Kërko
Anëshkrim në librin e dorëshkruar “Sherh Rahati al-Kulub”
[E]mri Prishtina në gjuhën arabe duhet të lexohet Pirishtine, dhe është një kasaba e njohur në tokat e Rumelisë, afër Tyrbesë së sulltanit të tretë të Perandorisë Osmane, shehidit Gazi sulltan Muradit. [...] Këtë dorëshkrim e lash vakëf (e vakëfnova) për hir të Allahut të Madhërishëm dhe këtë ia dorëzova atij që është i caktuar në poziten e muteveliut (mbikqyrësit) për ta ruajtur dhe për t’ia dhënë kujtdo që dëshiron për ta kopjuar apo për të pasur dobi nga ky. Kështu që (ky dorëshkrim) të ruhet nga humbja dhe nga keqpërdorimi. Muteveliu i sipërpërmendur është shumë i nderuari, shumë i respektuari dhe i shumë çmuari mevlana Husamuddin el-Levhi, e shpëtoftë Allahu i Madhërishëm. Unë (po ashtu) vuna kusht që ky ekzemplarë i çmuar të mos dalë jashtë qytetit të Prishtinës dhe asnjë i interesuar të mos pengohet nga kopjimi dhe shfrytëzimi i këtij dorëshkrimi. Por, kush bënë ndryshimin e tij pasi që ta ketë dëgjuar atë, mëkati për të u takon atyre qe e ndryshojnë Allahu është më i miri ruajtës dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve. Ndërkaq, pas largimit (të vdekjes S. M.) të muteveliut të sipërpërmendur nga shtëpitë e Prishtinës, mbikëqyrja e këtij dorëshkrimi i mbetët i takon atij që do të jetë imam në Xhaminë e Vjetër, që gjendet në këtë vend. Kurse unë, muteveliut ia dhuroj një të tretën e shpërblimeve dhe sevapeve të shpresuara nga ky vakëfnim, dhe, për këtë që them, Allahu është dëshmitarë. Ndodhi kjo në fund të muajit rebi el-ahir të vitit 969/1561, në kasabanë e Prishtinës e ruajtë Allahu i Madhërishëm nga (të gjitha) llojet e belasë, për hir të më të mirit njeri (Muhammedit a. s.- S. M.).
Dëshmitarë të çështjes: Pir Muhamed Beqir ibn mevlana Omer efendi (ez-ze’im), Ali Beqir b. Mustafa Çelebi (ez-ze’im), Mustafa Çelebi ibn mevlana (el-hatib-el-emin), mevlana Kasim Halife, mevlana Pir Muhamed Çelebi (en-naib), Hasan Çelebi (el-emin) dhe të tjerë. Kjo është e tëra nga unë, e unë jam autori i këtij libri, Pir Muhamed ibn mevlana Mustafa ibn mevlana Halil ibn mevlana el-Haxhi Alij. Allahu i mëshiroftë që të gjithë!
Burimi: Mehmeti, Sadik (2004). “Sherh Rahati al-Kulub” e pir Muhamed Efendiut. Në Vjetari, Prishtinë, f. 497–501. Dokumenti origjinal: Arkivi i Kosovës. (Përkthimi: Sadik Mehmeti.)