Kërko

1392, Anonim

Dokumenti origjinal mbahet në Stamboll, kurse një variant i traskriptuar është botuar në vitin 1890. Pamja këtu është nga versioni i transkriptuar.

Fragment nga një jetëshkrimi i prijësit serb Lazarit, dorëshkrim anonim nga arkivat serbe. Përmendet (hera e vetme) një kishë ortodokse afër ose në Prishtinë:

Të kthehemi përsëri te beteja. Kur të dy anët ishin lodhur dhe beteja qe ndaluar, pra ajo e serbëve dhe e armiqëve, dhe në fushën e Kosovës po shtriheshin, i lartpërmenduri Amurat pranoi shpatën në zemër dhe me rëndesë e lëshoi shpirti. Kurse i shumëfuqishmi, i prekuri nga dashuria e Perëndisë, martiri i ri, princ Lazari, me një lëvizje të shpatës është prerë, dhe ka pranuar një fund të amshueshëm. Trupi i tij plot nder është marë nga të krishterët e qytetit aty pranë të quajtur Prishtinë, dhe është dërguar në kishën e Perëndisë së Shëlbimit të Krishtit dhe me nderime qe shtruar aty.1

Burimi: Ruvarac, I. (1874). Povesna slova o knezu Lazaru, despotu Stefanu Brankoviću i knezu Stefanu Štiljanoviću. Në Letopis Matice srpske (117), 108–121. Në fakt studiuesi serb Ruvarac, kur shkruan për tekstin mësipërm (të plotin) nuk e përmend datën 1391, e as Danilo III. Datimi dhe autorësia janë përcaktuar më vonë, dhe shkrimi mendohet të jetë nga fundi i vitit 1392. Dokumenti origjinal: Biblioteka Srpske patrijaršije, 51. Një kishë katolike përmendet qysh në vitin 1387 të ketë ekzistuar në Prishtinë, sipas dokumenteve raguzane, khs. Jahja Drançolli (1984) Raguzanët në Prishtinë dhe Kosovë në shek. XIV dhe XV. Në Vjetar i Arkivit të Kosovës, f. 1025.


1 Për mospajtimet rreth datimit të dokumentit shih Ксенија В. Миловановић (2022). Književno Delo Patrijarha Danila III (Banjskog) u rukopisnoj tradiciji, Beograd: Universiteti i Beogradit, f. 11–12. (Temë e doktoraturës.) Sa i përket autorësisë ka edhe më pak pajtim. Derisa një grup (në të cilin hyn edhe Milovanovic i mësipërm) beson se autor i tekstit është prifti Danilo III me qëndrim në Banjskë pranë Mitrovicës, disa autorë të tjerë autor e konsiredojnë një anonim. Për hipotezën e dytë shih Irena Plaović (2016). Slovo o Svetom knezu Lazaru nepoznatog Ravaničanina, në Arheografski prilozi, 38, Beograd, f. 39–58.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1392, Anonim, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/15/1391-danilo-iii