Kërko

1817, François Pouqueville

Edhe Pouqueville e ka vizituar Prishtinën para vitit 1817, ku përveç tjerash ka biseduar me disa punëtorë që po e ndërtonin një gardh dhe një hendek në Prishtinë. Faqja nga libri i botuar në vitin 1820.

Voyage dans la Grèce, Vol II

Prishtina është qytet i njëmijë e pesëqind dritave. Rrugët me baltë, tregtia e vogël, mjerimi i banorëve dhe qeverisja e gjakatarit Maliq Pasha, që në këtë kohë komandonte atje, i jepnin tipare të veçanta terri e terrori këtij qyteti. Nuk e pashë të udhës ta vizitoja këtë arnaout, armik të betuar të të krishterëve, i cili ishte kthyer në strofullin e tij disa ditë më parë, pas një ekspedite kundër Kersalëve, hajdutëve më të famshëm të Rumelisë. Ca punëtorë ishin të zënë me urdhrat e tij [Maliq Pashës] në fortifikimin e qytetit, të cilin besonin se qe kërcënuar nga rusët. Fshatarët, të cilët punonin si upër, kishin hapur një hendek dheu dhjetë këmbë të gjerë dhe gjashtë këmbë të thellë, pas së cilës ngritej një gardh i bërë me tufa gjembash të mbjella vertikalisht dhe të përforcuar me shtylla. Turqit, të mahnitur nga kjo kryevepër, më pyetën nëse vendi i fortifikuar kështu, nuk ishte bërë i pathyeshëm; dhe unë u përgjigja në atë mënyrë që t’u pëlqente përgjigja këtyre fëmijëve të mëdhenj me mjekër.

Burimi: Pouqueville, François (1820). Voyage dans la Grèce, comprenant la description ancienne et moderne de l'Épire, de l'Illyrie grecque. Paris: Firmin Didot, f. 479. Material i shtypur.

Si të citohet
Prishtina në Histori (2024), 1817, François Pouqueville, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 21.12.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/54/1817-francois-pouqueville