Kërko

1695, Qytetarët e Prishtinës

Një variant tjetër i letrës së njejtë që mbahet tash në Arkivin e Prishtinës si kopje digjitale e dokumentit që ndodhet në Stamboll. Burimi: M. Krasniqi.

Letër e të urtëve të Prishtinës

Ylemaja, salihët (të urtit) dhe të varfëritë nga Prishtina e Kosovës, të gjithë bashkë në gjykatën e sheriatit janë shprehur se, nga pushtimi i mëparshëm i të pafeve (ushtrisë së Ligës së Shenjtë A.I.), u shkatërruam dhe bashkë me familjet tona (u detyruam) u shpërngulëm në vende të tjera. Përderisa ishim të ndarë nëpër vende të ndryshme, me emrin e Zotit, atdheu ynë u çlirua dhe pasi që iu bashkua tokave islame të çliruara, me fermanin e lartësuar, u kthyem në vendet tona me duar bosh. Gjërat me vlerë i shitem, ose morëm të holla uha, dhe me to blemë farë dhe qe. (Kështu) një-dy vite, u morëm me bujqësi dhe ashtu duke u përballur me varfëri, atdheu ynë, prapë u sulmua nga 2 000 hajdut dhe banda. (me këtë rast) disa prej neve u robëruan dhe disa ranë dëshmor, na u djegën shtëpitë dhe na i morën të gjitha llojet e bagëtive që kishim në dorë. Të gjitha mëhallët janë në gjendje të mjerueshme. Çdo gjë që kishim e humbëm. 

Për gjendjen tonë e kemi njoftuar shtetin e lartë (osman), i cili ka mëshirë dhe krijon kushte sigurie në vendin tonë… ka dy vite që në qytetin tonë mbretëron thatësi dhe shtrenjtim i madh, (madje) jemi të privuar që drithërat dhe ushqimet ti marrim nga vende të tjera. Gjendja jonë është e vështirë edhe për shkak të hajdutëve dhe bandave që po sulmojnë edhe këtë vit. Andaj kërkojmë që ti përgjigjeni kërkesave tona që të dërgoni njerëz special për të krijuar siguri në qytetin tonë.

Me lejen tuaj, duke pasur parasysh gjendjen tonë të vështirë dhe po ashtu duke qenë se, po hymë në muajin e shenjtë të Ramazanit, këto ditë, ka ardhur Fermani i Lartë, për tubimin e 12,000 kilogram të drithërave të përziera sipas matjes së Stambollit, të cilat do të mblidhen nga Shkupi dhe Kosova. Është e vështirë për robërit tuaj të varfër, që janë të nevojshëm për një metelik, të mbledhin kaq shumë drithëra dhe bagëti për bartje. Megjithatë, ne nuk dalim karshi fermanit (urdhrit perandorak), përkundrazi kërkojmë mëshirën tuaj që të na lironi nga këto taksa të rënda. Kërkesa u regjistrua, ndërsa vendimi i takon të drejtit dhe falësit (Sulltanit).
Datë 27 Maj 1695.

Burimi: Stamboll, BOA. AE. SAMD. II. 5/440. Kopje e saj në Arkivin e Prishtinës me të njëjtin numërim. (Përkthyer nga Agron Islami.)

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1695, Qytetarët e Prishtinës, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/40/1695-qytetaret-e-prishtines