Kërko

Burime për Prishtinën 1315–1899

Prishtina për herë të parë përmendet në vitin 1315, si rrugë në Prishtinë. Qyteti duhet të jetë themeluar diku mes vitit 1285 dhe 1315.

Në këtë rubrikë paraqesim disa prej materialeve kryesore dokumentare të kohës që përmendin ose e përshkruajnë qytetin e Prishtinës deri në shekullin XIX. Dokumentet vijnë prej arkivave të ndryshme, përfshirë raguzane (të Dubrovnikut), serbe, osmane, veneciane, romane, e austriake. Ndonjë prej dokumenteve i takon personazheve shqiptare të kohës, si ato nga familja Bogdani, Tomë Raspasanit, apo dy nga Sami Frashëri në shek. XIX. Lista e mëposhte nuk është paramenduar të jetë shteruese, dhe gjithsesi dokumente të tjera ekzistojnë dhe mund të dalin në sipërfaqe në të ardhmen. Ato që po shfaqim këtu, janë rëndom dokumente të botuara më parë në gjuhë të tjera, por që nuk janë përkthyer deri më tash në shqip. Në ato raste ku i kemi gjetur përkthimet shqip, iu kemi referuar përkatësisht. Ka edhe disa materiale të panjohura apo të pa botuara më parë. Ndonjë vjen edhe nga Arkivi i Prishtinës, fondi i digjitalizuar i dokumenteve osmane që janë sjellë rishtaz. Ndërkohë në këtë rubrikë sjellim edhe fragmente nga librat e ndryshëm të kohës të shtypur që flasin për Prishtinën, por që në shumë raste s’janë të përkthyer në shqip më parë.

Dokumentet janë klasifikuar sipas datave përkatëse. Fokusi ynë ka qenë te materialet më të hershme, sidomos ato para vitit 1600, kur historia e qytetit nuk njihet gjerësisht nga publiku, në përjashtim të hulumtimeve nga ana e specialistëve, që kanë pasur qasje në artikuj e materialet e veçanta të botuara mbi historinë e Prishtinës. Dokumentet dhe fragmentet e botuara këtu, shpresojmë, do të nxisin më tutje interesimin e opinionit mbi historinë e kryeqytetit të Kosovë, njëkohësisht do të shërbejnë si nxitje shtesë për vazhdimësinë e shkrimit të historisë së qytetit. Përkthimet në shqip janë bërë nga redaktori, përveç në rastet kur është shënuar emri i përkthyesit. Në shumicën e rasteve përkthimet janë më shumë parafrazime. (Y. Rugova)

Fillo këtu!

Si të citohet
Yll Rugova (2024), Burime për Prishtinën 1315–1899, në Y. Rugova (red.) Prishtina në Histori (I). Qasur më 03.07.2024: https://www.prishtinanehistori.org/article/67/burime-per-prishtinen-13151899