore. Konaku i pashait është një ndërtesë e madhe e ndërtuar pjesërisht prej druri. Ka dy krahë dhe katin e sipërm me oborr të madh katror, korridore të bollshme dhe shkallë druri, sipas zakonit. Njëri krah i konakut është pikturuar në arabeska. Ajo lidhet mbi rrugë me haremin që është gjithashtu një shtëpi mjaft e madhe, kryesisht prej druri, me dritare të mbyllura. Divani i pashait nuk ka dritare xhami. Dritaret mbyllen thjesht duke u palosur në grilat prej druri. Në tavan kishte edhe fole të dallëndysheve.

Prishtina më dukej se kishte një popullsi prej rreth 7,000 deri në 9,000 shpirtra, në mesin e të cilëve ka një numër të mirë të serbëve ortodoksë së bashku me shqiptarët dhe serbët gjysmë myslimanë. Z. Jurishiq vlerësoi 3,000 shtëpi, një e treta e të cilave ishin serbe. Ky është kryeqyteti i pashallëkut të vogël që përfshin jo vetëm pellgun e Sitnicës deri në Vushtrri, por edhe një pjesë të maleve përreth, luginën e Drenicës dhe rrjedhën e sipërme të luginës së Lepencit. Të vetmet vendbanime të mjera që mund të gjenden këtu janë Vushtrria dhe Kratova të cilat kanë dhe ajan. Të gjitha vendbanimet e tjera, me përjashtim të qytetit të Prishtinës, janë fshatra të tilla që rrallë kanë qoftë edhe një aga. Popullsia përbëhet nga serbë dhe disa bullgarë dhe shqiptarë, duke përfshirë një numër të caktuar serbësh që janë bërë gjysmë shqiptarë dhe myslimanë për arsye politike ose me martesë. Shqiptarët jetojnë kryesisht në jug dhe jugperëndim të pashallëkut dhe serbët në anët e kundërta. Popullsia e përgjithshme nuk është më shumë se 40,000 deri në 50,000 shpirtra dhe jo më pak se 30,000.

Boué, Ami (1854). Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe. détails géographiques, topographiques et statistiques sur cet empire. Vjenë: Braumüller, f. 201–203. Material i shtypur. (Përkthimi: Y. R.)

Kako citirati
Priština u istoriji (2024), 1838, Ami Boué, u Y. Rugova (red.) Priština u istoriji (I). Pristupano 26.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/sr/article/76/1838-ami-boue