Kërko

1673, Ndre Bogdani

Relatione del regno di Servia dell’anno 1672

Më 9 korrik isha në Prishtinë dhe sipas detyrimeve ipeshkvnore i predikova dhe i krezmova 17 shpirtra. Kisha e Shën Venerandës që ndodhet në këtë vend, përbëhet prej gurësh e llaçit, mbuluar me rrasa. Pranë ndodhen varrezat, [që janë] larg vendbanimit [Prishtinës] afërsisht nja gjysmë ore. Rreth 3,000 shtëpi mbahen në Prishtinë dhe pesëmbëdhjetë shtëpi katolike, me tetëdhjetë shpirtëra, të vegjël e të mëdhenj. Kisha e ka enën me tavllë të eukaristias, një kupë të vetme prej argjendi; ka tre palë veshje, dy prej mëndafshi, një kryq, dy shandan, një temjanicë, të gjitha prej tunxhi, një enë shumë të bukur. Gjatë ditëve të javës festimi bëhet në shtëpi private me shumë frikë nga turqit. Në ditë festash shkojmë edhe në kishë por me kujdes të madh. Në të gjithë Servinë, Sakramenti i Shejtë i Altarit nuk ruhet për shkak të rrezikut të dukshëm që ekziston atje; por më tepër [nga] Ogli Santi(?). Ka disa shata vreshtash, por pak të hyra, pasi distanca një ditë larg nga Prishtina do të thotë më shumë shpenzime për të punuar atje etj., njësoj pengon tash e tre vjet ngrica, pastaj breshëri që i bën vreshtat të pafrytshme, prej kësaj mungese të ardhurash nga vreshtat ka vuajtur për këto tre vjet e gjithë Servia. Të krishterët e Prishtinës paguajnë famullitarin e tyre tetëmbëdhjetë rojalë në vit. Nuk ka shtëpi famullie, por prifti banon në shtëpinë e tij. Nga Prishtina, pjesë e misionit të Trepçës, deri në Vuçitërn është katër orë udhë në këmbë, gjithçka është e sheshtë. Nga Vuçitërna, siç thashë, deri në Trepçë janë dy orë.

Burimi: Jacov, Marko (1998). Le missioni cattoliche nei Balcani tra le due grand guerre Candia (1645–1669), Vienna e Morea (1683–1699). Romë: Biblioteca Apostolica Vatican. f. 283. Dokumenti origjinal: Arkivi Propaganda Fide, Romë, SC, Servia, vol. 1, f. 27r–32v.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1673, Ndre Bogdani, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/32/1673-ndre-bogdani