Kryengritja e përgjithshme e popullatës së Kosovës kundër Perandorisë Osmane e vitit 1689, e cila qe sjellur nga keq menaxhimi i Jegen Pashës dhe më pas nxitur e udhëhequr nga forcat ushtarake të dinastisë së Habsburgëve, ka shkaktuar ndryshime rrënjësore në stabilitetin shoqëror dhe ekonomik të gjithë rajonit, përfshirë qytetin e Prishtinës. Nga letrat e dërguara prej banorëve të këtij qyteti, mësojmë se shumë prej tyre ishin shpërngulur, kurse ata që kishin mbetur ishin zhytur në skamje e vështirësi. 1 Përveç sulmeve të brendshme të popullatës, pastaj sulmeve që kishin ardhur nga kryengritësit e forcat Habsburge, qytetin e kishin rrokur edhe tatarët e dërguar aty nga vetë Perandoria Osmane. Përveç shumë fshatërave të braktisura që raportohen në këtë periudhë, vërehen edhe plaçkitje e shkatërrime të ndërtesave të ndryshme. Në vitin 1698 në këtë valë sulmesh ishte shkatërruar tërësisht edhe kisha katolike e Shën Mërisë në afërsi të Prishtinës. Në vitin 1699 Porta e Lartë kishte marrë masat e para që të bëhej një këndellje e qytetit duke e themeluar aty një sipërmarrje për tregtimin e leshit. 2 Duket se kompania e re kishte pasur njëfarë suksesi, përderisa në shekullin pasardhës shohim shumë emra nga ky qytet që tregtojnë me lesh nëpër portet e ndryshme, kryesisht në atë të Durrësit e Shkodrës. 3 Në shekullin XVIII, duket se qyteti është rimëkëmbur në një masë, pa arritur asnjëherë në gjendjen që e kishte para vitit 1689, kur duket se kishte arritur mbase kulmin e zhvillimit për një kohë të gjatë.
-
1
Shih artikullin nga Agron Islami; Shih letrën e qytetarëve të Prishtinës nga viti 1695 te Dokumentet.
-
2
Shih fragmentin e sjellur në këtë datë te Dokumentet.
-
3
Se qyteti ishte rimëkëmbur vërehet edhe nga numri i tregtarëve që kanë qarkulluar në atë kohë, khs. Gligorije Elezović (1932). Rečnik kosovsko-metohiskog dijalekta. Beograd: Planeta. f. 139; Edhe prej aktivitetit të shtuar të xhamive të Prishtinës mund të vërehet kjo rimëkëmbje, shih tekstin nga Agron Islami, Xhamitë e Prishtinës.