Kërko
Rreth çështjeve të Shkodrës: Një bej dhe një pashë nga Prishtina
Beu i Prishtinës dhe përcjellësit e tij nga Bosnja janë ende në përballje me kryengritjen, që i atribuohet intrigave të Rusisë dhe Austrisë. Gjashtë mijë nizamë, ose rregulltarë, dhe disa mijëra trupa të parregullt shqiptarësh vullnetarë nuk kanë arritur ende të çlirojnë Sahir Pashën, dhe, vërtet, një ditë më parë thuhet se kanë humbur katër topa dhe disa qindra burra. Përforcime të reja po derdhen nga Porta; dhe, në gravurën [vizatimi] shoqëruese në dru, beu i Prishtinës është paraqitur duke marshuar për t’iu bashkuar Pashës [së Shkodrës] me përcjellësit e tij të parregullt.
Beu, një oficer i shkollës moderne, me veshjen e tij të thjeshë, pallton e pazbukuruar dhe syzet në hundë, paraqet një kontrast të jashtëzakonshëm me ndjekësit e tij të egër, të cilët vrapojnë me vrap në dy reshta dhe kërcejnë si një tufë dhish mbi shtegun e gjerë. Në krye të tyre është Ban Pasha, një aventurier ushtarak ashtu si Mehemet Aliu i Egjiptit në rininë e tij — me kokë të rruar pastër, mjekër të shkurtuar mjeshtërisht dhe të lyer në errësirë dhe të veshur me coha të reja bojë qielli dhe të kuqe flakë, të praruara me ar. Duhet shpjeguar se, në të dy vizatimet, mënyra e mbajtjes së pistoletave nga malësorët është paraqitur saktë, megjithëse është e kundërta e metodës së zakonshme në vendet e tjera.
Burimi: The Illustrated London News, 27 octobre 1849. (Koleksion privat)